Urtësitë e agjërimit

Urtësitë e agjërimit

• Agjërimi është adhurim që kryhet për hir të Tij.
Përmes agjërimit njeriu afrohet te Zoti i Tij, duke lënë dëshirat e gjërat e dashura dhe që i pëlqen, si: ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime me burrin/gruan. Përmes kësaj shfaqet sinqeriteti i besimit të tij dhe ubudija e tij (të qenit rob adhurues i Allahut) në mënyrën e plotë. Këto i bën për hir të Allahut. Kjo tregon forcën e dashurisë dhe shpresës së madhe që njeriu ka në Allahun. Kjo ngase njeriu nuk ka mundësi të braktisë diçka që e do shumë, përveç nëse atë gjë e braktisë për diçka që në zemrën e tij është më e madhe. Kur besimtari e di se e arrin kënaqësinë e Allahut kur të agjëron për hir të Tij, duke braktisur epshet e dëshirat, me të cilat është brumosur (Allahu i ka krijuar në natyrën e tij), pra i jep përparësi Kënaqësisë së Zotit të tij ndaj epshit të tij, kjo tregon për sinqeritetin e besimit të tij. Ai i braktisë ato që do atëherë kur ka nevojë më së shumti për to, gjatë ditës, ngase kënaqësia e prehja e shpirtit të tij është në arritjen e dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut. Andaj, besimtari edhe nëse rrahet, torturohet a burgoset, që të prishë një ditë të Ramazanit, ai nuk pranon ta prishë atë. Kjo është urtësia pse Allahu e ka ligjësuar (e ka urdhëruar) agjërimin për besimtarët, që përmes këtij adhurimi të arrijnë kënaqësinë e Allahut. Madje kjo është urtësia më e madhe (e ligjësimit të tij).

 

  • Agjërimi është rrugë apo shkak përmes të cilit njeriu e arrin devotshmërinë.

Këtë e ka përmendur vetë Allahu në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të bëheni të devotshëm.” Bekare 183. Siç e dimë, agjëruesi është urdhëruar të braktisë mëkatet dhe të kryejë urdhrat e Allahut (të shtojë sa më shumë adhurimet). Ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Ai që (gjatë agjërimit) nuk i lë fjalët e kota (të këqija, të ulëta), veprat e këqija (mëkatet e bëra me gjymtyrë të tjera) dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.” Buhariu. Agjëruesit, sa herë që i shkon mendja të bëjë një mëkat, i kujtohet se është agjërueshëm dhe e braktisë atë (e ndalë veten). Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka urdhëruar neve që nëse dikush na shan apo na ofendon, duke qenë (ne) agjërueshëm, t’i themi: “Unë jam agjërueshëm!” Përmes kësaj, ai ia tërheqë vërejtjen atij që e shan apo e ofendon, se agjëruesi është i urdhëruar dhe i obliguar të braktisë fjalët e kota, ta ndalë veten nga sharja dhe ofendimi, njëkohësisht me këto fjalë ia kujton vetes se është agjërueshëm, andaj nuk lejohet t’ia kthejë të keqën me të keqe, pra që sharjen e ofendimin t’ia kthejë atij në njëjtën mënyrë.

 

  • Agjërimi e zbrazë zemrën, në mënyrë që ajo ta kujtojë Allahun dhe të meditojë në Të.

Kur njeriu konsumon gjërat që i ka në qejf, kjo detyrimisht sjellë përhumbjen, shkujdesjen. Madje dhe ka mundësi t’i ngurtësohet zemra e të verbërohet dhe (si pasojë) mos ta shohë të vërtetën. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka udhëzuar që sa më pak të hamë e pimë. Muslimani duhet ta pakësojë ngrënien dhe pirjen[1]. Ai ka thënë: “Biri i Ademit, nuk ka mbushur enë më të keqe sesa barkun e tij. Atij i mjaftojnë disa kafshata për ta drejtuar kurrizin e tij (ta largojë urinë). Por, nëse i duhet të hajë më shumë se kaq, atëherë një të tretën (e stomakut) ta ndajë për ushqim, një të tretën për ujë dhe një të tretën për ajër.”[2] Tirmidhiu dhe imam Ahmedi. Handhale el Usejdi, i cili ka qenë prej shkruesve të shpalljes, një ditë i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejjhi ue selem për veten e tij se ka bërë nifak (dyfaqësi) dhe ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Si ka mundësi të bësh nifak?” I ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, kur po jemi me ty dhe po na kujton xhenetin e xhehenemin, aq shumë po na ngritët besimi saqë po na duket se po i shohim me sy tanë. Mirëpo, kur po ndahemi nga ti e po kthehemi te familjet[3], po harrojmë shumicën e kësaj.” Ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Por o Handhale, herë kështu e herë ashtu.” Muslimi. Këtë fjalë e ka thënë tri herë. Ebu Sulejman ed Darani rahimehullah ka thënë: “Vërtetë kur njeriu uritet dhe etet, atëherë zemra e tij pastrohet (dëliret) dhe zbutet. E kur ai të ngopet, zemra e tij verbërohet.”

[1] Të mos e teprojë, të mos tej ngopet, por të hajë me karar, e jo të jetë synimi kryesor i tij barku.

[2] Ta lë të lirë për të marrë frymë lirshëm.

[3] Po angazhohemi me familjen, me gratë, me fëmijët, me profesionet tona etj. E nëse habitet nga angazhimi me ta duke harruar përmendjen e Allahut dhe të ahiretit, kjo nuk do të thotë se personi është bërë munafik (dyfytyrësh në fe). Kështu është njeriu, nganjëherë i ngritët besimi e nganjëherë i bie.

 

  • I pasuri do ta dijë vlerën e pasurisë që ia ka dhënë Allahu

Ai do ta dijë vlerën e mirësive që ia ka dhënë Allahu. Ai i ka dhënë të hajë e pijë (me bollëk) e ia ka mundësuar të martohet, gjëra këto nga të cilat shumë njerëz janë të privuar, andaj ai e falënderon Allahun për to, është mirënjohës që ia ka dhënë këto lehtësime. Porse njëkohësisht dhe e kujton vëllain e uritur e të varfër apo që ka pak ushqim saqë nuk i mjafton ta shuajë urinë. Kur e kujton këtë, bëhet edhe më fisnik dhe bujar, i gjymert, andaj i jep rroba dhe ushqim. Është transmetuar: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu më bujar (fisnik), mirëpo bujaria e tij ka arritur kulmin në Ramazan, kur e ka takuar Xhibrilin për t’ia mësuar Kuranin.” Buhariu dhe Muslimi. (Pra, bujaria e tij ka qenë kulminante në muajin Ramazan).

 

 

  • Agjërimi bën që damarët nëpër të cilët kalon gjaku të ngushtohen[1] duke bërë që të ngushtohen dhe rrugët përmes të cilave shejtani lëvizë në trupin e njeriut

Shejtani lëvizë nëpër trupin e njeriut andej kah lëvizë gjaku i tij, pra e përshkon të gjithë trupin e tij. E gjatë agjërimit, duke u ngushtuar damarët, ngushtohen edhe rrugët nëpër të cilat lëvizë shejtani. Andaj, përmes kësaj gjëje, njeriu qetësohet nga vesveset e shejtanit, gjithashtu arrin të thyejë ashpërsinë dhe arrogancën e shpirtit të tij, si dhe e qetëson zemërimin e hidhërimin e tij. Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: O ju të rinj! Kush ka mundësi nga ju të martohet, le të martohet, ngase martesa e ulë shikimin dhe mbron nderin. Ai që nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, sepse kjo për të është dobësim (وِجاءُ).” Buhariu dhe Muslimi. Fjala “وِجَاءٌ” në arabisht d.m.th.:  tredhje e mashkullit të devesë . Këtu na tregon se si i riu e ruan nderin e tij dhe e thyen forcën e epshit të tij, e këtë e bën përmes agjërimit (nëse nuk ka mundësi të martohet), sepse kjo është si mjet a rrugë përmes së cilës e dobëson epshin e tij.

  • Agjërimi ka dobi të shumta shëndetësore.

Kur njeriu e pakëson ushqimin, ka dobi të shumta shëndetësore, kështu e lë të qetë aparatin tretës për një kohë të caktuar, pengon që në organizimin e tij të mblidhen lëngje e mbeturina që e dëmtojnë trupin e tij. Kështu shohim se sa e madhe është urtësia e Allahut në ligjet, dispozitat e adhurimet të cilat ua ka ligjësuar robërve të Tij, se sa të dobishme janë ato, se sa përmirësuese janë për njeriun dhe shoqërinë.

[1] Nga uria e etja.

  • Stërvitja e vetës për vetëkontroll (mbajtje për frerë)

Kur njeriu arrin ta kontrollojë nefsin (veten, shpirtin) e tij, ka mundësi ta drejtojë nga punët e dobishme, me të cilat arrin lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Ne e dimë se “shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” (Jusuf 53). Nëse ai ia liron frerët vetes së tij, pa dyshim se ajo do ta dërgojë drejtë humnerave të shkatërrimit, e nëse arrin ta kontrollojë dhe mbizotërojë atë, patjetër se do ta detyrojë atë (shpirtin, veten e tij) të shkojë (rrugëtojë) drejt qëllimeve e gradave më të larta.

Prej urtësive që përfshihet nën këtë urtësi është: thyerja e nefsit të tij. Kështu, njeriu arrin ta thyejë ashpërsinë e shpirtit të tij, e largon nga mendjemadhësia e mburrja, pastaj e detyron që t’i bindet e nënshtrohet të vërtetës dhe që të zbutet (të jetë i butë) ndaj krijesave të Allahut. Kur njeriu ha ushqim deri në ngopje dhe pi derisa t’i kalojë etja, po ashtu bën marrëdhënie intime me bashkëshorten, këto e shtyjnë drejt një ndjesie kryelartësie e mendjemadhësie, edhe ndaj të vërtetës, por edhe ndaj krijesave. Kjo sepse shpirti i njeriut i dëshiron këto gjëra, e kur i dëshiron (i ka synim) atëherë angazhohet në arritjen e tyre, dhe kur i vjen mundësia për këtë atëherë sheh se ka fituar, ngase ka arritur diçka që ka dashur. Në këtë mënyrë, gëzohet me gëzim i cili është i nënçmuar në Islam. Po ashtu, kalon në mendjemadhësi, duke u bërë kjo gjë shkak që pastaj të shkojë drejt shkatërrimit. I ruajtur dhe i mbrojtur është vetëm ai të cilin Allahu e ka ruajtur prej të këqijave të shpirtit të tij.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.
Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit