Shtatë rregulla mbi dhikrin

Shtatë rregulla mbi dhikrin

Ajeti “Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” Araf 205, përfshin disa rregulla mbi dhikrin:

 

  • Bërja e dhikrit në heshtje: në këtë mënyrë ndikon më shumë në sinqeritetin e personit dhe është më afër përgjigjes prej Allahut që të pranohet nëse është dhikër, ose të marrë përgjigje nëse është lutje, si dhe është më larg dyfytyrësisë.

 

  • Bërja e dhikrit me përulje dhe nënshtrim ndaj Allahut, duke pranuar në vete mangësitë dhe mëkatet- në këtë mënyrë arrihet plotësimi i ubudijes (të qenit rob adhurues ndaj Allahut).

 

  • Bërja e dhikrit me frikë– frikë nga dënimi për mangësitë dhe mëkatet, frikë që për shkak të tyre mund të refuzohet ky dhikër nga Allahu e të mos pranohet. Kur Allahu i përshkruan besimtarët e mirë dhe të devotshëm të cilët nxitojnë në vepra të mira, të cilët garojnë me të tjerët në to dhe arrijnë të jenë të parët, thotë: “…që, kur japin atë që japin (kjo nuk nënkupton veç dhënien e lëmoshës prej pasurisë, siç thonë dijetarët, por e japin atë që japin prej vetes së tyre, punëve të tyre), zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” Muminun 60-61. Kur Aisha radijAllahu anha e ka dëgjuar këtë ajet, e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut! Ky ajet a flet për atë që ka bërë imoralitet, ka vjedhur dhe ka pirë alkool, dhe ka frikë se mos e dënon Allahu?” Ai salAllahu alejhi ue selem i thotë: “Jo, o bija e sidikut[1]. Por, është ai besimtar që falet shumë (përveç farzeve fal dhe nafile), agjëron (gjithashtu agjërim nafile) dhe jep lëmoshë prej pasurisë së tij, megjithatë vazhdimisht ka frikë se a i pranohen apo i refuzohen (këto vepra të mira).” Musnedi i imam Ahmedit.

 

  • Bërja e dhikrit me zë të ulët, jo të lartë– në këtë mënyrë njeriu është më afër meditimit të asaj që e thotë. Ibn Kethiri rahimehullah thotë: “Kështu (jo me zë të lartë) është e pëlqyeshme të jetë dhikri, të mos jetë në formë të thirrjes (të mos e thërrasë Allahun) duke e ngritur zërin.” Transmetohet se në një prej udhëtimeve, kur sahabët e kanë lutur Allahun, e kanë ngritur zërin lartë. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka dëgjuar, u ka thënë: “O ju njerëz! Mbajeni veten (mos e ngrehni zërin lartë), ngase ju nuk po e thirrni atë që është i shurdhët dhe jo prezent. Por, po e thirrni dhe po e lutni Atë që është Dëgjues dhe Shikues (dëgjon dhe sheh çdo gjë që veproni ju).” Buhariu dhe Muslimi.

 

  • Bërja e dhikrit me gjuhë, e jo veç me zemër– të thuhet dhikri, por pa e ngritur zërin lartë. Të bëhet me të dyja: me zemër dhe me gjuhë, e jo vetëm me ndonjërën prej tyre. Kur e kujton me zemër madhështinë e Allahut, për këtë ke shpërblim. Mirëpo, kur do që të bësh dhikër, duhet bashkuar mes këtyre dy gjërave (me zemër dhe me gjuhë). Në një hadith Kudsij thotë Allahu: “Nëse njeriu më përmend në veten e tij (kur është i vetmuar), Unë e përmendi në Veten Time. Nëse më përmend në prezencë të të tjerëve, edhe Unë e përmend te disa (te engjëjt) që janë shumë më të mirë sesa ata.” Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Nga ky hadith kuptohet se Allahu duhet të përmendet me gjuhë në vetvete, ngase Allahu (këtu po) tregon se dhikri ndahet në dy lloje: 1. Dhikri kur njeriu e përmend Allahun në vetvete (vetëm), 2. Dhikri kur njeriu e përmend Atë te një grup i njerëzve.” Tek të dy rastet përmendja e Allahut është me gjuhë.

(Duke marrë parasysh argumentet) Qëllimi me Fjalën “jo me zë të lartë” është përmendja e Allahut me gjuhë, pa e ngritur zërin lartë, e nuk duhet të kuptohet përmendja veç me zemër.

 

  • Bërja e dhikrit mëngjes dhe mbrëmje- siç kanë thënë dijetarët, këto dy kohë janë më të dalluarat/mirat për përmendjen e Allahut. Disa dijetarë kanë thënë se koha e mëngjesit fillon prej kur hyn koha e faljes së namazit të sabahut derisa të lindë dielli. E disa kanë thënë se hyn prej kohës kur falet namazi i sabahut derisa të lindë dielli. Kurse, koha e mbrëmjes hyn prej kur falet namazi i ikindisë derisa të hyjë koha e namazit të akshamit. Këto dy kohë janë kohë kur njeriu është larg përpjekjeve të kërkimit të të mirave të kësaj bote, është në qetësi me veten dhe më afër adhurimit ndaj Allahut. Shumica e njerëzve në këto dy kohë pushojnë, nuk angazhohen me çështjet e kësaj bote. Andaj, njeriu në këto kohë duhet t’i përkushtohet Allahut dhe t’i mbushë ato me dhikër, sidomos t’i bëjë ato dhikre që janë transmetuar nga suneti profetik (të thuhen në ato kohë). Është transmetuar në një hadith se veprat tona ngritën tek Allahu në këto dy kohë (në fillim të ditës dhe në mbarim të saj). Qëllimi i përmendjes së Allahut në këto dy kohë është: dita dhe veprat tona të fillojnë dhe të përmbyllen me dhikër.

 

  • Të mos jemi të shkujdesur në përmendjen e Allahut- me Fjalën “…dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!”, Allahu kërkon nga ne dhe na urdhëron të jemi të vazhdueshëm dhe të përhershëm në përmendjen e Tij, të mos jemi sikur pjesa tjetër e njerëzve të cilëve nuk u bie ndërmend Allahu, që janë të shkujdesur ndaj Tij dhe përmendjes së Tij dhe janë të angazhuar me çështjet e kësaj bote. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat më të mira tek Allahu janë ato të vazhdueshmet, edhe nëse janë të pakta.” Buhariu dhe Muslimi. Edhe nëse është dhikër i paktë ai që e bën njeriu, le të jetë i vazhdueshëm dhe i përhershëm, çdo ditë, mëngjes e mbrëmje.

[1] Ebu Bekri radijAllahu anhu ka qenë babai i Aishes radijAllahu anha, i cili është silësuar es sidik- i sinqerti.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Marrë nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit