Largimi nga bartja e fjalëve

 

– Largimi nga bartja e fjalëve.
Ajo është (النَّمِيْمَة – en nemiimeh) bartja e fjalëve mes njerëzve në mënyrë që të bëjë përçarje, ndasi, prishje të raporteve dhe lidhjeve mes tyre. Ajo është prej mëkateve të mëdha. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk hyn në xhenet bartësi i fjalëve (نَمَّام – nemmeem).” Buhariu dhe Muslimi. Kjo gjë është aq mëkat i madh saqë e mohon hyrjen në xhenet. Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një ditë ka kaluar pranë dy varreve dhe ka thënë: “Vërtetë këta janë duke u ndëshkuar, porse jo për ndonjë gjë të madhe.” Qëllimi me “jo për ndonjë gjë të madhe” është: nuk ka qenë ndonjë gjë e madhe tek ta, nuk ka qenë diçka e vështirë për ta bërë, por e kanë vepruar lehtësisht sa kanë qenë të gjallë; mirëpo janë duke u ndëshkuar në varr për këto dy vepra. “Njëri nuk është ruajtur prej urinës,[4] kurse tjetri ka bartur fjalë (ka bërë nemime) ndërmjet njerëzve.” Buhariu dhe Muslimi. Bartësi i fjalëve bën shkatërrim (përçarje e ndasi) në tokë, për vetveten e tij dhe për shoqërinë. Po ashtu, bartja e fjalëve mbjellë urrejtje mes muslimanëve. Allahu thotë: “mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme (بِنَمِيمٍ – bart fjalë)” Kalem 10-11. Ai që vjen tek ti për të bartur fjalë për dikë, dije se të njëjtën gjë do ta bëjë për ty tek tjetri. Andaj duhet pasur kujdes nga ai duke mos pranuar që të të sjellë fjalë për të tjerët, Allahu tha në këtë ajet “mos iu bind”, kur ai fillon të bartë fjalë tek ti për të tjerët mos lejo që ta bëjë këtë.[5]
______
[4] Këtu përfshihet: Mos mbulimi i avretit gjatë urinimit, rënia e urinës në rroba (veshja menjëherë pas urinës pa u pastruar dhe rrobat janë prekur me urinë), mos pastrimi prej urinës, moskujdesi në përfundimin e urinimit (çohet pa e përfunduar) dhe gjendja kur personi ka kryer urinimin e pastaj i del diçka prej urinës kur është duke marrë abdes dhe nuk kthehet ta pastrojë e të fillojë rishtas abdesin. Dersi “Shkaqet e dënimit në varr”.
[5] Raporti ynë ndaj të tillëve: Të mos i besohet, sepse bartësi i fjalëve është fasik (mëkatar i shthurur), dhe si i tillë nuk i pranohet dëshmia. Duhet ta ndalojmë prej kësaj vepre të shëmtuar, duke e këshilluar dhe ia përkujtuar ajetet në të cilat Allahu flet kundër bartjes së fjalëve, si dhe hadithet; pra duke i treguar rrezikun e kësaj. Duhet të urrehet për hir të Allahut, sepse ai është një person të cilin Allahu e urren. Nuk lejohet të mendohet keq për vëllain tënd (për të cilin të ka bartur tjetri fjalë). Bartja e fjalëve për dikë tjetër, le të mos jetë shkak që të hulumtohet për vërtetimin e atyre gjërave (që të janë bartur). Të mos e pranosh për vetën tënde atë prej të cilës e ndalove bartësin e fjalëve, pra të mos ua tregosh të tjerëve atë që e ke dëgjuar prej tij, ngase kështu edhe ti bëhesh bartës i fjalëve (nemmam). Nëse dikush pyet: “Po nëse është e kundërta, të shkojë personi te një person tjetër e të flasë mirë për dikë tek ai për të futur dashuri mes tyre?” Për këtë in shaa Allah ka shpërblim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vepra më e mirë është ta gëzosh vëllain tënd musliman”, me çfarëdo forme që e bën. Nëse kjo është një formë që personi e ka zgjedhur për ta gëzuar vëllain e tij, duke thënë: “Filani apo të tjerët po flasin mirë për ty!”, atëherë ka shpërblim për këtë. Po ashtu, nëse dikush ka dëgjuar fjalë të këqija për dikë dhe ka bindje të keqe për të, dhe ti shkon i flet mirë për të apo i thua “të ka bërë selam”, për t’ia ndërruar atë bindje të keqe, kjo është gjë e mirë. Në këtë rast lejohet edhe gënjeshtra, nëse është fjala për t’i pajtuar, edhe nëse nuk i ka çuar selam në të vërtetë, mund t’i thotë “të ka bërë selam”, në mënyrë që ai ta përmirësojë mendimin për të.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit