Mëkatimi ndaj Allahut

Mëkatimi ndaj Allahut

Në çdo lëvizje, ose vepron në raport me atë që ka urdhëruar Allahu ose jo. E gjynahet mund të jenë të shumta që bëhen gjatë ditës. Allahu thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” Shura 30.  Dijetarët kanë thënë se ky është ajeti më shpresëdhënës. Allahu i ka ndarë mëkatet e njerëzve në dy pjesë: ato për të cilat na sprovon me sprova të ndryshme e me to na shlyen mëkatet dhe ato të cilat i fal Allahu.

Për mëkatet e mëdha patjetër duhet pendim. Një pjesë e muslimanëve do të dënohen në ahiret me xhehenem e pastaj do të ndërmjetësojnë Pejgamberët, besimtarët e mirë, engjëjt etj., e pastaj Allahu i nxjerr prej xhehenemit ata që kanë mbetur prej besimtarëve dhe i fut në xhenet. Një pjese të muslimanëve Allahu nuk ua fal gjynahet të cilët kanë vdekur pa u penduar (prej mëkateve të mëdha). Ata do të jenë nën dëshirën e Allahut, nëse do Ai i fal e nëse do i dënon. Mirëpo, një pjesë e muslimanëve patjetër se do të dënohen.

Hadith kudsij: “Nëse vjen tek Unë pa më bërë shirk, do t’i fali mëkatet edhe nëse janë deri te qielli” d.m.th.: nëse njeriu është penduar prej tyre, ose Allahu ia fal pa e dënuar, ose e pastron prej tyre përmes zjarrit të xhehenemit.

Mëkatet bëhen haptazi ose fshehtazi. Nëse mëkati bëhet haptazi mund të jetë më i madh, sidomos nëse personi e shfaq qëllimisht që ta shohin të tjerët. Mirëpo, edhe për të ka pendim, ndonëse ka ardhur hadith kërcënues “Allahu i fal të gjithë mëkatarët përveç atyre që i publikojnë mëkatet”, pastaj ka sqaruar se e bën mëkatin natën e kur vjen dita u tregon njerëzve. Hadithi është kërcënues për të treguar se edhe kjo është  mëkat i madh. Nëse e kanë parë të tjerët atëherë është mirë që përveç pendimit t’iu tregojë se e ka lënë atë (p.sh. pirja e duhanit, postimi i diçkaje që është mëkat etj.). Allahu thotë: ” Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.” Bekare 160. Ua sqarojnë se ajo që kishin vepruar ka qenë mëkat. Dikush mund të marrë mësim për të keq nga tjetri dhe sa herë që e vepron atë gjë, atëherë atij i shkon mëkati. Selefi ka thënë: “I lumtur është ai i cili kur vdes, bashkë me të vdesin edhe gjynahet e tij.” Ka gjynahe që rrjedhin edhe pas vdekjes. Sidomos duhet bërë kujdes në rrjetet sociale se çfarë poston, sepse ajo mund të mbetet për kohë të gjatë aty dhe të tjerët të bëjnë mëkate përmes asaj që ka plasuar (qoftë video, shkrim etj.). Andaj patjetër duhet sqaruar se ajo gjë ka qenë mëkat dhe kushdo që e ka mësuar prej meje e këshilloj të heqë dorë (në mënyrë që të pastrohet tek Allahu).

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpeshtojeni kujtimin e asaj që ua shkatërron kënaqësitë (epshet), ajo është vdekja.” Nuk ka thënë kujtojeni një herë në muaj apo një herë në javë, mirëpo shumë shpesh, çdo ditë, disa herë brenda ditës, ngase kjo është shkak për frenimin ndaj mëkateve. Selefi ka thënë: “Nëse prej zemrës sime largohet kujtimi i vdekjes, atëherë (kam frikë se) ajo menjëherë do të shkatërrohet.” Asaj zemre që është e shkujdesur e që nuk e kujton botën tjetër dhe vdekjen, shumë lehtë i vjen shejtani e i bën cytje duke e nxitur për mëkate, e ka më lehtë ta triumfojë. Një prej shkaqeve që ta kujton botën tjetër dhe vdekjen është vizita e varrezave.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit