Nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta
Allahu thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta.” Kasas 50. Ky parim na shfaq një kuptim madhështor në aspektin e dorëzimit ndaj urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ai na mëson se ne duhet t’iu dorëzohemi urdhrave fetarë. Fjala “el hawa – epsh, dëshirë, teke” është përmendur në Kuran në kontekstin e qortimit.
Ky ajet ka ardhur në kontekstin e debatit me paganët; në ato ajete tregohen metodat e ndryshme që kanë përdoruar ata për të refuzuar fenë dhe tregohet se si e kanë akuzuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem me akuza të rënda e të tmerrshme, e pastaj Allahu thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” Ajeti 50. Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) duke sqaruar këtë parim thotë: “Nuk ka diçka tjetër: ose pasim të epsheve ose pasim të shpalljes.”
Është shumë e rëndësishme që të përhapet ky parim dhe të këshillohen njerëzit me të, aq më tepër sot kur janë përhapur me të madhe tekat, dëshirat e epshet e njerëzve dhe janë bërë të llojllojshme mënyrat e refuzimit të teksteve fetare. Dikush del haptazi të përkrahë bidatin e tij, tjetri propagandon metodën se si të sqarohen e kuptohen tekstet fetare, tjetri pason lehtësimet e dijetarëve të cilat janë në përputhje me tekat e tij.
Me përhapjen e rrjeteve sociale njerëzve u janë hapur dyert e shumta prej nga u vijnë informacionet dhe kështu kanë filluar të lexojnë gjëra të ndryshme, mendime të kundërta mes dijetarëve e pastaj i shfrytëzojnë[1] ato dhe i aplikojnë (thotë se meqë ka dikush që ka thënë se lejohet kjo e ajo gjë, atëherë unë e po veproj). Në anën tjetër, nuk i kushton rëndësi pjesës më të madhe të dijetarëve në lidhje me një gjë të ndaluar. Çfarë arsyetimi mund të ketë personi i cili pason dikë prej dijetarëve duke e ditur se fjala e tij ka kundërshtuar dijetarët e tjerë? Atij i ka ardhur ajeti e hadithi (në lidhje me një çështje) e pastaj pretendon se i lejohet të marrë mendim ndryshe ngaqë dikush e paska thënë atë. Ky person ka hise te ky parim “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta”, ngase po ndjek çfarë po i shkon përshtati natyrës së tij. Selefi ka thënë: “Kush ndjek lehtësimet e dijetarëve, bëhet zindik (del prej fesë me kalimin e kohës).” Kush pason vetëm lehtësimet e dijetarëve, atëherë tek ai është mbledhur e keqja.
Personi i cili është sprovuar me këtë gjë, duhet të sjellë ndërmend se çdo vepër që bën apo nuk e bën, duhet ta bëjë vetëm për hir të Allahut, në shenjë adhurimi e nënshtrimi ndaj Tij. Andaj, si të pajtohet me veten që raporti i tij me Allahun të jetë i ngritur mbi pasimin e epsheve dhe dëshirave të tij? Kjo nuk është në rregull.
Nuk është qëllimi këtu me ato çështje në të cilat ka kundërshtime mes dijetarëve dhe kur ky kundërshtim merret në konsideratë (është i fortë). Personi i cili qortohet në këtë gjë është ai i cili ndjek dëshirat e veta në ndjekjen e përgjigjeve të dijetarëve. I tilli kur do që të marrë një përgjigje e cila është në përputhje me epshin e tij shkon të pyesë filanin, e nëse nuk ia jep përgjigjen që i përshtatet, atëherë e pyet tjetrin e tjetrin.
[1] Dijetari ndodh të thotë një mendim ndryshe ngase nuk i ka ardhur argumenti, ose i ka ardhur por nuk e sheh si të saktë, ose nuk e ka kuptuar mirë, në këtë ka shkaqe të shumta. Ai arsyetohet tek Allahu, madje edhe shpërblehet, ngase e ka dhënë mundin e tij që të arrijë te një çështje e fesë porse nuk ia ka qëlluar.
Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim

