Pozita e gruas në xhennet

Falënderimet i takojnë Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin tonë Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

Duke vërejtur pyetjet e shpeshta të grave rreth pozitës së tyre në xhenet, rreth asaj se çka është pregaditur për to, atëherë pata dëshirë t’i përmbledhë disa dobi të përfituara dhe të vërtetuara me argumente, të cilat ua sqarojnë atyre këtë temë.

Dobia e parë:

Nuk duhet të qortohen gratë nëse ato pyesin se çfarë përjetimesh do të ketë për to në xhenet, sepse qenia njerëzore është shumë e lidhur me të menduarit rreth së ardhmes dhe përfundimit të vet. Po ashtu, Pejgamberi nuk i qortonte sahabet për këto lloj pyetjesh kur ata e pyesnin rreth xhenetit dhe gjërave që gjenden në të, bile ata e pyesnin edhe për ndërtimet në xhenet, kurse Pejgamberi qe përgjigjur: “një tjegull është nga ari kurse tjetra nga argjendi”, po ashtu është pyetur se a do të takohen me gratë e tyre në xhennet? Ai i njoftoi se ajo do të ndodhë.

Dobia e dytë:

Qenia njerëzore – qoftë mashkull apo femër – joshet ndaj xhennetit kur përmendet ai dhe gjërat e këndshme që janë në të. Kjo është një gjë e mirë, nëse ato joshje nuk janë vetëm iluzione të kota që nuk shoqërohen me vepra të mira, sepse Allahu u thotë besimtarëve: “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë” (Zuhruf: 72). Pra, këta kur kanë dëgjuar për xhennetin kanë pasë dëshira të mëdha për të dhe, këtë e kanë vërtetuar me veprat e tyre.

Dobia e tretë:

Xheneti dhe të mirat e tij nuk janë veçmas për burrat, sepse ai është përgatitur për njerëzit e devotshëm të të dy gjinive, sikurse na njofton Allahu për këtë: “Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet” (En Nisa: 124).

Dobia e katërt:

Gruaja nuk duhet të preokupohet me pyetje të shpeshta dhe të hulumtoj rreth detajeve të hyrjes në xhenet, duke pyetur se çfarë do të bëj atje? Ku do të shkoj? Si dhe pyetje të ngjashme që të japin përshtypjen se atje ka për të shkuar në një shkretëtirë! Asaj i mjafton ta dijë se po sa të hyjë në xhennet do ta harroj çdo vuajtje që ka përjetuar dhe se ajo do t’i shndërrohet në lumturi të përhershme. I mjafton fjala e Allahut: “Aty nuk do t’i mundojë lodhja e prej aty kurrë nuk do të dëbohen” (El Hixhr: 48). Po ashtu fjala e Allahut: “Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë”. Para së gjithash mjafton fjala e Allahut: “Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë” (El Maide: 119).

Dobia e pestë:

Kur Allahu i përmend disa lloje të ushqimeve, pamjeve dhe pallateve joshëse, ato i përmend në formë që përfishinë edhe mashkullin edhe femrën, ku të gjithë do t’i gëzojnë ato të mira.

Mbetet për tu sqaruar ajo se Allahu ka bërë që burrat të joshen ndaj xhennetit duke ua përmendur (hyrijat) dhe (gratë e bukura), kurse e njëjta gjë nuk është përmendur për gratë, andaj gruaja mund të pyet se për çfarë arsye nuk është bërë kjo edhe për to?!

Përgjigje:

1. Allahu “nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten” (El Enbija: 23). Por nuk ka gjë të keqe që ta mësojmë urtësinë e kësaj përmes teksteve sheriatike dhe parimeve të Islamit, andaj themi:

2. Siq dihet, turpi është natyrshmëri e grave dhe, për këtë Allahu nuk i ka bërë ato të joshen ndaj xhennetit me ato gjëra që turpërohen prej tyre.

3. Joshja e grave ndaj burrave nuk është e njëjtë me joshjen e burrave ndaj grave, për këtë Allahu ka bërë që burrat të joshen ndaj xhenetit duke ua përmendur gratë si vërtetim ndaj fjalës së Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) ku thotë: “Nuk kam lënë pas vetes ndonjë fitne (sprovë) më të dëmshme për burrat sesa gratë” Buhariu.

Kurse, sa i përket gruas, Allahu ka bërë që ajo të jetë e joshur ndaj stolive dhe veshjeve më tepër se sa që është e joshur ndaj burrave, dhe kjo është natyrshmëri e saj, sikurse thotë Allahu: “Vallë, a është ajo (femra) që rritet në stoli?” (Zuhruf:
18).

4. Shejh ibën Uthejmini thotë: Allahu ua ka përmendur gratë burrave sepse burri është ai që e kërkon gruan, dhe për këtë shkak burrave u janë përmendur gratë në xhenet dhe grave nuk u janë përmendur burrat, por kjo nuk dmth se gratë nuk kanë burra në xhenet, por ato gjithsesi do të kenë burra atje.

Dobia e gjashtë:

Sa i përket martesës në dunja, gruaja mund t’i ketë këto raste:

1. Kur ajo vdes para se të jetë martuar.

2. Të ketë vdekur pas shkurorëzimit dhe të mos jetë martuar me tjetër.

3. Të jetë martuar, por burri i saj nuk është prej banorëve të xhennetit.

4. Të ketë vdekur pas martesës.

5. Të ketë vdekur pas burrit të saj dhe të mos jetë martuar me tjetër pas tij.

6. Të ketë vdekur pas burrit të saj dhe të jetë martuar me tjetër.

Këto janë gjendjet e gruas në dunja, dhe të gjitha këtyre gjendjeve u përgjigjet nga një në xhennet:

1. Sa i përket gruas e cila nuk ka qenë e martuar, Allahu do ta martoj në xhennet me një njeri i cili ka jetuar në dunja, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit i cili thotë: “Në xhennet nuk do të ketë beqar”. Lidhur me këtë, shejh Uthejmini thotë: Nëse gruaja nuk ka qenë e martuar në dunja, Allahu do ta martoj në xhennet me një njeri që ajo është i kënaqur me të. Pra përjetimet e mira të xhennetit nuk janë veçmas vetëm për burrat por edhe për gratë, kurse ndër përjetimet e xhennetit është edhe martesa.

2. Të njëjtën gjendje do ta ketë edhe gruaja e cila ka qenë e shkurorëzuar.

3. Po ashtu, këtë gjendje do ta ketë gruaja, burri i së cilës nuk është banor i xhennetit. Lidhur me këtë, shejh Uthejmini thotë: Nëse gruaja është banore e xhennetit dhe nuk ka qenë e martuar, apo burri i saj nuk është banorë i xhennetit, atëherë kur ajo të hyjë në xhennet do të hasë në burra që nuk kanë qenë të martuar në dunja dhe do të martohet me ndonjërin prej tyre.

4. Kurse gruaja e cila ka vdekur pasi është martuar – dhe është banore e xhennetit – do të jetë grua e po atij burri.

5. Kurse gruaja e cila ka vdekur pas burrit të saj dhe më pas nuk është martuar me tjetër, atëherë në xhennet do të jetë gruaja e po atij burri.

6. Ndërsa, gruaja e cila ka vdekur pas burrit burrit të saj, por është matuar me tjetër pas tij, atëherë ajo do të jetë grua e burrit të saj të fundit, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit i cili thotë: “gruaja do të jetë bashkëshorte e burrit të saj të fundit” saktëson Albani. Po ashtu duke u bazuar në fjalët e Hudhejfes kur i drejtohet gruas së tij: “Nëse dëshiron të jeshë bashkëshorte e imja në xhennet, atëher mos u marto me tjetërkë pas meje, sepse gruaja në xhennet do të jetë bashkëshorte e burrit të saj të fundit që e ka patur në dunja”. Për këtë Allahu ua ka ndaluar grave të Pejgamberit që të martohen pas vdekjes së tij, sepse ato në xhennet do të jenë bashkëshorte të tij”.

Një çështje: dikush mund të thotë: ‘Është transmetuar se në duanë e xhenazes së gruas duhet të themi: “O Allah! Zëvendësoja kësaj gruaje burrin e saj me një burrë më të mirë”, atëherë si mund të lutemi për këtë grua kur e dimë se burri saj në dunja do të jetë edhe në xhennet me të, po ashtu nëse gruaja ka qenë e pamartuar, ku do të jetë burri i saj?’

Përgjigje: Shejh Uthejmini thotë: nëse ka qenë e pamartuar, atëherë është për qëllim që Allahu t’ia zëvendësoj burrin e saj që ka mundur ta ketë në dunja me një më të mirë në xhennet. Por nëse ka qenë e martuar, atëherë është për qëllim që burri i saj në xhennet ka cilësi më të mira se sa kur ka qenë në dunja, sepse në ahiret do të ndërrohen gjërat, sikurse thotë Allahu: “Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt” (Ibrahim:48). Pra në ahiret do të jetë po kjo tokë, vetëmse do të shtrihet.

Dobia e shtatë:

Është transmetuar në hadithin e vërtetë se Pejgamberi u ka thënë grave: “Unë kam parë se banorët më të shumtë të xhehnemit jeni ju”, kurse në një hadith tjetër: “Banorët më të pakët të xhennetit janë gratë” transmeton Buhariu dhe Muslimi. Kurse në një hadith tjetër është transmetuar të ketë thënë: “Çdo burrë në xhennet do t’i ketë nga dy gra”. Për këtë qëllim dijetarët kan mendime të ndryshme lidhur me këtë, se a do të ketë më shumë gra në xhennet apo në xhehenem?

Disa kanë thënë: Më së shumti gra do të ketë në xhennet e po ashtu edhe në xhehenem për shkak të numrit të madh të tyre. Kadi Ijad thotë: “Numri më i madh i bijve të Ademit janë gra”.

Disa kanë thënë: Duke u bazuar në hadithet e Pejgamberit, më së shumti gra do të ketë në xhehenem, por njashtu edhe në xhennet do të ketë më së shumti nëse llogariten së bashku me hyrijat.

Kurse të tjerët kanë thënë: Fillimisht në xhehenem do të ketë më së shumti gra, më pas do të bëhen banorët më të shumtë të xhennetit pasi të dalin nga zjarri (muslimanet).

Duke e komentuar fjalën e Pejgamberit: “Unë kam parë se banorët më të shumtë të xhehenemit jeni ju”, Kurtubiu thotë: “Kjo ka mundësi të jetë në kohën kur disa prej grave të jenë në xhehenem, kurse pasi do të dalin nga xhehenemi me ndërmjetësimin e Pejgamberit dhe me mëshirën e Allahut deri atëherë kur nuk do të mbetet në zjarrë askush i cili thotë “La i lahe ilaAllah”, atëherë gratë do të bëhen numri më i madh i banorëve të xhennetit.

Kurse esenca është që gruaja të jetë e kujdesshme që mos të bëhet nga banorët e xhehenemit.

Dobia e tetë:

Kur gruaja të hyjë në xhennet, Allahu do t’ia kthejë rininë dhe virgjërinë e saj, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit, i cili thotë: “Në xhennet nuk do hyjë asnjë grua duke qenë e vjetër në moshë… por Allahu do t’i shndërrojë ato në të virgjëra”.

Dobia e nëntë:

Ky është xhenneti që është zbukuruar për ju gra sikurse është përgatitur edhe për burrat, andaj kujdesuni që të mos e humbni rastin, sepse jeta është e shkurtë dhe pas saj vjen përjetësia, andaj le të jetë përjetësia e juaj në xhennet. Duhet ta dini se mehri i xhennetit është imani dhe veprat e mira, e nuk janë iluzionet e kota duke qenë neglizhente në veprat tuaja. Përkujtojeni fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem), i cili thotë: “Kur gruaja i falë pesë namazet, e agjëron ramazanin, e ruan nderin e saj dhe respekton burrin, asaj do t’i thuhet: hyn në xhennet nga cila derë të duash”.

Të kini kujdes thirrësit e prishur dhe shkatërrues të femrës, të cilët donë t’ju largojnë nga fitorja e xhennetit. Mos u mashtroni me shprehjet dhe zbukurimet që ua bëjnë liberalistët dhe liberalistet në mjete të ndryshme të informimit, sepse për këta njerëz Allahu thotë: “Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni, ashtu siç nuk besojnë vetë dhe të bëheni të njëjtë me ata”. En Nisa: 89.

Lus Allahun që t’ju japë sukses grave të muslimanvë në fitoren e xhennetit, t’i udhëzojë ato dhe t’i bëjë udhëzuese për të tjerët, dhe t’ua largojë shejtanët njerëz, të cilët bëjnë thirrje në shkatërrimin e gruas!

Salavatet dhe selamet tona qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin (sallahu alejhi ue selem)!

Përktheu: Jeton Bozhlani

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva