Vendimi për hyrjen e Ramazanit merret nga dy gjëra

 

Vendimi për hyrjen e Ramazanit merret nga dy gjëra:

  1. Shikimi i hënës së re (quhet هلال – hileel).

Thotë Allahu: kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj (e sheh hënën e re), le të agjërojë!” Bekare 185. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “إِذَا رأيتُمُ الهلالَ فصوموا – Kur ta shihni hënën e re agjëroni.” Nuk është obligim për secilin musliman që ta shohë hënën e re. Mjafton një njeri ta shohë. Nëse ai që e sheh është prej atyre dëshmia e të cilit pohohet dhe pranohet, atëherë bëhet obligim agjërimi i Ramazanit nga të gjithë banorët muslimanë të atij vendi.

Për t’u pranuar dëshmia e atij që ka parë hënën e re duhet të plotësojë disa kushte: ai duhet të jetë moshë rritur, i mençur, musliman, që ka shikim të mirë dhe besnik (që i besohet). Nëse është fëmijë i vogël, pa hyrë ende në moshën madhore, atëherë nuk merret në konsideratë dëshmia e tij, as dëshmia e të çmendurit dhe e jobesimtarit. Argument është hadithi që përcillet nga ibn Abbasi radijAllahu anhu: “Një beduin erdhi te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i tha: “Unë e kam parë hënën e re (të muajit Ramazan).” Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem e pyet: “A e dëshmon fjalën La ilahe ilAllah?” ai i thotë: “Po.” –“A dëshmon se Muhamedi është i Dërguar i Allahut?” – “Po.” –“O Bilal, ngrehu lajmëroi njerëzit që të agjërojnë nesër!” Tirmidhiu dhe të tjerë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ia ka pranuar dëshminë këtij njeriu derisa e ka vërtetuar se është musliman.

Nuk i pranohet dëshmia e atij të cilit nuk i besohet lajmit të tij, që njihet se gënjen shumë, apo shpejton në përhapjen e lajmit, apo që e ka shikimin e dobët; në këto raste nuk pohohet hyrja e muajit Ramazan përmes dëshmisë së tij, sepse në origjinë për të kemi dyshim, apo sepse anojmë më shumë se ai edhe në këtë rast mund të gënjejë.

Për hyrjen e muajit Ramazan, siç thamë, pranohet dëshmia e një personi. Për këtë dëshmon fjala e ibn Umerit radijAllahu anhu: “Njerëzit në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem dolën ta shikojnë hënën e re. Unë e njoftova të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem se e kam parë (i vetmi që e ka parë atë). Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem urdhëroi të agjërohet dita e nesërme.” Ebu Daudi dhe të tjerë.

Ai që e sheh hënën e re duke qenë i bindur, e ka obligim t’i lajmërojë udhëheqësit apo përgjegjësit e shtetit. Njëjtë është dhe ai që sheh hënën e re të muajit Shewal apo Dhul Hixheh, sepse me këta tre muaj ndërlidhen disa prej adhurimeve në Islam, si: agjërimi në muajin Ramazan, ndërprerja e agjërimit me hyrjen e muajit Shewal duke bërë Bajram, bërja e Haxhit në muajin Dhul Hixheh. Është rregull në Islam se një gjë që nuk plotësohet obligimi veçse përmes saj, edhe ajo bëhet obligim. Andaj nëse dikush sheh hënën e re duke qenë i bindur në këtë dhe është në një vend të largët duke mos pasur mundësi t’i lajmërojë udhëheqësit apo përgjegjësit e shtetit, ai e ka për obligim të agjërojë dhe duhet të mundohet që t’ua përcjellë lajmin të tjerëve sipas mundësive. E nëse njoftohet për hyrjen e muajit Ramazan prej njerëzve kompetentë, përmes radios apo mjeteve të tjera, atëherë e kanë obligim ta pranojnë këtë lajm dhe ta fillojnë agjërimin, po ashtu dhe ta ndërpresë atë kur bëhet lajmërimi nga ta për shikimin e hënës së muajit Shewal. Lajmi që vjen prej shtetit, në Islam është argument sheriatik dhe është obligim të punohet me të. E lexuam më lartë hadithin në të cilin tregohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e urdhëroi Bilalin radijAllahu anhu t’i lajmërojë njerëzit se nesër është Ramazan, kjo me dëshminë e beduinit. Kur është pohuar kjo gjë tek i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, vetë ai ka qenë kryetari i shtetit, udhëheqësi, dhe i ka lajmëruar njerëzit përmes Bilalit, atëherë të gjithë e kanë pasur obligim ta pranojnë këtë lajmërim dhe të agjërojnë Ramazanin. Kur të pohohet hyrja e muajit Ramazan përmes rrugëve e mjeteve sheriatike, siç e kuptuam, duhet ditur se nuk merren parasysh fazat nëpër të cilat kalon hëna (parallogaritja e tyre), ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem këtë vendim e ka ndërlidhur ngushtë me shikimin e hënës së re (hilel-in), e jo me fazat nëpër të cilat kalon ajo gjatë rrotullimit të saj. Ai ka thënë: “Kur të shihni hënën e re, agjëroni. Kur ta shihni përsëri, ndërpriteni atë.”[1] Dhe ka thënë: “Kur të dëshmojnë dy dëshmitarë muslimanë agjëroni dhe ndërpriteni.”

  1. Plotësimi i 30 ditëve të muajit paraprak, që është muaji Shaban.

Muaji hënor nuk ka mundësi të ketë më shumë se 30 ditë. Po ashtu as më pak se 29 ditë. Ndodhë nganjëherë që dy, tre apo katër muaj radhazi të kenë nga 30 ditë apo 29, mirëpo kjo ndodhë rrallë. Zakonisht janë dy muaj që kanë nga 29 ditë apo 30 ditë. Në rast se hëna e re nuk shihet, atëherë plotësohen 30 ditë të muajit paraprak dhe pas kësaj merret vendimi se ka hyrë muaji i radhës. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndërpriteni kur ta shihni përsëri. Nëse ju pengon diçka për ta parë atë (ka vranësira apo pluhur etj.), atëherë llogaritni (plotësoni) 30 ditë të muajit.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe thotë: “Nëse keni pengesë për ta parë hënën e re, plotësojini muajin Shaban 30 ditë.” Aisha radijAllahu anha ka thënë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka kushtuar kujdes muajit Shaban më shumë se çdo muaji tjetër (për ta parë hënën e re), pastaj kur e ka parë hënën e re të muajit Ramazan ka agjëruar. Nëse ka pasur pengesë duke mos mundur ta shohë, e ka plotësuar Shabanin 30 ditë dhe ka filluar të agjërojë (Ramazanin).”

 

Përmes këtyre haditheve e transmetimeve na bëhet e qartë se nuk lejohet të fillohet agjërimi i muajit Ramazan para se të shihet hëna e re e tij. E nëse nuk arrihet të shihet, duhet të plotësohet muaji Shaban 30 ditë. Nuk lejohet agjërimi i ditës së 30-të të muajit Shaban, qoftë nëse nata[2] është me vranësira apo e kthjellët, ngase Amar bin Jasiri radijAllahu anhu ka thënë: “Ai që e agjëron ditën e dyshimtë (se a është Ramazan apo jo), ka treguar mosbindje dhe mëkat ndaj Ebul Kasimit[3] (Muhamedit salAllahu alejhi ue selem).” Tirmidhiu dhe të tjerë.

 

[1] Është për qëllim shikimi i hënës së muajit Shewal, që vjen pas muajit Ramazan. Dhe me hyrjen e muajit Shewal ndërpritet agjërimi dhe hyn Bajrami duke u bërë i ndaluar agjërimi.

[2] Nata paraprinë ndaj ditës në Islam, në këtë rast është fjala për natën e ditës së 30-të.

[3] Ka qenë kunja e tij në bazë të asaj sepse djali i tij i madh që i ka vdekur i vogël e ka pasur emrin Kasim. Dhe Ebul Kasim apo Ebu el Kasim do të thotë: Babai i Kasimit.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit – ? Hoxhë Lulzim Perçuku.

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit