Hadithet që flasin për vlerën e mesit të muajit Shaban janë të dobëta

Komisioni i përhershë për studimeve shkencore dhe fetua

Pyetje: Disa dijetarë thonë se janë transmetuar hadithe rreth vlerës së mesit të muajit Shaban, agjërimit të tij, dhe gjallërimit të natës së mesit të tij me adhurim. A janë të sakta këto hadithe? Nëse ka diçka të saktë prej kësaj na e sqaroni me sqarim që na shëron (nga injoranca), e nëse është e kundërta, atëherë kërkojmë prej jush shpjegim. Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigje: Janë transmetuar hadithe të sakta rreth vlerës së agjërimit të shumë ditëve të Shabanit, mirëpo, ato nuk i veçojnë disa ditë ndaj tjerave. Prej këtyre haditheve është se në dy Sahih-at (Buhari dhe Muslim) Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka thënë:

“Nuk e kam parë Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ta plotësojë ndonjë muaj me agjërim përveç Ramazanit. Dhe nuk e kam parë ta agjërojë ndonjë muaj më shumë se Shabanin, të cilin e agjëronte pothuajse të gjithin, përveç disa ditëve.”

Në hadithin e Usame bin Zejdit transmetohet se ai e pyeti Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):

“Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj më shumë se Shabanin? Ai tha: “Ai është një muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit, (dhe për këtë shkak) njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj tij, ndërsa, ai është një muaj në cilin veprat e robërve ngrihen të Zoti i botëve. Kurse, unë kam dëshirë që kur veprat e mia të ngrihen të jem agjërueshëm.”

Transmeton Imam Ahmedi dhe En Nesaiu.

Nuk është transmetuar asnjë hadith autentik që Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e veçonte me agjërim (si përzgjedhje e tij) ndonjë ditë të caktuar të Shabanit, ose disa ditë prej tij. Janë transmetuar disa hadithe të dobëta për faljen e namazit të natës në natën e mesit të Shabanit dhe agjërimin e ditës së saj.

Prej tyre është hadithi që e transmeton Ibën Maxhe në Sunen-in e tij, se (kinse) Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur të vije nata e mesit të Shabanit, faluni gjatë natës dhe agjëroni gjatë ditës, sepse Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë gjatë kësaj nate që nga perëndimi i diellit, dhe thotë: A ka ndokush që kërkon falje nga Unë, që ta fali? A ka ndokush që kërkon furnizim nga Unë, që ta furnizojë? A ka ndonjë të sprovuar që t’ia largoj atë fatkeqësi. Kështu vazhdon deri në agim.”

Ibën Hibbani i vlerëson si autentike disa hadithe që flasin për vlerën e gjallërimit të natës së mesit së Shabanit. Prej tyre është hadithi që e transmeton në Sahih-un e tij, nga Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë:

“Një natë e humba Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Kur dola e pashë se ai ishte në Beki’1, e kishte ngritur kokën (d.m.th. lutej). Ai më tha: A po frikësohesh që Allahu dhe i Dërguari i Tij do të bëjnë padrejtësi ty? Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut! Mendova që shkove te gratë e tjera. Ai më tha: Vërtetë Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë në mesin e muajit Shaban, dhe ua fal disa njerëzve numri i të cilëve është më i madh se qimet e një deleje.”

Këtë hadith Buhariu dhe të tjerë e vlerësojnë të dobët. Për më tepër shumica e dijetarëve e kanë mendimin se hadithet që flasin për vlerën e natës së mesit të Shabanit dhe agjërimin e ditës së saj, janë të dobëta. Tek dijetarët e hadithit është e njohur se Ibën Hibbani ka tesahul (lehtësi, butësi) në saktësimin e haditheve.

Përmbledhtas, tek dijetarët e mëdhenj të hadithit, të gjitha hadithet që flasin për vlerën e gjallërimit të natës së mesit të Shabanit dhe agjërimin e ditës së saj, janë të pasakta (jo-autentike). Për këtë ata e refuzuan (urryen) faljen e namazit të natës gjatë saj dhe veçimin e ditës së saj me agjërim, dhe për këtë thanë: kjo është bidat. Një grup njerëzish prej robërve (adhuruesve/njerëzve të mirë) e madhëruan këtë natë duke u bazuar në këto hadithe të dobëta, të cilat pastaj u afirmuan/njohën aq shumë prej tyre, sa që njerëzit i pasuan duke pasur mendim të mirë për ta. Madje, disa prej tyre shkuan aq larg në ekstremizmin e tyre duke e madhëruar natën e mesit të Shabanit, sa që thanë ajo është nata në të cilën ka zbrit Kurani, dhe është nata në të cilën ndahet (vendoset për) çdo punë të urtë. Me këtë natë i komentuan

Fjalët e Allahut:

“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë” (Ed Duhan: 4-5).

Ky është gabim i qartë dhe shtrembërim i (fjalëve të) Kuranit nga vendi (kuptimi) i tij. Qëllimi me natën e bekuar është nata e Kadrit, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit” (El Kadr: 1),

kurse nata e Kadrit është në muajin e Ramazanit. Këtë e vërtetojnë shumë hadithe të transmetuar rreth saj, po edhe Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El Bekare: 185).

1 Varrezat e banorëve të Medinës.

Me Allahun vjen suksesi. Salatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Fetuaja me numër: 884 . Vëllimi nr. 3, faqe nr. 62- 63).
Anëtarët e komisionit:
Kryetar: AbdulAziz bin Abdilah bin Baz.
Zëvendëskryetar: AbduRrezak Afifi.
Anëtar: Abdullah Gudejan.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva