Namazi i vitrit

Namazi i vitrit

Prej namazit të natës është edhe vitri. Numri më i paktë i rekateve të këtij namazi është një, më i shumti është njëmbëdhjetë. Njeriu mund të falë qoftë dhe një rekat namaz vitër. Kështu ka thënë dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Ai që do ta falë vitrin një rekatësh, i lejohet ta bëjë këtë.” Nesaiu dhe të tjerë.

Nëse namazi i vitrit falet me tri rekate, lejohet që të falen me një selam të gjitha, pa shkëputje. Transmetohet nga Umer ibn Hatabit radijAllahu anhu se kur e ka falur vitrin me tri rekate, i ka falur të gjitha së bashku, ngjitur, dhe në fund ka dhënë selam. Porse lejohet edhe forma tjetër e faljes së vitrit me tri rekate: pas dy rekateve e bën teshehudin dhe jep selam, pastaj çohet për rekatin tjetër. Kjo është transmetuar prej Abdullah ibn Umerit radijAllahu anhu i cili e ka falur vitrin me tri rekate në këtë formë. Ai ka treguar se pas dy rekateve ka shkuar të kryejë ndonjë nevojë të tij që kishte, e pastaj e ka falur dhe një rekat vitër.

Lejohet falja e këtij namazi me pesë rekate. Sunet është falja e pesë rekateve ngjitur të gjitha duke i përfunduar me një teshehud dhe një selam. Për faljen e vitrit me pesë rekate transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që do të falë vitrin me pesë rekate, i lejohet ta bëjë këtë.” Nesaiu dhe Ebu Daudi. Ndërsa Aisha radijAllahu anha ka thënë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjatë natës ka falur trembëdhjetë rekate (tetë prej tyre kanë qenë nafile). Pesë prej tyre i ka falur vitër, ku në fund të tyre është ulur (në teshehud) dhe ka dhënë selam.” Mulsimi, Tirmidhiu dhe ibn Maxheh.

Lejohet falja e këtij namazi me shtatë rekate. Po ashtu lejohet të falen ngjitur. Kështu ka vepruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, siç thamë për pesë rekatet. Për këtë tregon Ummu Seleme radijAllahu: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e falte vitrin me shtatë rekate, ndonjëherë me pesë, pa i shkëputur me fjalë apo me selam (i ka falur ngjitur).”

Lejohet falja e vitrit me nëntë rekate. Është sunet falja e tyre në formë të ngjitur e tetë rekateve, pastaj bëhet teshehudi (pa dhënë selam) dhe çohet për rekatin e nëntë, pastaj bëhet teshehudi dhe jepet selam. Kështu përcjellë Aisha radijAllahu anha për vitrin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ajo thotë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka falur nëntë rekate. Nuk është ulur veçse pas rekatit të tetë, e ka përmendur Allahun, e ka falënderuar dhe është lutur (d.m.th. në teshehud), pastaj është ngritur pa dhënë selam dhe e ka falur rekatin e nëntë, pastaj është ulur, e ka përmendur Allahun, e ka falënderuar dhe është lutur dhe ka dhënë selam, duke na mundësuar ta dëgjojmë atë (e ka bërë selamin me zë).” Muslimi dhe imam Ahmedit.

Po ashtu lejohet falja e vitrit me njëmbëdhjetë rekate. Kur i fal njëmbëdhjetë rekate, nëse do mund të japë selam në çdo dy rekate dhe në fund të falë dhe një rekat. Kështu tregon Aisha radijAllahu anha: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në mes jacisë dhe namazit të sabahut ka falur njëmbëdhjetë rekate, ku pas çdo dy rekateve ka dhënë selam dhe në fund ka falur dhe një rekat.” Muslimi.

Është e lejuar falja e namazit të natës me katër rekate dhe jep selam, pastaj dhe katër rekate dhe jep selam dhe në fund fal tri rekate. Aisha radijAllahu anha ka treguar: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem së pari ka falur katër rekate. Mos pyet sa gjatë dhe sa bukur i ka falur,[1] pastaj ka falur katër të tjera dhe mos pyet sa gjatë dhe bukur i ka falur. Pastaj ka falur tri rekate.” Disa prej dijetarëve të fikhut nga medhhebi hanbeli dhe shafi thonë se lejohet që vitri të falet ngjitur nëse falet me njëmbëdhjetë rekate (me një teshehud dhe selam), apo të falet me dy teshehuda, ku pas rekatit të dhjetë bëhet teshehud dhe çohet për rekatin e njëmbëdhjetë, pastaj bën teshehud dhe jep selam, edhe pse për këtë formë nuk kemi ndonjë tekst të transmetuar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, porse është mendim i disa dijetarëve.

Namazi i natës gjatë muajit Ramazan ka peshë dhe vlerë më shumë sesa në muajt e tjerë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka dalluar atë. Ai ka thënë: “مَنْ قَام رمضانَ إِيْماناً واحتساباً غُفِرَ له ما تقدَّم من ذنبِ – Kush fal namaz nate në Ramazan me besim dhe shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Buhariu, Nesaiu dhe të tjerë. Qëllimi me fjalën: “إِيْماناً – me besim” është: me besim në Allahun dhe në shpërblimin të cilin Ai e ka përgatitur për ata që e bëjnë këtë. Qëllimi me fjalën “واحتساباً – me shpresë” është: duke kërkuar shpërblimin prej Allahut.

Cili është shtytësi dhe qëllimi me ngritjen natën për namaz? A është kërkimi i shpërblimit prej Allahut dhe besimi bindshëm në këtë, apo për syefaqësi, që të tjerët të të shohin dhe lavdërojnë?! Andaj duhet pasur kujdes që namazi i natës dhe çdo vepër tjetër të bëhet për hir të Allahut, sinqerisht për Të. Përndryshe, sado e madhe qoftë vepra, nëse nuk ka sinqeritet, bëhet hi e pluhur para Allahut. Nuk duhet ta kryejmë asnjë adhurim për syefaqësi, apo për ndonjë pasuri a pozitë.

[1] Nuk i ka falur shpejtë, por i ka zgjatur, me ruku me sexhde, me të gjitha.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.
? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit