Kujdesi ndaj vajzave dhe motrave

 ۞Kujdesi ndaj vajzave dhe motrave۞

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

Kush i ka tri vajza apo tri motra dhe sillet mirë e kujdeset për to, veçse do të hyjë në xhenet.”

kujdeset për to” – kujdeset me çdo gjë të mundshme që e ka obligim të kujdeset, si: kulmi mbi kokë, ushqimi, pirja, veshmbathja, trajtimet mjeksore etj.

Disa dijetarë kanë thënë se qëllimi nuk është vetëm për vajza, por edhe për motra, edhe për teze, edhe për halla.

Ai kujdeset për motrat? I vdes babai dhe vëllai merr përgjegjësinë për shpenzimin dhe për kujdesin ndaj tyre, apo babanë e kanë të gjallë mirëpo nuk ka mundësi financiare apo fizike të kujdeset.

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“A do të të tregoj për lëmoshën më madhështore apo njërën prej lëmoshave më madhështore? Kujdesu për vajzën e cila kthehet tek ti, për të cilën nuk ka kush të kujdeset e shpenzon përveç teje.” Buhariu.

-Vajza e kthyer te babai për shkak se i vdes burri apo ndahet nga burri.

-Vajza kur kthehet te babai ka nevojë për kujdes shtesë, sepse është e thyer shpirtërisht dhe e pikëlluar, e disa baballarë të cilët kanë karakter të vrazhdë në vend që të sillen butë e t’ia pakësojnë dhimbjen asaj, ata ia shtojnë ende më shumë (e përbuzin, e nënçmojnë, e qortojnë, e tallin etj.). Ajo me këtë kthim prapë është bërë përgjegjësi e babait, është ende vajza e tij, andaj e ka obligim fetar të kujdeset për të. E nëse kujdeset (përfshihet në hadithet që flasin se) kjo është shkak të hyjë në xhenet e të shpëtojë nga zjarri.

-patjetër duhet kujdes ndaj vajzës së kthyer.

 

Dhe ka thënë:

“Ushqimi me të cilin e ushqen fëmijën tënd, kjo është lëmoshë (për ty).” Buhariu.

-Është lëmoshë atëherë kur shpreson në shpërblim tek Allahu, e nëse jo, atëherë është vetëm kryerje e obligimit (nuk e arrin vlerën e atyre që japin lëmoshë).

-Çdo gjë që shpenzon për familjen tënde dhe shpreson shpërblim tek Allahu, kjo të shkruhet lëmoshë tek Ai.

 

-Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Mos i urreni vajzat, sepse ato janë të shtrenjta (çmuara) dhe tek to gjen prehje.”

-Lindjen e vajzave jo që nuk duhet ta urresh, por duhet të gëzohesh dhe ta konsiderosh hajr, bereqet e bekim. E më shumë se kaq, kur edhe e ke frikë Allahun ndaj tyre, kujdesesh për to dhe i edukon ato siç duhet, kjo është portë prej portave të xhenetit dhe mburojë prej zjarrit.

-Nëse Allahu fillimisht të jep vajza kjo është shenjë e mirë, përgëzim për mbarësi, mirësi e bereqet.

-Nëse e edukon e kujdeset për të derisa të martohet atëherë ajo do të jetë një nënë e devotshme e cila i edukon pastaj edhe fëmijët e saj siç duhet, pastaj çdo vepër e mirë i kthehet atij prindi.

-Urrejtja dhe ndjesia e keqe kur lind vajzë nuk ka të bëjë me Islamin, me burrërinë, por është vepër e injorancës. Një ngjarje që i ka ndodhur Ibrahim et Et’hemit: Ka ardhur një person dhe i është ankuar se ka shumë fëmijë dhe se nuk po mundet të kujdeset për ta. Ai i ka thënë: “M’i sill ata që nuk e kanë rrzikun tek Allahu dhe unë kujdesem për ta.”

-Madje, nëse lind vajzë, pikërisht nga ai moment të është hapur një derë e madhe e rrizkut. E një prej dyerve më të mëdha të rrizkut është kur vajza do të jetë e kujdesshme me ty në të ardhmen e bamirëse ndaj teje. Shumë prindër ndihen keq kur u lindin vajza, mirëpo kur arrijnë moshën e pleqërisë shohin se fëmija që kujdesen më së miri për ta janë vajzat (në natyrën e tyre kanë dhembshurinë, butësinë, mëshirën). Njeriu nuk e di se ku është hajri.

-Kur të lind vajzë duhet të pajtohesh, të jesh i kënaqur me Allahun, ta falënderosh Atë dhe madje të gëzohesh dhe ta lutësh të të ndihmojë të kujdesesh për të e ta edukosh siç është më së miri.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit