Obligimet e gruas – 6 – Evitimi i situatave të dyshimta me burrat e tjerë

Jeta martesore është e bazuar në besim. Varësisht nga sjellja e saj, gruaja mund të jetë burim i nderit apo prishjes për tërë familjen. Në mënyrë që ta ketë besimin e burrit të saj dhe ta ruajë nderin e tij, ajo duhet t’i evitojë të gjitha situatat që mund të shkaktojnë dyshime te ai dhe te njerëzit e tjerë.

Evitimi i shfaqjes së bukurive të saj te burrat e tjerë

Gruaja duhet të jetë modeste dhe e thjeshtë në dukjen e saj, duke evituar gjithçka që mund të tërheq syrin e burrave ose që mund t’u jap atyre mendime të liga. Fudale bin Ubejdi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Janë tre lloje njerëzish për të cilët nuk duhet të pyesësh (sepse ata janë të dënuar): burri që largohet nga xhemati, nuk i bindet imamit (udhëheqësit) të tij dhe vdes në këtë gjendje; një rob, burrë apo grua, që ikë nga kujdestari i tij dhe vdes në atë gjendje (të arratisjes); dhe një grua e cila, në mungesë të burrit të saj, edhe pse ai i kishte mjaftuar asaj në brengat e dunjasë, e zbukuron veten e saj (në mungesë të tij) për burrat e tjerë. Andaj, nuk keni pse pyetni për këta”. Transmetuar nga Buhariu (në El Edeb El Mufrad) dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3058 dhe Sahihah nr. 542).

Evitimi i bisedave të panevojshme me burrat e tjerë

Gruaja nuk duhet të flasë me burrat e tjerë pa lejen e burrit të saj (qoftë kjo leje e veçantë apo e nënkuptueshme). Megjithatë, biseda e saj me burrat e tjerë duhet të jetë e limituar, formale, dhe drejtë e në temë.

Amër Ibën el Asi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar: “I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar bisedën me gratë pa lejen e burrave të tyre”. Transmetuar nga Teberani (në El Kebir). U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 6813 dhe Sahihah nr. 652).

Evitimi i vetmimit me burrat e tjerë

Gruaja nuk guxon të vetmohet në një vend privat me një burrë i cili nuk është as burri i saj e as mahremi i saj. Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Pas kësaj dite, mos lejoni asnjë burrë të hyjë në privatësinë e gruas, përveç nëse me veti ka një apo dy burra të tjerë [1]” Transmetuar nga Muslimi dhe Ahmedi.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Gruaja nuk bën të udhëtojë përveç me mahremin e saj. Dhe asnjë burrë (i huaj) të mos hyjë në prani të saj, duke mos qenë me të edhe mahremi i saj”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Evitimi i udhëtimit pa mahrem

Gruaja nuk mund të udhëtojë pa mahrem. Në udhëtim, personi është më i dobët dhe më i rrezikuar nga sulmet dhe joshjet – qoftë edhe në udhëtimet e sotme të modernizuara. Andaj, gruaja duhet ta ketë një burrë me të, në mënyrë që ai ta mbrojë dhe ndihmojë atë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është e lejuar për gruan të udhëtojë përveçse e shoqëruar nga mahremi i saj”. Transmetuar nga Muslimi.

Dhe, Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është e lejuar për gruan të udhëtojë në distancën prej një berid [2] (një stacion poste), përveç e shoqëruar nga mahremi i saj, me të cilin nuk i lejohet të martohet”.Transmetuar nga Ebu Davudi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7302 dhe Sahihah nr. 2421).

Evitimi i heqjes së rrobave jashtë shtëpisë

Gruaja nuk duhet të heqë rrobat e saj jashtë shtëpisë. Disa gra e kishin zakon të bënin banjë në banjat publike për femra. I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e ndaloi një gjë të tillë, duke treguar se gruaja që e bën këtë nuk meriton mbulojën dhe mbrojten e Allahut. Ebu el Malih el Hudheliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se disa gra nga Himsi [3] e vizituan Aishen, Allahu qoftë e kënaqur prej saj. Ajo i pyeti ato:“A jeni ju nga ata njerëz që i lejojnë gratë e tyre të shkojnë në banja publike?

Ata u përgjigjën: “Po”.

Ajo pastaj tha se e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë:

“Ajo grua që i heq rrobat e saj nga trupi në vend tjetër përveç shtëpisë së saj me të vërtetë se e ka thyer perden mes saj dhe Allahut (subhanehu ue teala)”. Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2710).

Në të njëjtën mënyrë, Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ajo grua që i heq rrobat e saj në shtëpi tjetër përveç asaj të burrit të saj, Allahu (subhanehu ue teala) do të heq mbulesën e Tij prej saj”. Transmetuar nga Ahmedi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2708).

Hadithet e mësipërme vlejnë gjithashtu edhe për ato gra, të cilat i heqin rrobat në vende publike ku provohen ose në ndonjë vend tjetër ku nuk janë të sigurta nëse ndonjë burrë ose grua mund të shoh ndonjë pjesë të turpit të saj, të cilën nuk lejohet ta shoh askush tjetër veç burrit të saj.

Evitimi i daljes nga shtëpia pa arsye

Në përgjithësi, vendi i zakonshëm i gruas është shtëpia e saj. Ajo është zona ku shtrihen detyrat e saj dhe aty ajo i kryen ato me sukses. Shtëpia i ofron asaj mbrojtje dhe siguri dhe e mban atë larg situatave të dyshimta. Një grua myslimane nuk do të dilte jashtë shtëpisë pa arsye. Ajo do t’u largohej vendeve ku ka gjasë të përzihet me burra të huaj ose të jetë në afërsi me ta. Allahu i këshillon Nënat e Besimtarëve, po ashtu dhe gratë tjera, duke thënë:

“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes” [El-Ahzab 33:33].

 

[1]
“Komisioni i përhershëm për studime dhe fetua” pas studimit dhe krahasimit të të gjitha argumenteve që flasin rreth kësaj tematike shënon (17/83-85): “Nga ajo që u përmend më lartë, gjithashtu kuptohet se hadithi: “Pas kësaj dite, mos lejoni asnjë burrë të hyjë në privatësinë e gruas, përveç nëse me veti ka një apo dy burra të tjerë”, duhet të interpretohet që hyrja e disa burrave tek gruaja që nuk e ka pranë burrin apo mahremin e saj lejohet me kushte:

1) Të ekzistoj nevoja për këtë.

2) Të jetë e sigurt që mes tyre nuk do të lind ndonjë joshje.

3) Të jetë e sigurt se nuk ekziston asnjë mundësi që ata fshehurazi të planifikojnë ndonjë paturpësi.

Ky nuk është interpretim nga mendja, mirëpo është i bazuar mbi objektivin sheriatik (fetar) që kuptohet nga totali i Teksteve (nga Kurani dhe Sunneti) të cilat flasin për ruajtjen e organeve të turpshme (nga imoraliteti), ruajtjen e linjës familjare, ndalimin e cenimit të nderit, dhe ndalimin e rrugëve që dërgojnë deri te këto gjëra të ndaluara. Prej këtyre Teksteve është edhe hadithi i lartcekur, në të cilin lejimi i hyrjes (te gruaja e vetmuar) kushtëzohet nëse ekziston më shumë se një burrë, në mënyrë që të mënjanohet El Hulve (vetmia mes një burri dhe gruaje), të largohen dyshimet dhe të realizohet siguria për të mos lindur ndonjë joshje mes tyre”.

Kjo fetua u shënua nga komisioni në përbërje me: AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifi dhe Abdullah bin Gudejan. Sh.p.

[2]
Ibën Huzejme ka definuar këtë sa 12 milje Hashimi. Çdo milje Hashimi është 4000 kut (një kut: 60 cm), ose 2.4 km, ose 1.5 mi. Andaj, një berid është përafërsisht 18 milje angleze.

[3]
Një qytezë në Sham, në veri të Damaskut.

 

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit