Veprat e mira nuk përfundojnë me përfundimin e Ramazanit

Veprat e mira nuk përfundojnë me përfundimin e Ramazanit

Me përfundimin e muajit të Ramazanit, nuk përfundojnë veprat e mira të besimtarit. Veprat e tij përfundojnë vetëm atëherë kur vdes. Allahu i drejtohet Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” Hixhr 99. Nuk duhet që me përfundimin e Ramazanit t’i përfundojmë dhe veprat e mira që kemi bërë në të. Dhe thotë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur robi (i Allahut) vdes, ndërpritet vepra e tij.” Buhariu dhe Muslimi. Kur vdes njeriu, atëherë duhet të përfundojnë veprat. Andaj, duhet ditur që nëse muaji i Ramazanit po përfundon, besimtari nuk duhet ta ndërpresë agjërimin si adhurim.

Agjërimi vazhdon të jetë i ligjshëm edhe pas Ramazanit. Allahu na ka lënë të lirë të agjërojmë gjatë tërë vitit. Ebu Ejub el Ensari radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin, pastaj ia bashkon gjashtë ditë prej muajit Shewal, është sikur të agjërojë tërë kohën.” Muslimi. Po ashtu agjërimi i tri ditëve në çdo muaj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të agjërohen tri ditë të çdo muaji, prej Ramazanit në Ramazan, është sikur të agjërohet tërë kohën.” Muslimi. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka thënë: “I Dashuri im (Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem) më ka këshilluar me tri vepra (m’i ka lënë amanet)…”, në mesin e tyre përmend: “…agjërimin e tri ditëve në çdo muaj.” Më së mirë është që këto tri ditë të agjërohen kur janë ditët e bardha: dita e trembëdhjetë, e katërmbëdhjetë dhe e pesëmbëdhjetë e muajit. Për këtë tregon hadithi i Ebu Dherrit radijAllahu anhu i cili tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “O Ebu Dherr, nëse dëshiron të agjërosh tri ditë të muajit, agjëroje ditën e trembëdhjetë, të katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë.” Tirmidhiu dhe Nesaiu. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit ka thënë: “Ajo i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.” Muslimi. Kur është pyetur për agjërimin e ditës së Ashurës ka thënë: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar.” Muslimi. Kur është pyetur për agjërimin e ditës së hënë ka thënë: “Ajo është dita kur kam lindur dhe dita kur ka filluar të më zbres Shpallja.” Muslimi. Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon: “Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur se cili është agjërimi më i mirë pas Ramazanit dhe ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut- muajit Muharrem.” Muslimi. Aisha radijAllahu anha tregon: “Nuk e kam parë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të ketë agjëruar tërë muajin përveç muajit të Ramazanit dhe nuk kam parë të ketë agjëruar ndonjë muaj (përveç Ramazanit) më shumë sesa muajin Shaban.” Në një transmetim tjetër thotë: “E ka agjëruar muajin Shaban pothuajse të tërin, përveç disa ditëve.” Buhariu. Po ashtu ajo thotë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka kushtuar kujdes vazhdimisht agjërimit të ditës së hënë dhe të enjte.” Nesaiu dhe ibn Maxheh. Po ashtu Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat e njeriut i shfaqen Allahut në ditën e hënë dhe të enjte. Dhe unë dëshiroj që kur veprat e mia të shfaqen (të ngritën lartë) të jem agjërueshëm.” Tirmidhiu dhe ibn Maxheh.

Po ashtu, me përfundimin e muajit të Ramazanit nuk përfundon falja e namazit të natës. Falja e namazit të natës vazhdon çdo natë prej netëve të vitit. Falja e namazit të natës është pohuar edhe si vepër, edhe si thënie e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Mugiratu bin Shu’beh radijAllahu anhu tregon: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka falur namaz nate sa i janë ënjtur këmbët. Ia kanë përmendur këtë dhe ka thënë: “A të mos jem rob falënderues (ndaj Allahut)?!”[1] Buhariu dhe Muslimi. Abdullah ibn Selam radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju njerëz, përhapeni selamin sa më shumë, jepni ushqim, mbajini lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në xhenet me selam (paqe)!” Tirmidhiu. Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Namazi më i mirë pas namazit farz është ai i natës. Muslimi. Namazi i natës përfshin të gjitha namazet vullnetare (nafile) që falen gjatë natës, e së bashku me të është edhe vitri. Namazi i natës falet dy nga dy rekate, siç ka ardhur në hadithin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, e nëse dikush frikësohet se është afruar koha e sabahut dhe ende nuk e ka përfunduar namazin e natës, atëherë le ta përmbyllë me një rekat vitër. Nëse do, mund ta falë namazin e natës ashtu siç e kemi sqaruar në ndejën e katërt. Ebu Hurjera radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Zoti ynë zbret çdo natë në qiellin e dunjasë kur mbetet pjesa e tretë e fundit e natës e thotë: “Kush është ai që më lutet Mua e Unë t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që kërkon prej Meje e Unë t’i jap atij? Kur është ai që kërkon falje prej Meje e Unë ta fal atë?” Buhariu dhe Muslimi.

Po ashtu vazhdon falja e suneteve të rregullta, para dhe pas farzeve, që janë gjithsej dymbëdhjetë rekate: katër para farzit të drekës e dy pas tij, dy pas farzit të akshamit, dy pas farzit të jacisë dhe dy rekate para farzit të sabahut. Ummu Habibe radijAllahu anha tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të thotë: “Nuk ka musliman që fal për Allahun dymbëdhjetë rekate jashtë namazit farz, veçse Ai do t’ia ndërtojë një shtëpi në xhenet.” Në një transmetim tjetër thotë: “Atij që fal dymbëdhjetë rekate gjatë ditës e natës (jashtë farzeve), Allahu do t’ia ndërtojë një shtëpi në xhenet.” Muslimi.

Po ashtu vazhdon përmbajtja ndaj dhikrit që thuhet pas pesë namazeve farz. Allahu na ka urdhëruar ta përmendim Atë pas namazit (farz). Për këtë dhikër na ka nxitur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë: Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” Nisa 103. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dhënë selam në namazin farz ka thënë tri herë: “Estagfirull-llah – أستغفرالله  e pas kësaj ka thënë: “اللَّهُمَّ أنتَ السلامُ ومنكَ السلامُ تباركتَ يا ذَا الجلالِ والإِكرام – O Allah, Ti je Selam (i Patëmeta, Ai që u sjell siguri/shpëtim njerëzve), prej Teje vjen siguria/selameti, i Madhërishëm je Ti o Zotëruesi i Madhërisë dhe i Bujarisë!” Po ashtu ka thënë: “Atij që thotë pas namazit (farz) 33 herë subhanAllah, 33 herë elhamdulilah dhe 33 Allahu ekber, pastaj këtë e përmbyllë me thënien “لا إِله إِلاَّ الله وحدَه لا شريكَ لهُ، لهُ الملكِ وله الحمدُ وهو على كلِّ شيء قدير”, do t’i falen të gjitha mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” Muslimi dhe Ahmedi.

Duhet të mundohemi të shtojmë adhurimet tona ndaj Allahut e të largohemi nga mëkatet e të këqijat, në mënyrë që të fitojmë jetën e bukur e të lumtur që na ka premtuar në këtë botë dhe shpërblimin e madh në ahiret. Jeta e lumtur në këtë botë dhe shpërblimi i madh në ahiret arrihen përmes veprave të mira e adhurimeve. Sa më shumë që shtojmë prej tyre, aq do të kemi jetë më të lumtur. Allahu na ka premtuar këtë në Kuran: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97.

E lusim Allahun të na forcojë në besim, në këtë fe! E lusim të na forcojë që të shtojmë veprat e mira! E lusim të na japë jetë të bukur e të lumtur dhe të na bashkojë në ahiret me njerëzit e devotshëm, me Pejgamberët, me dijetarët, dëshmorët e të sinqertit! Lavdia i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

[1] Në transmetime të tjera i kanë thënë: “Edhe pse të janë falur mëkatet e tashme e të kaluara, e bën këtë adhurim?!”, e ai ka thënë: “A të mos jem rob falënderues (ndaj Allahut)?!” Adhurimi ndaj Allahut nuk përfundon kurrë. Edhe nëse e adhurojmë Allahun tërë jetën, nuk kemi mundësi t’ia japim të drejtën që Ai ka ndaj nesh. Mjafton kjo gjë (falënderimi ndaj Allahut) që ne të shtojmë adhurimet tona.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Libri “Ndejat e Ramazanit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit