Shpresa në mëshirën e Allahut dhe disa keqkuptime

Shpresa në mëshirën e Allahut dhe disa keqkuptime

 

-“Allahu i fal të gjitha gjynahet, Ai do të na fal, Ai ka mëshirën e madhe”, kjo pa e shoqëruar me punë e angazhim. Kjo është fjalë e drejtë, por jo e kuptuar drejtë. Një njeri që shpreson në Mëshirën e Allahut, e cila pa dyshim është e madhe, mirëpo pa angazhim pa mund, pa përpjekje, kjo është sikur të shpresojë korrjen e arës pa e mbjell e pa e punuar. Allahu thotë: “Ai (djalli) u premton atyre dhe i josh me shpresa, por ato që premton djalli, janë vetëm mashtrime” Nisa 120. Është një prej hileve të shejtanit dhënia shpresë njeriut, duke e nxitur në dembeli e neglizhencë. Ndërsa shpresa e vërtetë është kur njeriu jep mundin, angazhohet, punon, kërkon falje dhe atëherë shpreson në mëshirën e Allahut. Është e kotë që një kriminel të shpresojë Mëshirën e Allahut dhe të vazhdojë krimet e tij. Është e kotë që një alkoolist të shpresojë Mëshirën e Allahut dhe të vazhdojë pijen; apo një imoral apo një vjedhës etj.

 

-“Deri dje si ka qenë e sot mendon të shpëtojë”, kjo pas pendimit të personit dhe përmirësimit të tij. Atij që është penduar dhe përpiqet, duan t’ia humbasin shpresën. Allahu është Ai i Cili gjykon njerëzit me Ligjet e Tij, e jo ne me dëshirat e mendjen tonë (kë duam ta falë Allahu, apo kë duam ne t’i japim shpresa, kë duam ta tmerrojmë). Allahu thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti” Zumer 53. Ky ajet nuk është argument për ata që shpresojnë Faljen e Allahut pa angazhime e punë. Por, është për ata që pendohen, për ata që janë të sinqertë në pendimin e tyre, që largohen nga punët e këqija e nisin me punë të mira, që pendohen e kërkojnë falje, ky ajet është shpresëdhënës për ata që janë mëkatarë e që dëshirojnë të pendohen. Andaj, të angazhohemi me punë të mira dhe të kemi shpresë se ato do të shpërblehen prej Allahut.

 

-“Askush nuk shpëton pa dënim”. Njeriu frikësohet për mëkatet e tij, se sa është i sinqertë, pranimit të pendimit që bën dhe të veprave të mira, mirëpo kjo frikë duhet të jetë e atillë që e nxitë për përmirësimin e veprave pa e rrezikuar shpresën nga ana tjetër për pranimin e tyre tek Allahu dhe për faljen e veprave të këqija. Pra, jo të gjithë besimtarët do të ndëshkohen. Ka prej tyre që do të futen në xhenet pa dhënë llogari dhe ka prej tyre që me gjithë mëkatet që kanë do të falen e mëshirohen prej Allahut, mirëpo falja ka kushte, prej tyre: angazhimi me vepra të mira, largimi nga mëkatet (sidomos nga mëkatet e mëdha) dhe pendimi. Allahu thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar” Nisa 31. Largimi nga mëkatet e mëdha është shkak për faljen e mëkateve të vogla. Nuk është e saktë se do të ndëshkohet çdokush. Ata që përpiqen, që janë të sinqertë në vepra që bëjnë, veprojnë vepra të mira dhe largohen nga mëkatet (sidomos nga mëkatet e mëdha), ka shpresë se do të shpërblehen me xhenet pa u ndëshkuar. E kjo shpresë do duhej t’i nxisë që veprat e mira t’i veprojnë edhe më mirë dhe të largohen edhe më shumë nga punët e këqija (pa rrezikuar frikën nga ana tjetër).

 

Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit