Familje, shoqëri – Thënie

Familje, shoqëri

Muhamed ibn El-Munkedir (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i ruan nëpërmjet njeriut të mirë, fëmijët e tij, fëmijët e fëmijëve të tij dhe shtëpitë që i ka përreth. Ata vazhdimisht janë në ruajtje e mbulesë prej Allahut.” Xhami’u El-Ulumi ue El-Hikem.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete.” (El-Kehf, 28). Ibn Kethiri shpjegon: “Domethënë: rri me ata robër të Allahut të cilët e përmendin Atë me fjalët: La ilahe il-lAllah, elhamdulil-lah, subhanAllah, Allahu ekber, dhe të cilët e lusin Atë në mëngjes e mbrëmje, (rri me ta) edhe nëse janë të varfër, apo të pasur, apo të fuqishëm apo të dobët.” Tefsir ib Kethir.

Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të rinjtë duhet t’i kushtojnë vëmendje Kuranit fisnik dhe Sunetit të pastër, si dhe të shoqërohen me njerëz e shokë të mirë, prej atyre që kanë dije e që janë të njohur me qëndrueshmëri në fe, në mënyrë që të përfitojnë prej tyre dhe prej moralit të tyre.” Mexhmu’u El-Fetaua.

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) thotë: “Kur të vdesë njeriu, engjëjt pyesin: “Çfarë vepra ka bërë?”, ndërsa njerëzit thonë: “Çfarë ka lënë?” Ebu Davud, Ez-Zuhd.

Alij ibn Ebi Talin (radijAllahu anhu) rreth fjalës së Allahut: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim, 6) ka thënë: “Domethënë: “Mësojuani çështjet e fesë dhe edukoni ata!” Meusua’tu ibn Ebi Ed-Dunja.

Abdullah ibn Mesudi (radijAllahu anhu) thotë: “Shoqërohu vetëm me atë që të ndihmon në përkujtimin e Allahut.” Ez-Zuhd, Ebu Davudit.

“Shoqëroje atë që është me i ngritur sesa ti në fe dhe me i ulët sesa ti në jetën e kësaj bote!” Es-Samt ibn Ebi Ed-Dunja.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të dy bashkëshortët e kanë obligim që të sillen mirë me njëri-tjetrin, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Jetoni e silluni mirë me to!” (En-Nisa’, 19) dhe: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë.” (El-Bekara, 228). Nëse bashkëshortët sillen mirë me njëri-tjetrin, atëherë dashuria mes tyre do të jetë më e vazhdueshme dhe begatia do të jetë më e plotë. Sa e sa ndarja mes bashkëshortëve kanë ndodhur për shkak të sjelljes së keqe ndërmjet tyre! Andaj, kur secili prej tyre e ka frikë Allahun, sillet mirë me tjetrin dhe ia jep të drejtën që i takon, atëherë për shkak të kësaj do të kenë të mira e bereqete të shumta. Shkaku kryesor i grindjeve të shumta mes bashkëshortëve është sjellja e keqe me njëri-tjetrin. Kështu, burri e godet gruan e tij për gjënë më të ulët, e po ashtu dhe gruaja nuk i bindet atij dhe e kundërshton atë për gjënë më të ulët. Andaj, secili prej bashkëshortëve duhet të sillet mirë me tjetrin, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Lartësuar.” El-Lika’ Esh-Shehrij.

Imam Esh-Sheukanij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Një natë prej netëve e kalova duke u rrotulluar në shtrat e duke kujtuar hadithin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vërtetë, ata që duhen për hir të Allahut (në ditën e Kiametit) do të ulen në minbere nga drita, dhe për këtë ua kanë lakmi edhe profetët edhe dëshmorët.” Unë rrotullohesha në shtrat duke menduar sesi t’i jap kahje këtij hadithi. Si ka mundësi që dashuria për hir të Allahut të lakmohet nga profetët dhe dëshmorët?! Thosha me vete: “Sot, zakonisht dashuria mes njerëzve nuk është për hir të Allahut: burri e do gruan e tij, mirëpo jo për hir të Allahut, gruaja e do burrin e saj, mirëpo jo për hir të Allahut, prindërit i duan fëmijët e tyre, mirëpo jo për hir të Allahut, fëmijët i duan prindërit e tyre, mirëpo jo për hir të Allahut. Po ashtu njeriu e do udhëheqësin, tregtarin, përgjegjësin. Ai që është i bukur, duhet për shkak të bukurisë së tij, tjetri për shkak të zërit të tij, tjetri për shkak të pasurisë së tij. E atëherë, m’u bë e qartë se dashuria për hir të Allahut është një gjë shumë e rrallë!” El-Fet’hu Er-Rabbanij­.

Enesi (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më i mëshirshëm ndaj fëmijëve dhe anëtarëve të familjes.” Es-Sahiha, 2089.

Një njeri i tha Hasen El-Basriut (Allahu e mëshiroftë): “Me kë ta martoj vajzën time?” Ai i tha: “Me atë që i frikohet Allahut, sepse nëse e do atë, e nderon e nëse e urren, nuk i bën padrejtësi!” Muhtesar Minhaxh El-Kasidin.

Ebu Hazim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e do një vëlla besimtar për hir të Allahut, atëherë pakësoji ndërhyrjet në jetën e tij të kësaj bote!” Hiljetu El-Evlija.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “T’i ndihmoj një vëllai tim besimtar në ndonjë nevojë të tij, është më e dashur për mua sesa të bëjë itikaf në këtë xhami (xhaminë e tij në Medine) një muaj.” Es-Sahiha, 906.

I Dërguari (sal-lAllau alejhi ue sel-lem) thotë: “Katër gjëra janë pjesë e lumturisë: gruaja e devotshme, shtëpia e gjerë (e mjaftueshme), fqinji i mirë dhe mjeti i rehatshëm i udhëtimit. Dhe katër gjëra janë pjesë e pa lumturisë: fqinji i keq, gruaja e keqe (jo e devotshme), shtëpia e ngushtë dhe mjeti i keq i udhëtimit.” Es-Sahiha, 282.

Alij ibn Ebi Talib (radijAllahu anhu) thotë: “Shoku nuk konsiderohet shok i vërtetë derisa ta ruajë shokun e tij kur ai nuk është prezent dhe pasi që të vdesë.” Behxhetu El-Mexhalis.

Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur ndonjë burrë i kohës së injorancës paraislame e kërkonte dorën e ndonjë gruaje, anëtarët e familjeve të tyre interesoheshin e pyesnin: “Çfarë prejardhje ka ai? Çfarë prejardhje ka ajo?” Kur erdhi Islami, ata pyesnin: “Sa është i kapur për feje ai? Sa është e kapur për feje ajo?” Ndërsa, ju sot thoni: “Sa pasuri ka ai? Sa pasuri ka ajo?” Behxhetu El-Mexhalis.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse bashkëshortja sillet keq me ty, ti mos e shiko sjelljen e saj tani, por shikoje të kaluarën e të ardhmen dhe gjyko me drejtësi.” Sherh Rijad Es-Salihin.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse sheh se shokët e tu të udhëzojnë, të ndihmojnë drejtë të mirës, nëse harron e nuk di e ata të përkujtojnë e të mësojnë, atëherë mbaje fort shoqërinë me ta. E nëse e sheh se shoku yt është i pakujdesshëm kundrejt teje dhe nuk i intereson a prishet feja jote apo jo, madje ndoshta edhe përpiqet të ta prishë fenë, atëherë ruaju prej tij, sepse ai është helm vrasës.” Sherh Rijad Es-Salihin.

Imam El-Euza’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shoku për shokun është sikur arni për rrobën. Kështu, nëse ai (arni) nuk është i ngjashëm me të, e shëmton atë.” Behxhetu El-Mexhalis.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kujt Allahu i ka dhënë grua të devotshme, veçse i ka ndihmuar ta plotësojë gjysmën e fesë, andaj le ta ketë frikë Atë në gjysmën tjetër!” Sahih Et-Tergib, 1916.

Umer ibn Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Njeriut nuk i është dhënë diçka më e mirë, pas Islamit, sesa një vëlla i devotshëm besimtar.” Kutu El-Kulub.

Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Fjala e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Nuk është besimtar” do të thotë: nuk është besimtar me besim të plotë. “Ai i cili ngopet, ndërkohë që fqinji i tij është i uritur.” Domethënë: ndërkohë që e di gjendjen e fqinjit të vet. Fqinji patjetër duhet ta ngopë fqinjin e vet, edhe nëse ai nuk është musliman; dhe kjo është prej bukurive të shumta të fesë Islame. Ai që e ka këtë veti, nuk i kushton rëndësi gjendjes së fqinjit se a ka për të ngrënë apo jo, atëherë kjo tregon për: ngurtësi të zemrës, koprraci të madhe, besim të dobët, paburrëri dhe karakter të ulët.” Sherh Kitab El-Kebair.

Aun ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në fillim shoqërohesha me njerëz të pasur, mirëpo askush nuk ishte më i pikëlluar sesa unë. Nëse shihja dikë me rroba më të bukura sesa të miat dhe me aromë më të mirë sesa timen, kjo më pikëllonte. Pastaj fillova të shoqërohesha me njerëz të varfër dhe u rehatova.” Hiljetu El-Evlija.

Bashkëshortja e imam Se’id ibn Musejjibit (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Në kohën tonë, burrave nuk u flisnim ndryshe, veçse ashtu siç ju sot u flisni pushtetarëve tuaj!” Hiljetu El-Evlija.

Umer ibn El-Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Prej gjërave që e bëjnë të çiltër dashurinë e vëllait tënd besimtar për ty janë: dhënia selam i pari kur ta takosh, thirrja e tij me emrat që i do më së shumti dhe bërja vend atij nëpër ndeja.” Behxhetu El-Mexhalis.

Dijetari Mukbil El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëllai besimtar në këtë kohë është i barabartë me botën dhe çdo gjë që gjendet në të.” Es’iletu Esh-Shebab.

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Të huajt janë dy llojesh: ata të cilët e përmirësojnë veten kur njerëzit e tjerë prishen dhe ata të cilët e përmirësojnë atë që e kanë prishur njerëzit, e ky është niveli më i lartë e më i mirë.” Keshfu El-Kurbeh.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa herë të zemërojnë fëmijët apo bashkëshortja e anëtarët e familjes, mësoje gjuhën që të lutesh mirë për ta. Disa njerëz thonë: “Allahu ta marrtë shpirtin! Allahu të shkatërroftë! Allahu ta nxiftë fytyrën! Allahu mos të dhëntë sukses as në dunja e as në ahiret!” Kjo është e ndaluar. Duro, përmbaje veten dhe lutu mirë për familjen tënde!” Fetaua Lika’ El-Bab El-Meftuh.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Brezat e parë të muslimanëve preferonin të mos bëjnë dallime mes fëmijëve të tyre në puthje.” Tuhfetu El-Meudud.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “T’i lutesh Allahut për prindërit e tu gjatë namazit të teravive apo namazit të natës, është shumë më mirë sesa të therësh dhjetë deve për ta.” Lika El-Bab El-Meftuh.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Njerëzit që më së shumti e meritojnë lëmoshën janë të afërmit.” Tefsir ibn Kethir.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur ta shohësh vëllain tënd besimtar në gjendje të rëndë, thuaji: “Përgëzohu, sepse çlirimi është afër!” Dhe kur ta shohësh në vështirësi, thuaji: “Përgëzohu, sepse lehtësimi është afër!” Sherh Rijad Es-Salihin.

Imam Katade (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasha Allahun, unë kam vërejtur se njeriu shoqërohet vetëm me ata njerëz që janë sikurse ai. Andaj, shoqërohuni me robërit e mirë të Allahut, ndoshta do të jeni me ta apo sikur ta.” El-Ibaneh.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mirësjellja ndaj prindërve i shlyen mëkatet e mëdha.” El-Adab Esh-Sher’ijjeh.

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.

Përgatiti: A. O.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit