Të drejtat e komshiut

Të drejtat e komshiut

Fqinj quhet ai i cili jeton afër, me shtëpi apo banesë, të cilin brenda 24 orëve e sheh disa herë dhe të sheh ty. Allahu për këta ka caktuar të drejta dhe na ka nxitur në përmbajtjen e tyre. Kanë ardhur hadithe të shumta që na tregojnë për të drejtën e komshiut dhe pozitën e lartë që zë kjo çështje. Allahu ka përmendur brenda një ajeti të drejtën e komshiut krahas së drejtës së Tij, “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët…” Nisa 36. Në fund të ajetit thotë: “Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë”. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vazhdimisht Xhibrili më porositi për komshiun (për sjellje të mirë), derisa mendova se do ta bënte trashëgues.” E tërë kjo na sqaron se sa e madhe është e drejta e fqinjit dhe se sa shumë kujdes duhet t’i shtojmë dhe ta ruajmë atë.

Janë dy gjëra të rëndësishme të cilat përmbledhin të gjithë raportin e mirë me komshiun:

-Ta respektojmë, ta nderojmë dhe të jemi bamirës me të në plotë kuptimin e fjalës. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë komshiun e tij!” Në një transmetim tjetër thotë: “…le të sillet mirë (të jetë bamirës)!” Këto janë synime të larta të cilave besimtari duhet t’u kushtojë rëndësi e t’i plotësojë. Sa më shumë që e respekton, e nderon dhe sillesh mirë me fqinjin, aq më shumë do të kesh shpërblim tek Allahu. Në hadith është ndërlidhur besimi me nderimin dhe bamirësinë ndaj fqinjit.

-Të mos e lëndojmë, qoftë me gjuhë apo lëndim fizik. Nëse e lëndon, ta dish se ke shkelur të drejtën e komshiut, nuk e ke dërguar në vend porosinë e Allahut , gjithashtu me këtë ke bërë mëkat dhe e ke ekspozuar veten para dënimit të Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë tri herë: “Pasha Allahun, nuk ka besuar! Pasha Allahun, nuk ka besuar! Pasha Allahun, nuk ka besuar!” E kanë pyetur: “Kush?” “Ai prej të keqes të së cilit komshiu i tij nuk është i sigurt.”

Është obligim ndihma ndaj komshiut, mbrojtja ndaj tij nëse është e nevojshme dhe largimi i dëmeve ndaj tij. Të gjitha këto janë prej sjelljeve fisnike që mëson Islami. Nëse këto nuk ke mundësi t’i veprosh atëherë së paku përpiqu që të mos e lëndosh, qoftë me fjalë a shikim etj.

Muslimani duhet që edhe fëmijët t’i edukojë për respektim ndaj komshiut e t’iu përmbahen të drejtës ndaj tyre. Shpeshherë ndodhë që komshinjtë i ankohen njëri-tjetrit për sjellje jo të mirë të fëmijëve, për ofendime, dhe gjëra të cilat bëhen shkak që ata të kenë raporte jo të mira, probleme e grindje. Prindi duhet që fëmijën e tij ta edukojë duke ia mbjellë moralet fisnike në raport me komshinjtë, në mënyrë që të rritet me to dhe t’ia mësojë se Allahu na ka ngarkuar me këto, e nëse ne e çojmë në vend porosinë e Tij atëherë do të kemi shpërblim të madh. Lukmani i ka thënë djalit të tij duke e këshilluar: “O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe është i mirë informuar.” Lukman 16.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Të drejtat e komshiut” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit