Këshilla të dobishme 57

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Xheneti është shtëpia që i përfshin të gjitha kënaqësitë, dhe kënaqësia më e madhe në të është shikimi në Fytyrën e Allahut.” Mexhmu’u El-Fetaua, 10/63.

 

  • Es-San’anij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përgjithësisht, sprovat (kundërshtitë) mes robërve të Allahut, fillojnë vetëm për shkak të interesave të kësaj bote.” Mes’eletu Raf’i El-Iltibas, 79)

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriu e bën shprehi përmendjen e Allahut, duke thënë: subhanAllah, elhamdulil-lah etj., atëherë kjo bëhet shkak që atij t’i largohen vështirësitë dhe t’i lehtësohen punët.” Et-Ta’lik ala El-Uabil Es-Sajjib, 20.

 

  • Imam Katadeh (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasuesit e së kotës kanë teka të ndryshme, dëshmi të ndryshme dhe vepra të ndryshme, mirëpo që të gjithë janë të bashkuar rreth armiqësisë ndaj pasuesve të së vërtetës.” Tefsir El-Begauij, 8/81.

 

  • Imam ibn AbdulBerr (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk di të ketë mospajtime mes dijetarë, se ai që shkon herët në xhami dhe e pret namazin, edhe nëse nuk falet në safin e parë, është më i mirë sesa ai që vonohet dhe falet në safin e parë. Pikërisht kjo e sqaron vlerën e safit të parë (që përmendet në hadithe) dhe se ajo është përmendur me qëllim që të shkohet sa më herët në xhami.” Fet’hu El-Barij, ibn Rexheb.

 

  • Sheddad ibn Eus (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) më porositi që to mos e takoj Allahun si beqar.” Mussanef ibn Ebi Shejbe, 3/270.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ta përqeshësh vëllain tënd besimtar për shkak të mëkatit që ka bërë, është mëkat më i madh e më i rëndë sesa mëkati i tij.” Medarixh Es-Salikin, 1/177.

 

  • Jahja ibn Mu’adhi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çuditem me njeriun që i bën veprat për sy të njerëzve, kurse ata janë krijesa sikur ai! Çuditem me njeriun që i mbetet pasuri, kurse Zoti e thërret të shpenzojë për hir të Tij! Çuditem me njeriun që është i përkushtuar të shoqërohet me krijesa, kurse Allahu e thërret drejt dashurisë së Tij!” Pastaj e lexoi ajetin:Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” Junus, 25.

 

  • Disa nga brezat e parë të muslimanëve thanë: “S’ka zbritur nga qielli diçka më e rrallë se suksesi dhe s’është ngjitur drejt tij diçka më e rrallë se sinqeriteti.” Et-Tahbir Sherh Et-Tahrir, 62.

 

  • Muhamed ibn Uasi’ (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mëkati pas mëkatit e vdes zemrën.” El-Ukubat, ibn Ebi Ed-Dunja, 70.

 

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasimi i tekave në çështjet e fesë është më i rëndë sesa pasimi i tekave në shfryrjen e epsheve.” Mexhmu’u El-Fetaua, 28/132.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij!” (Al-Imran, 102) Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “T’i frikësohesh Allahut ashtu si i takon Atij do të thotë: t’i bindesh e të mos i bësh mëkat, ta përmendsh e të mos e harrosh dhe ta falënderosh e të mos ia mohosh të mirat.” Ez-Zuhd, ibn Mubarak, 22.

 

  • Imam ibn AbdulBerr (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari i mençur nuk duhet të nënçmojë asnjë vepër të mirë, sepse ndodh që t’i falen mëkatet për shkak të veprës më të vogël.” Et-Temhid, 12/22.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse Allahu ia fali mëkatet asaj që i dha ujë qenit, të cilin e kishte kapluar etja e madhe, atëherë çfarë mendon për atë që u jep ujë të eturve muslimanë, që i ngop të uriturit prej tyre dhe u jep rroba për të mbuluar trupat?!” Uddetu Es-Sabirin, 396.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “E vërteta nuk njihet me mendje, apo me zakone, apo me tradita, apo me opinione të njerëzve, por njihet vetëm me anë të shpalljes.” Sherh hadith “Inna kunna fi xhahilijjetin ue sherr”, 15.

 

  • Ibn Hibbani (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nuk e kam parë dikë të tregohet mendjemadh ndaj atij që është nën të, veçse Allahu e ka sprovuar me përulje ndaj atij që është mbi të.” Raudatu El-Ukala, 93.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, Allahu i Lartësuar e sprovon robin me atë që ia jep. Andaj, kush është i kënaqur me atë që Allahu i Madhërishëm ia ka caktuar, Ai i jep bereqet në të dhe ia shton. Ndërsa, kush nuk është i kënaqur, nuk i jep bereqet në të.” Es-Sahiha, 4/215.

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kthehu dhe kontrolloje veten, sepse ndoshta ke ndonjë mëkat, i cili bëhet shkak për vonimin e përgjigjes së Allahut.” Mexhmu’u El-Fetaua, 5/304.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu i cili nuk e ulë shikimin nga femrat, patjetër se do të bie në sprova të rënda, sepse shikimi në haram është shigjetë e helmuar e djallit, Allahu na ruajt! Nëse njeriu, sa herë që kalon pranë tij një femër e bukur, e shikon atë, atëherë patjetër se do t’i lodhet zemra, do t’i pakësohet besimi dhe do të bie në gjëra prej të cilave s’ka mundësi të shpëtojë në të ardhmen.” Mexhmu’u El-Fetaua, 19/237.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Të gjitha sëmundjet e zemrës mblidhen tek sëmundjet e dyshimeve dhe sëmundjet e epsheve; dhe Kurani është ilaç për të dyja llojet.” Igathetu El-Lehfan, 1/7.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj, ikni drejt Allahut!” (Edh-Dharijjat, 50). Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu e quajti kthimin tek Ai “ikje”, sepse në kthimin tek të tjerët ka lloje të ndryshme të frikës e të gjërave që urrehen, ndërsa në ikjen drejt Tij ka lloje të dashurisë dhe sigurisë.” Tefsir Es-Si’dij.

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu e ka nderuar dhe e ka bërë krenar ummetin islam me këtë fe. E nëse ummeti islam ia kthen shpinën fesë, do të bëhet i pavlerë dhe nuk do të ketë krenari, fuqi e lumturi.” Mexhmu’u El-Fetaua, 2/300.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në harrimin e përmendjes së Allahut ka dështim dhe shkatërrim në të dyja botët.” Zad El-Me’ad, 1/409.

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos thuaj “unë jam ende i ri dhe do të pendohem më vonë!” Sa e sa të riun e ka rrëmbyer vdekja para se të plakej! Pra, vdekja vjen papritmas. Vepra e mirë të sjell dobi në këtë botë dhe në tjetrën. Nëse jeton njëmijë vjet duke qenë në bindje ndaj Allahut, atëherë ti je në mirësi. Mos u mashtro me rininë, fuqinë e pasurinë! Ki kujdes dhe përgatitu për takimin me Zotin, edhe nëse je i ri, i pjekur apo plak, dhe ki kujdes nga shkaqet që të shkatërrojnë! Lute Zotin të të japë sukses e ndihmë, sepse Ai, i Madhërishmi, është që udhëzon e jep sukses! Andaj, përgjëroju Atij që të të udhëzojë, të të forcojë në fe dhe të të ndihmojë ta përmendësh, ta falënderosh dhe ta adhurosh ashtu siç është më së miri!” Mexhmu’u El-Fetaua, 24/304.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sinqeriteti ndaj Allahut është themeli i fesë dhe shpirti i teuhidit dhe i adhurimit. Sinqeritet do të thotë kur njeriu me veprat e tij ka synim Fytyrën e Allahut dhe shpërblimin e mirësinë e Tij.” El-Kaul Es-Sedid, 147)

 

  • Çfarë na mëson jeta?

Nëse pyetesh: “Çfarë ke mësuar nga jeta deri më tani?” Përgjigju:

“Kam mësuar se çfarë të japësh do të të kthehet.”

“Kam mësuar se ai që i është bërë padrejtësi, patjetër do të ndihmohet, qoftë edhe pas një kohe.”

“Kam mësuar se lutja e natës kurrë nuk e huq cakun.”

“Kam mësuar se jeta mund të përfundojë në çdo moment gjersa jemi në shkujdesje.”

“Kam mësuar se fjala e ëmbël dhe buzëqeshja janë kapitali i moralit të mirë.”

“Kam mësuar se njeriu më i pasur në botë është ai që e ka shëndetin dhe sigurinë.”

“Kam mësuar se ai që mbjell hudhër, nuk mund të vjelë borzilok.”

“Kam mësuar se jeta përfundon, ndërsa angazhimet jo.”

“Kam mësuar se ai i cili dëshiron që njerëzit të dëgjojnë prej tij, së pari duhet t’i dëgjojë ata.”

“Kam mësuar se udhëtimi me njerëz është metoda më e mirë që nxjerr në shesh atë që ata mbajnë brenda.”

“Kam mësuar se ai që filozofon shumë dhe thotë: “Unë, unë” është i zbrazët nga brenda.”

“Kam mësuar se ai që brendësinë e ka ari, mbetet i tillë, ndërsa ai që brendësinë e ka hekur, ndryshon dhe ndryshket.”

“Kam mësuar se të gjithë ata që janë varrosur kishin angazhime e termine dhe gjëra që do t’i bënin, mirëpo nuk arritën t’i realizojnë.”

 

  • Imam ibn El-Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) në veprën e tij “Telbis Iblis” shkruan: “Dije se mashtrimi i parë që Iblisi ua bën njerëzve është pengimi i tyre nga nxënia e dijes fetare, sepse dija është dritë. E, kur t’ua fik dritat, i humb në errësira ashtu si të dojë.” (al-badr.net)

 

  • Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej që e kam marr vesh se përgojimi është haram, kurrë nuk e kam përgojuar askënd.” Hyrja e librit Fet’hul-Barii, 1/480.

 

  • Tavus ibn Kejsani (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Vërtet, moralet janë dhurata të Allahut të Madhërishëm që ua jep kujt të dojë prej robërve të Vet. Andaj, kur Allahu ia do të mirën njeriut, i jep moral të mirë.” Mekarimul-Ahlak i bin Ebi Ed-Dunja, 32.

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Vërtet që Allah ka ndarë mes jush moralet tuaja, ashtu siç ka ndarë mes jush riskun.” Buhariu në “Edebul-Mufred, 275.

 

  • Nga Umer ibn AbdulAziz (Allahu e mëshiroftë) përcillet të ketë thënë: “Kush vepron pa dije, më shumë prishë sesa që ndreq.” (Ez-Zuhd, i imam Ahmedit, 1/301). Të vërtetën e ka thënë (Allahu e mëshiroftë). A janë përhapur bidatet, tekat dhe devijimet në mesin e njerëzve, veçse për shkak të angazhimit të shumicës së tyre me adhurime për të cilat nuk kanë dije e udhëzim fetar?!” Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë).

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit