Gurbeti në Islam dhe gurabatë
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Vërtet, Islami ka filluar si i huaj dhe do kthehet i huaj ashtu siç ka filluar. Tuba i pret si shpërblim të huajt!” Muslimi.
Kur është pyetur se kush janë këta, ka thënë (shtesat e transmetuara):
“Janë ata që bëjnë përmirësime kur njerëzit prishen.”
“(Ata) Janë disa njerëz të paktë, të devotshëm, në mesin e shumë njerëzve të këqij. Ata që nuk ua dëgjojnë fjalën janë më shumë sesa ata që ua dëgjojnë fjalën.”
“(Ata) Janë nxjerrë/përjashtuar prej fiseve (të afërmve) të tyre.”
-“Gurbeh” d.m.th.: qëndrimi larg atdheut e familjes. Në hadith, këta që janë të huaj në Islam përngjasohen me ata që janë larg atdheut të tyre. Ata që kapen pas Islamit të vërtetë janë të vetëm në mesin e popullit të tyre, sikur ata që janë të vetëm në vendin e huaj. Ata kanë pasues të paktë në krahasim me shumicën e ithtarëve të së kotës.
-“Islami ka filluar si i huaj dhe do të kthehet i huaj”: Bidatet të cilat i devijojnë njerëzit dhe i largojnë prej rrugës së drejtë do të shtohen, dhe për shkak të tyre do të devijojnë shumica e njerëzve. Andaj, pasuesit e së vërtetës do të mbesin të huaj në mesin e njerëzve.
-“Tuba” është një pemë (e veçantë) në xhenet. “Për ta kaluar atë duhet udhëtuar 100 vjet…”, siç tregohet në një hadith, “…rrobat e banorëve të xhenetit dalin përmes degëve të saj”.
–“(Ata) Janë nxjerrë prej fiseve (të afërmve) të tyre”: Kështu ka qenë në fillimet e Islamit. Ata që ju kanë përgjigjur thirrjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selm është dashur të shkojnë tek ai e të largohen prej familjes e fisit. E do të jenë të tillë edhe pasuesit e së vërtetës në fund të kohës (para Kiametit), kur fitnet shtohen e ata do të largohen dhe do t’i bojkotojnë ato dhe ithtarët e tyre, kështu do të largohen prej familjeve e të afërmve dhe do të llogariten të huaj në mesin e njerëzve ngase nuk do të gjejnë dikë që t’i përkrahë e t’u ndihmojë.
Fjalë nga dijetarët
Ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Ithtarët e Islamit (muslimanët) në mesin e njerëzve janë të huaj. Besimtarët e mirë në mesin e ithtarëve të Islamit janë (llogariten) të huaj. Pastaj, pasuesit e sunetit (që e ndajnë sunetin prej bidateve, tekave e dëshirave që pasojnë njerëzit), janë të huaj në mesin e këtyre besimtarëve. Pastaj ata që thërrasin në sunet dhe tregohen të durueshëm ndaj lëndimeve dhe ofendimeve të kundërshtarëve janë më të huajt në mesin e të gjithë këtyre (që u përmenden). Grubeti i këtyre është më i egri (me vetmin më të madhe) ngase nuk kërkojnë strehë diku tjetër veçse tek Allahu, nuk i atribuohen dikujt tjetër veçse Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe nuk thërrasin në diçka tjetër veçse në fenë me të cilën ka ardhur ai. Mirëpo, ky gurbetçar realiaht nuk ndjen vetmi sepse miku i tij është Allahu, i Dërguari dhe besimtarët, edhe nëse shumica e njerëzve e largojnë dhe e nënçmojnë. E prej cilësive të këtyre është se ata kapen pas sunetit në kohën kur shumica e njerëzve braktisin sunetin, i lënë bidatet edhe pse ato në mesin e njerëzve llogariten si vepra të mira, ata e pastrojnë teuhidin e tyre edhe pse shumica e njerëzve nuk e pranojnë këtë, ata nuk i adresohen askujt tjetër veçse Allahut dhe të Dërguarit të Tij (as ndonjë dijetari, apo grupi, apo tarikati etj.). Shumica e njerëzve i qortojnë e kritikojë. Te njerëzit konsiderohen njerëz që kanë ardhur me ide të veçanta në kundërshtim me shumicën, madje edhe të atillë që sjellin bidate dhe që përçajnë bashkësinë e muslimanëve. Kështu ka qenë Islami në fillim, ka qenë i huaj në mesin e adhuruesve të idhujve, kryqit, zjarrit, në mesin e hebrenjve, sabiunëve, filozofëve etj. Ata që i janë përgjigjur Islamit janë llogaritur të huaj në mesin e fisit apo lagjes, madje edhe në mesin e të afërmve dhe familjes, derisa Allahu ka bërë që Islami të triumfojë dhe të përhapet thirrja në Islam e të hyjnë njerëzit në ge grupe-grupe…” Medarixhus salikin.
Ibn Tejimije rahimehullah: “Ashtu siç ka ardhur në hadith, Islami ka filluar i huaj, por pas një kohe ka filluar të forcohet dhe të përhapet në mesin e njerëzve, e pas kësaj kohe, në shumë periudha e vende prapë kthehet e bëhet i huaj dhe nuk triumfon, derisa Allahu prapë ta bëjë të triumfojë (nganjëherë bëhet i huaj nganjëherë triumfon). Është transmetuar në sunene se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu në krye të çdo njëqind viteve, dërgon te ky umet dikë që ua ripërtërinë atyre çështjet e fesë.” Dhe “ripërtërinë” tregon se ai Islam është vjetërsuar në mesin e atyre njerëzve nga mënyra se si praktikohet (ky vjetërsim llogaritet gurbet në Islam, ata pasues të Islamit të vërtetë llogariten të huaj). Ky hadith jep dobi të madhe për muslimanin: të mos brengoset e pikëllohet nëse në kohën e tij janë të paktë ata që e njohin Islamin e vërtetë, mos t’i ngushtohet gjoksi dhe kraharori se është duke jetuar në një kohë të tillë, mos të ketë mëdyshje dhe dyshim në fenë e tij. E nganjëherë gurbeti është në disa çështje të caktuara të fesë (dispozita). Ai që kapet pas tyre llogaritet i huaj në mesin e njerëzve. Andaj nuk gjen në mesin e tyre veçse një apo dy të cilët praktikojnë këto dispozita. Mirëpo, tuba i pret si shpërblim ata që kapen pas këtyre dispozitave (për të cilat ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij).” Mexhmul fetaua.
Shatibiu rahimehullah ka thënë: “Ky hadith na përshkruan gurbetin, dhe kjo është parë me sy se ka ndodhur në fillim dhe në fund (flet për kohën e tij) të Islamit. Allahu e dërgoi Muhamedin salAllahu alejhi ue selem në një injorancë të rëndë, madje njerëzit kanë ndjekur rrugët në të cilat kanë gjetur baballarët e tyre. Në mesin e tyre është ngritur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i ka thirrur si paralajmërues e përgëzues, mirëpo menjëherë e kanë akuzuar (me lloje të ndryshme, si: gënjeshtar, magjistar, i çmendur etj.), madje i kanë shpallur luftë, ndërsa të afërmit e tij kanë qenë me zemrat më të ashpra kundër tij. Nuk ka gurbet që mund të krahasohet me gurbetin e tij. Mirëpo ka vazhduar t’i thërrasë, dhe njerëzit kanë filluar njëri pas tjetrit t’i përgjigjen në formë të fshehtë, ku në mesin e tyre ka pasur të atillë që ka pasur fis që e ka mbrojtur (prej torturave e keqtrajtimeve të idhujtarëve), ka pasur të atillë që ka ikur nga vendi i tij (duke ikur prej torturave dhe duke e ruajtur fenë), ka pasur të atillë që nuk kanë pasur kush t’iu dalë krahë dhe këta janë ballafaquar me ndëshkime, vështirësi, madje dhe vrasje, mirëpo kishte që kanë duruar dhe llogaritur në shpërblim tek Allahu. Pastaj Islami ka filluar të rritet e të përhapet dhe pasuesit e tij kanë qenë në rrugën e drejtë, derisa në mesin e tyre kanë filluar të mbinë bimë të grupeve e sekteve (të dala nga suneti). Vazhdimisht janë shtuar, derisa janë bërë aq shumë saqë të gjitha së bashku janë bërë kundër sunetit dhe kanë thirr në pasimin e bidateve dhe tekave të tyre. Mirëpo, grupi (pasuesit e sunetit) duhet të qëndrojnë të fortë, të pa luhatshëm ndaj këtyre sulmeve, akuzave etj., që ua bëjnë, derisa të vjen urdhri i Allahut (d.m.th. Kiameti), siç ka ardhur në disa hadithe. Pasuesit e sunetit duhet ta dinë se këto sulme ndaj tyre prej sekteve të humbura të cilat kanë shfaqur haptazi urrejtje e armiqësi ndaj tyre, përderisa mbrohen janë në luftë në rrugën e Allahut. Dhe për këtë luftë që bëjnë do të shpërblehen tek Allahu shumëfish.” El Itisam.
Llojet e gurbetit
Llojet e gurbetit janë tri:
─∞─ Gurbeti i ithtarëve të Allahut e të sunetit. Ky është gurbeti të cilin e ka lavdëruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe ithtarët e tij. Ata që ndjekin fenë e vërtetë do të jenë të huaj në mesin e njerëzve. Ky gurbet mund të jetë në një vend të caktuar, nuk do të thotë se është në çdo vend të muslimanëve, apo në një kohë të caktuar, apo në mesin e disa njerëzve te një popull i caktuar. Këta nuk kërkojnë strehë diku tjetër veçse tek Allahu, nuk i atribuohen dikujt tjetër veçse Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ai që është i këtillë, që ndjek këtë rrugë, realisht nuk ndjen vetmi, ngase mik e përkrahës të tij janë Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët. Hasan el Basriu ka thënë: “Besimtari në këtë botë është i huaj. Nuk pikëllohet e nuk dëshpërohet nëse është i panjohur në mesin e njerëzve. Nuk garon të jetë më i ngrituri në mesin e tyre. Njerëzit janë një gjendje, ai në një gjendje (nuk ka punë me ta). Ata janë rahat prej tij, mirëpo ai nuk është rehat prej vetes së tij (është në luftë me vetveten duke e përmirësuar).”
─∞─ Gurbeti i nënçmuar, i ithtarëve të së kotës, i mëkatarëve, në mesin e pasuesve të së vërtetës. Këta janë shumicë dhe kanë shumë pasues.
─∞─ Gurbeti që nuk lavdërohet e as nuk nënçmohet, gurbeti larg atdheut. Realisht të gjithë njerëzit në këtë botë janë të këtillë (në gurbet), ngase kjo botë nuk është vendi ku do të qëndrojnë përherë dhe nuk është banesa për të cilën janë krijuar (të jetojnë përgjithmonë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Bëhu në këtë botë sikur një i huaj apo udhëtar.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.