Përulja gjatë namazit
Kur besimi është i saktë, atëherë njeriu do të kthehet kah namazi i tij, që është shtyllë e fesë, me edukatën e përuljes dhe nënshtrimit ndaj Allahut, duke përjetuar çdo çast gjatë këtij qëndrimi madhështor para Atij i Cili është Madhështori. Ai nuk do të largohet me zemrën e tij te dikush a diçka tjetër gjatë namazit, por do ta drejtojë zemrën vetëm kah Allahu. Të gjitha mendimet e preokupimet e tij janë të lidhura me namazin. Ai qëndron drejtë me këmbët e tij si një rob i mjerë dhe i thyer, i cili flet me Zotin e tij, e madhëron dhe i kërkon falje, prej thellësisë së zemrës, duke lakmuar në mirësitë dhe begatitë e Tij. Ai e adhuron Allahun dhe e fal namazin me shpresë e frikë. Të gjitha nevojat ia shfaq e ia drejton Allahut. Ai është i preokupuar vetëm me Allahun, jo me diçka a me dikë tjetër. Largon zemrën dhe shikimin e tij prej dunjasë, duke kundërshtuar nefsin dhe duke e detyruar të bëjë durim që të mos largohet prej Krijuesit të Tij madhështor, para të Cilit ka dalë.
Kur besimtari e fal namazin në këtë mënyrë, atëherë kalon nga një kopsht në një kopsht tjetër të kënaqësisë. Fillon me leximin e Kuranit dhe mediton në kuptimet e tij. Pastaj kalon në madhërimin ndaj Allahut në ruku, pastaj në lutje etj. A ka qëndrim më madhështor sesa kthimi (gjatë namazit) kah Allahu me zemër dhe me gjymtyrë, duke shpresuar tek Ai, duke kërkuar mëshirën e Tij, me shpirtin e një mëkatari, i cili është i nënshtruar, i përulur, nevojtar e i varfër, që kërkon ndihmën e Tij ngase e di se vazhdimisht është i ekspozuar ndaj sprovave dhe se jeta e tij është një provim që duhet kaluar?! Për këtë arsye, ai çdo ditë në çdo namaz, kërkon prej Zotit të Tij ta mbrojë, ta ruajë, ta forcojë në fe, ta udhëzojë, t’i japë sukses, t’ia pranojë adhurimet dhe t’ia zgjerojë kraharorin.
Dijetarët kanë thënë se përulja në namaz është kur njeriu vendos zemrën e tij para Allahut, me nënshtrim e përulje. Disa të tjerë kanë thënë se ajo është fikja e zjarrit të tekave dhe dëshirave, heqja e tymit i cili është në kraharor dhe shkëlqimi i dritës së madhërimit ndaj Allahut në zemër. Besimtarit, me këtë përulje, i bëhet namazi prehje e syve dhe dritë e zemrës dhe fytyrës së tij. Siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Prehja e syve të mi (zemrës dhe shpirtit tim) më është bërë në namaz.”
Kur besimtari fal namazin në këtë mënyrë, me lejen e Allahut do të shpëtojë nga fatkeqësitë, veprat e shëmtuara dhe mëkatet. Allahu thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” Ankebut 45. Përmes namazit të tillë, besimtarit do t’i përmirësohen edhe veprat e tjera.
Gjatë namazit, njeriu shijon ëmbëlsinë e bisedës me Allahun, derisa të ngrihet në nivele të larta të nënshtrimit ndaj Allahut. Kështu, ai do të njohë Zotin e tij, do të kënaqet dhe do të përjetojë kënaqësi shpirtërore duke biseduar me Atë. Prandaj, dijetarët kanë thënë: “Nëse dëshiron të dish se çfarë pozite ke tek Allahu, atëherë shiko se çfarë pozite ka namazi tek ti.”
Siç e dimë, namazi është lidhja mes njeriut dhe Allahut. Namazet janë pesë në numër, por shpërblimi është sikur të falen pesëdhjetë namaze. Namazi është bërë obligim mbi shtatë qiej, pa ndërmjetës mes Allahut dhe Muhamedit salallahu alejhi ue selem (për dallim nga obligimet e tjera). Për namazin, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e ruan atë, veprat e tjera do t’i ruajë edhe më shumë. E kush e humbet atë, veprat e tjera do t’i humbasë edhe më shumë.” Andaj, porosia e fundit e tij, para se të vdiste, ishte: “Kujdes namazin, kujdes namazin dhe ata që janë nën kujdesin tuaj!”
Ali ibn Husejni kur ka marrë abdes është zbehur. E kanë pyetur: “Çfarë është puna me ty që të zbehet fytyra kur merr abdes?” Ka thënë: “A e dini se para kujt do të dal pas pak?!”
Hudhejfe ka thënë: “Kini kujdes nga përulja e hipokrizisë!” E kanë pyetur se çfarë është ajo, ka thënë: “Kur sheh trupin e përulur të namazliut, mirëpo zemrën nuk e ka të përulur.”
Duhet të dimë se përulja gjatë namazit nuk ndahet nga përulja e zemrës jashtë namazit. Pra, sa më shumë që njeriu është i përulur ndaj Allahut jashtë namazit, aq më i përulur do të jetë edhe gjatë namaz. Ndërsa, nëse është i shkujdesur ndaj Allahut jashtë namazit, atëherë po ashtu do të jetë larg arritjes së përuljes gjatë namazit.
Shkaqet e përuljes gjatë namazit
∞ Kujdesi ndaj abdesit, duke e plotësuar në mënyrën më të mirë, dhe zemra të jetë e pranishme gjatë abdesit.
∞ Shkuarja më herët në xhami dhe pastaj falja (përshëndetja për xhaminë), leximi i Kuranit, dhikri dhe istigfari që bën, në mënyrë që shpirti të gjejë qetësi dhe të shkëputet nga angazhimet e dunjasë.
∞ Përjetimi i madhështisë së Allahut kur themi tekbirin Allahu ekber.
∞ Meditimi mbi ajetet, dhikret dhe lutjet që themi në namaz.
∞ Falja sikur je duke ia dhënë lamtumirën kësaj jete.
∞ Kujdesi ndaj faljes së namazit me xhemat (për burrat).
∞ Marrja e vetes në llogari pas namazit (se a ishe i përulur).[1]
∞ Falja e namazeve vullnetare (qoftë sunete të rregullta apo namazeve të tjera vullnetare).
Ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që fal namazin, duhet të mundohet të mbajë zemrën të pranishme në çdo pjesë të namazit. Madje, edhe kur dëgjon thirrjen e muezinit, le t’ia kujtojë vetes se është duke u bërë thirrja për Kiametin dhe se tani do të dalë para Allahut dhe duhet të jetë gati për përgjigjen që do t’ia japë Atij. Le t’ia kujtojë vetes të metat dhe mëkatet që ka bërë, të cilat i di vetëm Allahu. E pastaj ato do t’i shlyen duke u penduar, duke pasur frikë nga pasojat e tyre dhe duke pasur turp ndaj Tij. Para se t’i drejtohet Kibles me fytyrë, është më parësore t’i drejtohet Allahut me zemër. Dhe kur merr tekbirin fillestar, zemra e tij nuk duhet të përgënjeshtrojë gjuhën e tij (por të jenë në përputhje me njëra-tjetrën), sepse nëse në zemër për të është dikush më i madh sesa Allahu atëherë gënjen kur thotë Allahu ekber – Allahu është më i Madhi. Andaj, le të ketë kujdes që tekat e dëshirat e tij të mos jenë më të rëndësishme për të sesa Allahu. Pastaj kur thotë “Eudhu bilahi minesh-shejtani rraxhim” – Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar”, të dijë se kjo është kërkim i mbrojtjes dhe strehës tek Allahu, mirëpo nëse ato nuk i bën me zemër, atëherë nga to nuk do të ketë dobi. Pastaj le të kujtojë me zemër domethëniet e ajeteve që lexon, të kujtojë mëshirën e Allahut kur thotë “Err Rrahmanirr Rrahim”, të kujtojë madhështinë e Allahut kur thotë “Maliki jeumid din”. Pastaj në ruku të ndjejë nënshtrim para Allahut, ndërsa në sexhde të ndjejë përulje ndaj Tij… Nëse e fal namazin në këtë mënyrë, atëherë ai do të bëhet shkak për pastrimin e zemrës nga ndryshku dhe për arritjen e shkëlqimit të saj, dhe përmes tij do të ndjejë madhështinë e Allahut dhe si rrjedhojë Ai do t’i zbulojë disa të fshehta. Por, këto nuk i kuptojnë përveçse ata që dinë dhe që i kanë përjetuar vërtet këto gjëra. Ndërsa, ata që falin namazin vetëm në anën e jashtme, nuk kanë mundësi të përjetojnë këto gjëra, madje ka që i mohojnë ato.”
[1] Humbja e përuljes në namaz është më e madhe sesa humbja e diçkaje nga pasuria. Mirëpo, shumicës së njerëzve për shkak të besimit të dobët, edhe pse iu humbet përulja në namaz, apo koha e namazit, kjo nuk ua prek zemrat, ndërsa nëse u humbet një pjesë nga pasuria, bota e merr vesh.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim

