Largimi nga përgojimi

 

– Largimi nga përgojimi.
Përgojimi (الغِيْبَة– el giibeh) është përmendja për dikë e diçkaje kur ai nuk është prezent, që nuk i pëlqen t’ia përmendin, qoftë nëse ajo gjë ka të bëjë me anën e jashtme të tij, si: (të thotë se) është çalaman, apo i verbër, apo ndonjë e metë tjetër fizike, qoftë nëse ka të bëjë me moralin e tij, si: ai është mendjelehtë, mëkatar etj., pavarësisht nëse i ka këto gjëra apo nuk i ka[2]. Është fjala t’ia përmendë në aspektin e nënçmimit, për të treguar të metat e tij, për ta nënçmuar apo përqeshur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur është pyetur për përgojimin (gibetin) ka thënë: “Ai është përmendja e vëllait tënd me diçka që ai e urren (nuk e pëlqen t’ia përmendë).” – “E nëse e ka atë të metë?” Ka thënë: “Nëse e ka atë të metë, ky është përgojim. E nëse nuk e ka, ke shpifur për të.” Muslimi dhe të tjerë. Allahu ka ndaluar prej përgojimit në Kuran, madje nuk ka formë më të shëmtuar të përshkrimit të përgojimit për shpirtin e njeriut sesa forma me të cilën e ka përshkruar Allahu në Kuran, i Cili ka thënë se përgojimi është sikur ngrënia e mishit të vëllait tënd të vdekur: “…mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë!” Huxhurat 12. A ka gjë më të urryer për njeriun sesa të hajë mishin e njeriut të vdekur?! Kështu është përgojimi. Na është përcjellë për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “(Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem) Në natën e Miraxhit[3] ka kaluar afër disa njerëzve me thonj prej bakri, të cilët i gërvishtnin gjokset dhe fytyrat e tyre. E ka pyetur Xhibrilin: “Kush janë këta, o Xhibril?” I ka thënë: “Janë ata të cilët e hanë mishin e njerëzve (i përgojojnë) dhe flasin për nderin e të tjerëve.” Ebu Daudi.

[2] Vlen e njëjta nëse kjo bëhet me shkrim.
[3] Natën në të cilën Allahu e ka ngritur në qiell Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit