Si duhet ta kërkojë myslimani natën e Kadrit?

Si duhet ta kërkojë myslimani natën e Kadrit?

Hoxhë Petrit Perçuku: Allahu i Lartësuar i ka dhënë pozitë e vlerë të lartë natës së Kadrit dhe e ka dalluar atë nga netët e tjera. Ajo është nata më e vlefshme e vitit. Kush pengohet nga adhurimi në këtë natë të bereqetshme, ai është privuar nga çdo e mirë. Dhe prej saj pengohet vetëm ai që është përnjëmend i privuar.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka inkurajuar që ta kërkojmë këtë natë dhe ta adhurojmë shumë Allahun gjatë saj. Në dy Sahihët shënohet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush falet natën e Kadrit me besim (në Allahun) dhe me shpresë (në shpërblimin e Tij), i falen mëkatet e kaluara.”

Është e pëlqyeshme që gjatë saj të shpeshtohen lutjet, e sidomos lutja: “O Allah! Vërtetë Ti je Falës dhe e do faljen, andaj më fal mua!” Tirmidhiu dhe ibn Maxheh.

Nata e Kadrit është në dhjetënetëshin e fundit të Ramazanit, dhe më shumë shpresohet në netët tek. Andaj, muslimani duhet t’i ngjallë me adhurim të gjitha këto net dhe ta urdhërojë edhe familjen e vet për këtë. Në Sahihun e Buhariut përcillet nga Aisha (radijAllahu anha) të ketë thënë: “Kur hynin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e shtrëngonte rripin (përkushtohej shumë në adhurim), e ngjallte natën (me adhurim) dhe e zgjonte edhe familjen.”

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit