A e kemi obligim që kur ta përmendim emrin e Allahut t’ia bashkëngjisim fjalë të tjera, si: Allahu Dhul Xhelal, sikur që e kemi obligim për Pejgamberin të  themi salAllahu alejhu ue selem?

A e kemi obligim që kur ta përmendim emrin e Allahut t’ia bashkëngjisim fjalë të tjera, si: Allahu Dhul Xhelal, sikur që e kemi obligim për Pejgamberin të  themi salAllahu alejhu ue selem?

Të dyja çështjet (madhërimi, lavdërmi dhe lartësimi i Allahut dhe salewatet për të Dërguarin salAllah alejhi we selem) janë prej adhurimeve me të cilat njeriu afrohet tek Allahu i Lartësuar, si dhe përmes tyre arrin shpërblim dhe sevap të madh tek Ai. Allahu i Lartësuar na thërret që ta madhërojmë Atë. Ai, qoftë i Lartësuar, thotë: “Prandaj lavdërojeni Allahun, kur bie muzgu dhe, kur gdhin drita! Për Atë është falënderimi në qiej dhe në Tokë, në mbrëmje dhe në mesditë.” (Err-Rrum, 17-18); “Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje. Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe, natën falju gjatë Atij.” (El-Insan, 25-26). “…dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun) në mëngjes dhe mbrëmje.” (El-Fet’h, 9); dhe shumë tekste tjera të cilat në mënyrë të qartë tregojnë për inkurajimin që të madhërohet e lavdërohet Allahu pa kufizim dhe në çdo kohë. Dhe, ashtu siç Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të madhërohet dhe lavdërohet Ai, po ashtu ka urdhëruar që të dërgohen salawate dhe selam për të Dërguarin salAllahu alejhi we selem. Allahu i Madhërishëm thotë: “Vërtetë, Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salewate për të Dërguarin. O ju që keni besuar, dërgoni salewate dhe selam për të.” (El-Ahzab, 56). Po ashtu, i Dërguari, salAllahu alejhiwe selem, ka thënë: “Koprrac i vërtetë është ai që kur përmendet emri im në prezencën e tij, nuk dërgon salawate për mua.” E transmeton Imam Ahmedi. Ndërsa, sa i përket obligueshmërisë së dërgimit të salawateve për të Dërguarin salAllahu alejhi we selem sa herë që përmendet emri i tij, rreth kësaj çështjeje ka mospajtime mes dijetarëve. Disa prej tyre e mbështesin mendimin se kjo është vetëm e preferuar (mustehab). Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, kur e përmend mospajtimin e dijetarëve rreth vendimit për dërgimin e salewateve – në librin e tij “Fet’hul Barij” – duke iu kundërpërgjigjur atyre të cilët e kanë mendimin se dërgimi i salewateve është obligim, thotë (kuptimi i fjalëve të tij: “Sikur të kishte qenë obligim (dërgimi i salewateve), atëherë do të ishte më parësore të thuhet se është obligim lavdërimi dhe madhërimi i Allahut sa herë që përmendet emri i Tij. Por, ata (dijetarët e mendimit të parë) nuk e thonë këtë.” Këto fjalë të Ibën Haxherit (edhe pse nuk di a kanë dhënë dijetarët e mendimit të parë ndonjë kundërpërgjigje për to), na japin të kuptojmë se lavdërimi dhe madhërimi i Allahut të Lartësuar është më i konfirmuar se dërgimi i salewateve për të Dërguarin salAllahu alejhi we selem. Në këtë kuptim ka ardhur edhe vetë urdhri i të Dërguarit salAllahu alejhi we selem, i cili na nxit që lutjet dhe fjalimet tona t’i fillojmë së pari me hamd (lavdërim) ndaj Allahut të Lartësuar, e pastaj me dërgimin e salewateve për të salAllahu alejhi we selem. Transmetohet në Sunenin e Tirmidhiut prej Fudaleh bin Ubejd se një ditë, derisa i Dërguari salAllahu alejhi we selem ishte ulur në xhami, hyn një burrë dhe falet, pastaj ai (burri) lutet: “O Allah, më fal mua dhe më mëshiro!” I Dërguari salAllahu alejhi we selem i thotë: “U ngute o falës i namazit! Kur të falesh dhe pastaj ulesh, së pari lavdëroje Allahu ashtu siç Ai e meriton, dërgo salewate për mua dhe pastaj lutu.” Kështu vepronin edhe sahabët (shokët) e të Dërguarit salAllahu alejhi we selem. Të gjitha lutjet dhe ligjërimet (fjalimet) e tyre i fillonin së pari me lavdërim dhe falënderim për Allahun, pastaj dërgonin salewate për të Dërguarin salAllahu alejhi we selem. Pasi u sqarua kjo, atëherë arrijmë në përfundim se ka mospajtime mes dijetarëve rreth dërgimit të salewateve për të Dërguarin salAllahu alejhi we selem sa herë që përmendet emri i tij. Kurse lavdërimi, madhërimi dhe falënderimi ndaj Allahut është vepër më e konfirmuar sesa e para (salewatet). Edhe nëse themi se dërgimi i salewateve për të Dërguarin salAllahu alejhi we selem është obligim, kurse lavdërimi dhe madhërimi i Allahut nuk është obligim (apo është obligim, por njeriu nuk i kushton kujdes të përhershëm atij), atëherë nuk mund të themi se vijueshmëria në dërgimin e salewateve për të Dërguarin salallahu alejhi we selem, sa herë që përmendet emri i tij, është teprim apo hyjnizim i tij. Përkundrazi, kjo thjeshtë është zbatim i urdhrit të Allahut të Lartësuar dhe urdhrit të të Dërguarit të Tij salAllahu alejhi we selem. Allahu e di më së miri!

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.