Metodat përmes të cilave duhet të ballafaqohemi me gurbetin në çdo kohë
∞Durimi.
∞Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, thirrja.
∞ Izolimi sipas kritereve fetare.
─∞─ Durimi. Kjo është metoda më e rëndësishme, kryesorja, për të larguar gurbetin prej nesh. Besimtari, kur i përmbahet fesë së vërtetë, sunetit të Pejgamberit, atëherë do të jetë i huaj në mesin e njerëzve dhe do të ballafaqohet me lloje të ndryshme të belave e sprovave. Këto sprova janë rezultat e gjurmë të kapjes ose të qëndrueshmërisë në të vërtetën (kapjes pas sunetit). Dhe patjetër duhet të ndodhin ato, në mënyrë që të dallohet i vërteti nga gënjeshtari. Allahu thotë: Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” Ankebut 2-3.
Besimtarit, kur t’i vijnë sprovat, është mes dy gjendjeve:
-Zmbrapset dhe heq dorë pas sunetit (për shkak të sprovave), “Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim…” pra, zmbrapsen prej fesë siç kanë shpjeguar komentuesit e Kuranit, “…e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë“. Haxh 11.Personi që zmbrapset/tërhiqet thotë: “Sikur të kishte të mira kapja pas fesë e sunetit, nuk do të ishte bërë shkak që unë të pushohem nga puna, apo të dështoj në biznes, apo të burgosem!”
-Tregohet i duruar, këmbëngulës, i qëndrueshëm, sado që sprovat janë të mëdha apo që zgjasin. Allahu thotë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” Ali Imran 200. Nëse tregohet i këtillë në kapjen pas sunetit atëherë Allahu do t’ia lartësojë pozitën e tij në të dy botët, do t’ia shlyejë mëkatet dhe do të ketë shpërblime në botën tjetër.
Mënyrat se si sprovohet njeriu:
-Në veten e tij. Besimtari i kapur për fenë e Allahut mund të jetë i ekspozuar ndaj ofendimeve, lëndimeve e fyerjeve dhe t’i ngushtohet jeta prej ithtarëve të së kotës. Kur ndodh kjo nuk gjen dikë që ta mbrojë apo t’ia largojë vështirësinë, andaj tregohet i durueshëm.
-Në familja e tij (gruan e fëmijët) për shkak të tij, dhe nuk ka mundësi t’ua largojë ato, mirëpo tregohet i durueshëm.
-Në gjendjen e tij, kur të mirat e dunjas i posedojnë ithtarët e së kotës ndërkohë që ai është i injoruar, me gjendje të vështirë.
-Me vonim të ndihmës, duke mos ardhur triumfi për besimtarët edhe pse ballafaqohen me vështirësi të shumta. Besimtari sa më shumë që kapet për feje dhe tregohet i durueshëm ndaj obligimeve fetare dhe largohet prej ndalesave, atëherë i shtohen sprovat deri kur të vjen ndihma e Allahut. Ibn Kajjim ka thënë për durimin: “Kuptimi i durimit është ndalja e vetes prej zemërimit e hidhërimit ndaj sprovave, ndalja e gjuhës nga ankimi dhe ndalja e gjymtyrëve nga veprimi që tregon se personi është i zemëruar për sprovën që e ka goditur.” Dhe: “Durimi është tri lloje: durimi në kryerjen e adhurimeve, durimi në largimin prej ndalesave dhe durimi ndaj sprovave.” Mesarixhus Salikin. Prej të huajve kërkohet të kenë këto tri lloje të durimit. Sa më shumë që shtohet gurbeti i fesë në një kohë apo vend të caktuar, aq më shumë do të jetë nevoja për durim, mirëpo njëkohësisht shtohen edhe shpërblimet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pas jush do të vijnë ditët e durimit. Durimi në atë kohë është sikur kapja e gacës së zjarrit, ai që vepron në ato ditë (zbaton fenë) do të ketë shpërblimin e 50 burrave që veprojnë (të njëjtën vepër) sikurse ai.”
-Nganjëherë ndodh ta joshin me pasuri, me pozitë, në mënyrë që ta largojnë prej fesë dhe zbatimit të saj.
-I vendosin emra, akuza, nofka, etiketime, (i prapambetur, ekstremist etj.). Durimi dhe qëndrueshmëria në ballafaqimin me sprovat është metoda më e rëndësishme në përballjen me gurbetin (në fe).
─∞─ Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Edhe pse je i huaj duhet ta veprosh këtë, me urtësi, me këshilla të mira dhe me diskutim në mënyrën e mirë, sipas mundësisë që ke dhe duke iu përmbajtur rregullave e kritereve të fesë. Kur e mira forcohet dhe e keqja dobësohet atëherë triumfojnë të mirët dhe Islami, ndërsa në të kundërtën, atëherë shtohet gurbeti i besimtarëve të mirë. Andaj patjetër duhet të urdhërojmë për të mirë dhe të ndalojmë nga e keqja dhe të qëndrojmë të fortë në këtë gjë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, ose do të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja ose Allahu do t’iu dërgojë dënim, për të cilin do ta luteni t’jua largojë, por nuk do t’iu përgjigjet lutjeve tua.” Ibn Kajjim ka thënë: “Iblisi i ka mashtruar shumë prej njerëzve duke ua bërë të bukur kryerjen e disa lloje të adhurimeve (si parësore), mirëpo në llogari të fesë së tyre, ata e kanë bërë këtë por kanë braktisur urdhërimin për të mirë dhe ndalimin e keqja. Çfarë mirësie është kur shohin duke u shkelur ndalesat para tyre, duke u braktisur feja e Allahut dhe duke mos u dëshiruar suneti i Pejgamberit, dhe megjithatë vazhdojnë të kenë zemër të ftohtë dhe gjuhë të heshtur?! Ky është shejtan memec. A nuk është sprovuar feja më shumë sesa prej këtyre të cilët vetë janë shëndoshë e mirë dhe nuk çajnë kokën se çfarë ndodhë me fenë e Allahut?!”
Kur njerëzit braktisin urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja atëherë Allahu do t’i dënojë e ndëshkojë dhe do të shtohet e keqja dhe të tjera pasoja.
─∞─ Izolimi. Nuk duhet të kuptojmë se i huaji patjetër duhet të izolohet e largohet prej njerëzve e t’i braktisë ata, mirëpo qëllimi është për disa njerëz të caktuar për të cilët është më parësore mos përzierja me njerëzit ngase kjo ua dëmton fenë apo dunjan, gjithashtu ky izolim është në kohë të veçantë, është kur të prishen njerëzit, kur ndodhin fitnet gjithëpërfshirëse etj.
Ka hadithe të cilat e lavdërojnë izolimin dhe ka hadithe të cilat e lavdërojnë përzierjen me njerëzit. Andaj patjetër duhet një harmonizim mes kësaj. Izolimi në arabisht d.m.th. largim me trup, ose me zemër, ose me të dyja bashkë. Hadithet të cilat flasin për përzierjen me njerëz kanë për qëllim përzierjen me trup, jo me zemër.
Nga hadithet që e lavdërojnë izolimin: “Sahabët e kanë pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “Kush është më i miri prej njerëzve?”, ka thënë: “Besimtari i cili lufton në rrugën e Allahut me veten e tij dhe pasurinë e tij.” -“Po pas tij?” Ka thënë: “Besimtari i cili largohet në një luginë (të caktuar), që ka frikë Allahun e ruhet prej gjynaheve dhe i lë rahat njerëzit prej të keqes së tij.” Buhariu dhe Muslimi. Hadithi tjetër: “…dhe besimtari i cili ka marr një kope të dhënëve në një luginë të malit, aty e fal namazin, e jep zekatin dhe e adhuron Zotin e tij derisa t’i vijë vdekja, ndërsa njerëzit shohin vetëm mirësi prej tij (janë rahat prej sherrit të tij).” Muslimi.
Ndërsa nga hadithet që lavdërojnë përzierjen: “Muslimani i cili përzihet me njerëz dhe tregohet i durueshëm ndaj ofendimeve të tyre është më i mirë sesa muslimani i cili nuk përzihet me ta dhe nuk tregohet i durueshëm ndaj ofendimeve të tyre.”
Harmonizimi mes këtyre dy grupeve të haditheve:
─Islami është fe e xhematit (bashkësisë). Në origjinë muslimani duhet të përzihet me njerëz, të jetojë me ta dhe të plotësojë të drejtat e tyre. Izolimi tërësisht ka rezultat moskryerjen e disa prej obligimeve ndaj njerëzve e detyrimeve etj. Janë disa raste të veçanta kur lejohet izolimi.
─Hadithet që e lavdërojnë izolimin mund të interpretohen në dy mënyra: Mënyra e parë: ato flasin për personin i cili nuk ka mundësi të luftojë në rrugën e Allahut, apo të thërrasë për të mirë e të ndalojë nga e keqja dhe nuk mund të përzihet me njerëz ngase dëmtohet ose i dëmton ata, ndikohet prej mëkateve, trazohet e nuk mund të bëjë jetë të mirë, ose është i dobët dhe nga përzierja me ta bie edhe ai në gjynahe, për këta ligjësohet izolimi, mirëpo pasi të pyesë njerëzit e dijes. Mënyra e dytë: Ky izolim është i veçantë vetëm gjatë kohëve të fitneve, për të cilat na ka njoftuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem se do të ndodhin në mesin e muslimanëve. Ndërsa në kohët e zakonshme në origjinë duhet të përzihet me njerëzit dhe të bëjë durim në ofendimet e fyerjet e tyre. Besimtari duhet të mundohet t’iu bëjë mirë njerëzve, qoftë nga aspekti fetar apo nga aspekti i dunjas.
─Izolimi pa e tepruar. Këtë lloj të izolimit e ka përmendur el Khatabi rahimehullah i cili ka thënë: “Kur flasim për izolimin si metodë të ligjshme nuk është për qëllim që personi të largohet tërësisht prej njerëzve dhe të braktisë xhematin, namazet me xhemat dhe të mos plotëspjë të drejtat që njerëzit kanë ndaj tij, apo të mos kryejë disa sunete, të preferuara apo zakone të mira (që nuk bien ndesh me fenë), mirëpo për qëllim është që të mos e teprojë përzierjen me njerëzit. Përzierjen e tepërt mundohu ta largosh, kjo llogaritet për ty si izolim i lavdëruar.” Ibn Haxheri rahimehullah gjithashtu ka thënë: “Këtë mendim ka pasur imam Neveviu, ndërsa të tjerët kanë thënë se izolimi dallon te njerëzit. Ai që e ka detyrë të prerë të përzihet me njerëzit është ai që ka forcë e fuqi i cili kur përzihet me ta ka mundësi të largojë/ndryshojë të keqen. Ai që nuk ka forcë e fuqi atëherë e braktisë përzierjen e tepërt.”
─Izolimi i pjesshëm. Kjo është kur besimtari vetmohet me veten e tij duke shtuar adhurimin ndaj Allahut, dijen, vete llogaritjen etj., me qëllim edukimin e vetes, disiplinimin e shpirtit. Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Merrni hisen e juaj prej izolimit”, izolimit nga ky kuptim. Mesruku rahimehullah ka thënë: “Besimtari e ka për detyrë të ketë disa ndeja (në vetmi) me vetën e tij, duke ia kujtuat vetes gjynahet dhe duke kërkuar falje.” Ebu Sulejman el Khatabi rahimehullah ka thënë: “Vetmia është një lloj detyre për atë që do shtimin e dijes (shfletimin, leximin e studimin e librave) apo për atë që do të nxjerrë urtësi prej teksteve.”
─Izolimi me zemër, por pa trup. Kur sheh se zemrat e njerëzve janë të lidhur me dunjan apo me bidate e teke, atëherë nuk përzihet me ta me zemër, edhe pse fizikisht është me ta me qëllim që t’i këshillojë e t’ua mësojë të vërtetën. Ai bën bashkë mes përzierjes dhe izolimit. Ibn Mesudi radijAllahu ka thënë: “Përzihuni me njerëzit por njëkohësisht qëndroni larg tyre.”
─Izolimi i përgjithshëm. Kjo kur ka fitne të shumta, gjithëpërfshirëse, në këtë rast është obligim izolimi në mënyrë që njeriu të ruajë fenë e tij.
Ligjëroi: Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.