Moslakmia ndaj dunjasë

Moslakmia ndaj dunjasë

Gjëja e cila më së shumti ndihmon në mosmashtrimin pas kësaj jete është kujtimi i vdekjes. Shumë prej njerëzve janë të pavëmendshëm dhe nuk përgatiten për vdekjen. Allahu shpeshherë e përmend atë dhe na kujton. Vdekja është stacioni i parë i botës së ardhshme. Me vdekjen fillon llogaridhënia dhe kënaqësia ose dënimi. Vdekja ndan këtë botë me botën tjetër. Ajo është kufiri ndarës mes veprimit dhe shpërblimit. Pas vdekjes më askush nuk mund të kthehet pas në jetën e dunjasë. Pas vdekjes më askush nuk ka mundësinë e veprimit të veprave të mira. Pas vdekjes më nuk ka pendim për mëkatet. Njeriu duhet t’ia kujtojë vetes çdo ditë vdekjen, në mënyrë që të marrë mësim dhe të këshillohet, si dhe që të përgatitet për të. Secili njeri do të vdesë, “Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” Nisa 78, “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai”. Xhuma 8.

 

Vdekja e ka një afat të caktuar. E kur plotësohet ky afat, ajo më nuk ka vonim e as shpejtim, “Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” Arad 34. Allaha ua ka përcaktuar si detyrë engjëjve për të marrë shpirtin e njeriut, “Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. Sexhde 11. Engjëlli i vdekjes ka për ndihmëtarë dhe engjëj të tjerë për të marrë shpirtrat, “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje…” Nisa 97.

Vdekja nuk bën dallim mes të madhit dhe të voglit, mashkullit dhe femrës, të sëmurit dhe të voglit etj. Askush prej nesh nuk e di se kur do të vdesë. Kjo është një gjë e fshehtë, që e di vetëm Allahu. Njeriu vdesë në bazë të afatit, siç e ka përcaktuar Allahu me dijen e Tij, “Çdo shpirt vdes vetëm me vendimin e Allahut, në kohë të caktuar.” Ali Imran 145.

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpeshtojeni kujtimin e vdekjes, e cila shkatërron kënaqësitë (epshet, pasionet).” Kujtimi i vdekjes nuk e lë njeriun të pasojë mëkatet. Nëse njeriu ia kujton vetes vdekjen, do të përmirësohet gjendja e tij dhe raporti i tij me Allahun, si dhe do të forcohet përgatitja e tij për takimin me Allahun. Selefi ka këshilluar: “Mos të të zë vdekja duke qenë i pavëmendshëm e i shkujdesur për të!” Kjo është kur nuk e kujton vdekjen, nuk përgatitet për të, lëshohet në mëkate e nuk pendohet, nuk  i shton veprat e mira, dhe kështu i vjen vdekja duke qenë në këtë gjendje.

 

Porse, do të vijë një kohë kur askush nuk do vdesë dhe njerëzit do të jetojnë përjetësisht. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit Allahu do të sjellë vdekjen në formën e një dashi të majmë dhe një thirrës (engjëll) do të thërras: “O banorë të xhenetit!” Ata ngritin kokat dhe shikojnë. “A e njihni këtë? -“Po, kjo është vdekja.” Pastaj thotë: “O banorë të zjarrit!” Ata ngritin kokat dhe shikojnë. “A e njihni këtë?” -“Po, kjo është vdekja.” Theret ky dash (vdekja) dhe thirrësi thotë: “O banorë të xhenetit, përjetësi pa vdekje! O banorë të zjarrit, përjetësi pa vdekje!” Pastaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem lexon fjalët e Allahut:Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” Merjem 39.

Përmes kujtimit të vdekjes, zemrat tona zgjohen nga shkujdesja dhe kthehen tek Allahu, “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” Ali Imran 185.

 

Ne jemi duke jetuar, me shëndet, në siguri, në bollëk, e pas një kohe do të ndahemi nga kjo jetë. Përderisa jemi në këtë jetë, në të cilën banorët e varreve do të dëshironin të ktheheshin për të vepruar vepra të mira, duhet të përgatitemi për jetën pas vdekjes dhe të veprojmë sa jemi ende duke jetuar.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Moslakmia ndaj dunjasë” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit