Pasojat e shikimit në ndalesa

Pasojat e shikimit në ndalesa:

-Sëmudja e zemrës. Sa herë që njeriu shikon në gjëra të ndaluara i sëmuret zemra. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do t’iu shfaqen fitnet zemrave të besimtarëve, dhe do të jenë aq të shumta sikurse hasra (shtrojë me thupra/fije të shumta).” Kjo tregon se fitnet, pas vdekjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem- e sidomos do të shtohen sa më afër Kiametit-, do të jenë të shumta sikurse thuprat e hasrës. Ky është qëllimi i këtij shembulli. Kuptimi tjetër është se kur fle në hasër, thuprat lënë gjurmë/shenja në trup (lëkurë). Qëllimi tjetër i marrjes së këtij shembulli është se këto fitne lënë ndikim e gjurmë në zemër. Dhe thotë: “Kur zemra i ekspozohet një fitneje dhe e pranon, i bëhet një pikë e zezë në zemër. Nëse pendohet dhe kërkon falje tek Allahu, i hiqet ajo pikë e zezë dhe i zbardhet zemra. E nëse vazhdon t’i pranojë ato, i bëhen pika të tjera të zeza në zemër, derisa të bëhet sikurse një kupë (gotë) e zezë përmbysë“, i nxihet dhe nuk e pranon më të vërtetën, nuk e di se çfarë është e mirë e çfarë e keqe, nuk e di se cila është e vërteta dhe e kota, se çka është sunet e çka bidat, i rrotullohen peshoret e sakta ngase zemra i është nxirë prej mëkateve; gota kur është përmbys nuk pranon ujë, ashtu dhe zemra në këtë gjendje nuk pranon më prej udhëzimit. Si i ekspozohen fitnet kur zemra është brenda në trup? Dijetarët kanë thënë se i ekspozohen përmes shikimit dhe dëgjimit. Ajo që sheh dhe dëgjon reflekton në zemër. Përmes shikimit fitnet  depërtojnë në zemër dhe bëhen pikat e zeza në të. Pra pasoja më e rëndë e shikimit në harame është sëmurja e zemrës dhe pas një kohe ngurtësimi i saj.

-Shikimi në haram është sikur pirja e ujit të detit nga i eturi. Sa më shumë që pi aq më shumë i shtohet etja. Edhe shikimi në haram, sa më shumë që sheh i shtohet dëshira për këtë. Nëse nuk ndërpritet kjo gjendje atëherë ka pasoja të mëdha.

-Shikimi në haram është shigjetë prej shigjetave të shejtanit të cilat janë të helmuara, sepse siç dihet qëllimi i tij është helmimi i zemrës së besimtarit dhe sëmundja e saj.

-Mëkatet humbasin ëmbëlsinë e adhurimit te vepruesi i tyre. Ibn Kajim ka thënë: “Nëse nuk do të kishte pasojë tjetër nga mëkatet përveç kësaj, do të mjaftonte për besimtarin që të ruhet të mos bie në mëkate.” Mëkati është shkak për mosshijimin e ëmbëlsisë së adhurimeve që bën.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit