Gurbeti i sahabëve

Gurbeti i sahabëve

Gurbeti i sahabëve është i pari në Islam, siç ka ardhur në hadith: “Islami ka filluar i huaj.”  Njerëzimi, para se të dërgohej Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, jetonte në periudhën në të cilën ka mbizotëruar injoranca totale, ka dominuar epshi, fesadi e korrupsioni, në të gjitha fushat e jetës (si: në aspektin fetar, moral, social, ekonomik). Ata adhuronin idhuj dhe zota të ndryshëm, krahas Allahut apo në vend të Tij. Njëri prej tyre ka treguar: “Në periudhën e injorancës (xhahiljetit) adhuronim gurët. Kur gjenim ndonjë gur më të mirë sesa ai që kishim, e hidhnim atë dhe e merrnim këtë. Nëse nuk gjenim gur (për ta adhuruar) atëherë merrnim një grumbull dhé, pastaj merrnim një dele për ta mjel mbi atë dhé dhe pastaj bënim tavaf rreth tij.” Intelegjenca kishte rënë deri në këtë nivel saqë adhuronin gurë apo grumbull dheu.

Gjithashtu ata varrosnin për së gjalli vajzat, merrnin kamatën, bënin imoralitet etj. Në këtë ambient kaq të prishur kishte persona që kishin besim të drejtë, që adhuronin Allahun të Vetëm dhe i përmbaheshin miletit të Ibrahimit. Ata refuzonin këtë prishje të shoqërisë së tyre. Prej qëllimeve të dërgimit të Muhamedit salAllahu alekhi ue selem si i Dërguar, ka qenë triumfi dhe ndihma ndaj së vërtetës dhe ndaj këtyre besimtarëve të cilët kanë qenë të persekutuar dhe të ndjekur në atë periudhë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qëndruar i vetëm në fillim të Islamit, derisa e kanë pranuar Islamin Ebu Bekri, pastaj Hadixhja, pastaj Aliu, Bilali, Sadi dhe të tjerë (një numër i vogël). Këta kanë përjetuar vështirësinë e madhe të gurbetit të parë.

Shkaqet e këtij gurbeti janë:

─∞─ Koha e afërmve me injorancën.

─∞─ Fanatizmi i njerëzve për trashëgimin e të parëve të tyre (qoftë në zakone, në ligje fisnore etj.).

─∞─ Qëndrimi përkrahës i ithtarëve të librit ndaj idhujtarëve.

─∞─ Besimtarët kanë qenë nën pushtetin e jobesimtarëve.

Për rrjedhojë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka pasur mundësinë t’i mbrojë pasuesit e tij që kanë qenë të dobët dhe as s’ka pasur mundësi të largojë dënimet e jobesimtarëve mbi ta. Andaj, ata kanë qenë të huaj në mesin e fisit apo popullit të tyre. Aisha radijAllahu anha ka treguar: “Kur muslimanët filluan të përjetojnë sprovat e torturat prej idhujtarëve të Mekës, Ebu Bekri doli për të bërë hixhret në Etiopi. Gjatë rrugës takoi Ibn Dagnen (idhujtar) dhe i tha: “Për ku o Ebu Bekër?” I tha: “Populli im më dëboi. Nuk më lë të adhuroj Allahun, andaj dëshiroj të shëtis tokën i lirë dhe të adhuroj Allahun, Zotin tim.” Atëherë ai e merr në mbrojtje Ebu Bekrin e i thotë: “Kthehu” dhe nisen. Kurejshët e pranuan këtë mbrojtje (sepse ky person ka qenë me pozitë), mirëpo i thanë: “Le të adhurojë Zotin e tij brenda shtëpisë së tij.” Dhe: “Kur të lexojë Kuran në shtëpinë e tij mos ta ngritë zërin lartë.” Transmeton Buhariu.

Disa pika me të cilat manifestohet ky gurbet:

-Thirrje në Islam vazhdimisht, prej kur ka filluar Shpallja dhe ka vazhduar fshehtas tri vite radhazi. Kështu, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe sahabët tuboheshin në shtëpinë e Erkamit.

-Pasuesit e paktë. Amar ibn Jasir radijAllahu anhu ka treguar: “E kam parë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në fillim të Islamit duke pasur për ndjekës: 5 robër, 2 gra dhe Ebu Bekrin.”

-Persekutimi, përndjekja, torturat, madje dhe vrasja apo tentim vrasja.

-Rrethimi (në luginën e Ebu Talibit) dhe bllokimi ekonomik, kjo ka zgjatur për dy a tri vite, saqë besimtarët janë detyruar të hanë edhe gjethe të pemëve. Idhujtarët shkëpusin lidhjet dhe kontaktet me besimtarët (shitblerje, martesë etj.).

Po si janë ballafaquar me këtë gurbet?

Së pari, pas tri viteve me davet fshehtas, kanë filluar të bëjnë davet haptazi. Pastaj e kanë vendosur davetin jashtë Mekës (hixhreti në Etiopi, dalja e Pejgamberit në Taif për davet, apo daveti ndaj fiseve arabe kur vinin për Haxh). Pastaj, ua kanë imponuar Kurejshëve davetin (ta pranojnë si një realitet). Andaj e shpallin davetin dhe fillojnë të falen haptazi, të lexojnë Kuran etj. Kurejshët u dorëzuan ta pranonin faktin e bërjes davet haptazi. E megjithatë kanë vazhduar ende me keqtrajtime e tortura. Pastaj, ka ardhur zotimi për besnikëri nga Ensarët (e Medinës) dhe hixhreti në Medine ku është themeluar dhe shpallur shteti i parë islam. Pastaj, pason lufta në rrugën e Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem fillon të dërgojë ushtrinë dhe vetë merr pjesë në shumë beteja dhe kështu fillon të përhapet islami. Në vitin e tetë hixhri çlirohet Meka. Dhe kështu largohet gurbeti i parë në Islam.

 

Krahasim mes gurbetit të sahabëve dhe gurbetit të sotshëm

Ibn Kajjim ka thënë: “Islami i vërtetë në të cilin kanë qenë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij, sot është më i huaj sesa në fillim të shfaqjes së Islamit. Ithtarët e Islamit janë shumë të huaj në mesin e njerëzve sot. Nëse koha e afërmve e xhahiljetit ka qenë prej shkaqeve të gurbetit të tyre, atëherë shumë prej çështjeve të xhahiljetit janë prej shkaqeve gurbetit të muslimanëve sot. Nëse fanatizmi ndaj baballarëve (të parëve) ka qenë prej shkaqeve të gurbetit të tyre, atëherë edhe fanatizmi për të parët, sektet, medhehebet dhe xhematet e partitë, janë prej shkaqeve të gurbetit sot. Nëse qëndrimi i ithtarëve të Librit ka qenë prej shkaqeve të gurbetit të tyre atëherë gjithashtu qëndrimi i ithtarëve të Librit dhe të tjerëve (budistëve, sekularistëve, masonëve, laikëve etj.) është prej shkaqeve të gurbetit të muslimanëve sot. Nëse dominimi i adeteve dhe zakoneve fisnore ka qenë prej shkaqeve të gurbetit të tyre, atëherë dhe dominimi i adeteve, zakoneve, ligjeve të shpikura, janë prej shkaqeve të gurbetit të muslimanëve sot. Nëse rënia e muslimanëve nën pushtimin e jobesimtarëve (prej popullit të tij) ka qenë prej shkaqeve të gurbetit të Pejgamberit dhe shokëve të tij, po ashtu edhe rënia e muslimanëve nën pushtimin e jobesimtarëve është prej shkaqeve të grubetit të muslimanëve sot. Nëse bërja e davetit heshtazi e fshehtazi ka qenë gjithashtu prej pikave me të cilat është shfaqur gurbeti i Pejgamberit dhe i shokëve të tij, po ashtu ky lloj i davetit ka ndodhur edhe në vendet muslimane ku ka qeverisur komunizmi, edhe sot ka musliman qe janë guraba e që nuk guxon të bëjë davet haptazi apo të adhurojë Allahun haptazi (me namaz). Nëse persekutimet, ndjekja, torturat, bllokada dhe rrethimi kanë qenë prej formave me të cilat është shfaqur gurbeti i Pejgamberit dhe shokëve të tij, po ashtu kjo ndodh edhe sot ndaj muslimanëve në vende të ndryshme (si: komplote, sanksione, vrasje, , embargo, bllokada etj.) me të cilat shfaqet gurbeti i tyre sot. Nëse kufizimi i davetit brenda një rrethi ka qenë prej formave me të cilat është shfaqur gurbeti i Pejgamberit dhe shokëve të tij, atëherë edhe lufta ideologjike që u bëhet sot muslimanëve e përhapja e ideve devijuese në vendet islame, është prej pikave me të cilat shfaqet gurbeti i muslimanëve sot. E gjithë kjo që thamë, nuk do të thotë se gurbeti i muslimanëve sot është më i rëndë sesa gurbeti i Pejgamberit dhe shokëve të tij, ngase mundësitë që disponojnë muslimanët sot janë më shumë sesa atëherë (janë më shumë në numër, kanë më shumë tokë që e zotërojnë, kanë më shumë mënyra e forma të davetit), e të cilat u ndihmojnë të largojnë gurbetin prej vetes së tyre.” Medarixhus Salikin.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit