23. Këshilla të dobishme

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kalo në anën në të cilën janë Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), edhe nëse tërë njerëzit janë në anën tjetër.” (El-Feuaid, 167).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Muslimani e ka për detyrë të ruhet nga shirku dhe nga çdo rrugë që çon drejt tij, e po ashtu dhe nga të gjitha mëkatet, sepse ndodh të sprovohet me diç nga këto, e pastaj nuk i mundësohet pendimi.” (Mexhmu’u El-Fetua, 5/411).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Jeta e kësaj bote është burg për besimtarin dhe xhenet për jobesimtarin.” (Muslimi).

 

  • Enesi (radijAllahu anhu) tregon: “Shpeshherë e dëgjoja të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke u lutur me këto fjalë: “O Allah, me Ty mbrohem nga brengat, nga pikëllimi, nga pafuqia, nga përtacia, nga koprracia, nga jotrimëria, nga rëndimi i borxhit dhe nga mposhtja e njerëzve (ndaj meje)!” (Buhariu).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse me varjen e ajeteve të Kuranit në muret e shtëpisë kihet për qëllim arritja e bereqetit apo shprehja e adhurimit ndaj Allahut, atëherë kjo është bidat (shpikje në fe). E nëse kihet për qëllim përkujtimi, atëherë është një gjë e pakuptimtë.” (Lika’ El-Ba’b El-Meftu’h, 87).

 

  • Imam Sufjan ibn U’jejne (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është i mençur ai që e di të mirën dhe të keqen, por ai që kur e sheh të mirën e pason atë dhe kur e sheh të keqen largohet prej saj.” (Hiljetu El-Evlija, 8/339).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, prej shenjave të Kiametit është që dija (fetare) të kërkohet tek të vegjlit.” Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ajo çfarë kuptoj unë është se, me “të vegjlit” kihen për qëllim injorantët, të cilët flasin pa pasur dije nga Kurani e Suneti, dhe si pasojë e kësaj lajthisin vetë dhe i lajthisin edhe të tjerët.” (Es-Silsile Es-Sahiha, hadithi nr. 695).

 

  • Vuhejb ibn El-Uerd (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përpara thuhej: “Urtësia është dhjetë pjesë: nëntë pjesë janë te heshtja, ndërsa e dhjeta është te mospërzierja me njerëz.” (Es-Samt, ibn Ebi Ed-Dunja, 62).

 

  • Disa njerëz të mirë thoshin: “Ku gjen sikur vëllai besimtar i mirë?! Familja jote e ndajnë pasurinë tënde mes vete pasi që të vdesësh, ndërsa ai është vetmuar diku dhe i pikëlluar lutet për ty, gjersa ti je nën dheun e tokës.” (Mexhmu’u Resail ibn Rexheb, 2/423).

 

  • “Nuk është sjellje e mirë me gruan që ajo të jetë nën kërcënimin dhe paralajmërimin e shkurorëzimit (nga ana e burrit) në çdo rast e rrethanë.” (Kurretu U’jun El-Muvehhidin, 39).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Afria fetare është më e madhe sesa afria e atdheut; afria mes zemrave dhe shpirtrave është më e madhe sesa afria trupore.” (Minhaxh Es-Sunne, 7/78).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kurrë nuk është e mundur që pasuesit të Sunetit t’i shtrohet rruga me trëndafila e lule; ai që synon një gjë të tillë, ka synuar diçka të pamundur.” (Sherh En-Nunijje, 3/270).

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ai që i frikësohet daljes para Zotit të tij dhe e frenon veten nga dëshirat (epshet), pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” En-Nazi’at, 40-41). Mukatili (Allahu e mëshiroftë) shpjegon: “Fjala është për atë që dëshiron të bëjë mëkat, mirëpo e kujton daljen para Allahut për të dhënë llogarinë dhe tërhiqet.” (Tefsir El-Begauij).

 

  • Malik ibn Dinari (Allahu e mëshiroftë) lutej: “O Allah, Ti i ke përmirësuar të mirët, andaj na përmirëso edhe neve, që të jemi të mirë.” (Et-Teube, ibn Ebi Ed-Dunja, 75).

 

  • Sulejman ibn Abdullah Al Esh-Shejh (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ashtu siç thuhet: “Gjërat njihen nëpërmjet të kundërtave të tyre”, pra kush nuk e njeh shirkun, nuk e njeh as teuhidin, e po ashtu edhe anasjelltas.” (Tejsir El-Aziz, 1/348).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shejtani i mposht zemrat e njerëzve, pastaj u jep premtime dhe i josh me shpresa të kota dhe mbjell në to gjëra të dëmshme, të cilat e prishin jetën e dritën e tyre, i largojnë nga çdo e mirë dhe i çojnë drejt çdo të keqeje.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 3/245).

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se kurrë nuk e do Allahun, nëse nuk e do bindjen ndaj Tij.”

 

  • Ebu Ja’kub En-Nehrexhurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush pretendon se e do Allahun, mirëpo nuk i kryen urdhrat e Tij, atëherë pretendimi i tij është i kotë.”

 

  • Jahja ibn Mu’adh (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është i vërtetë në thënie ai që pretendon se e do Allahun, mirëpo i shkel kufijtë e Tij. (D.m.th. bën harame).” (Kelimetu El-Ihlas, ibn Rexhebi, 40-41).

 

  • Imam Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “S’ka gjë që ia thyen më shumë kurrizin Iblisit sesa thënia la ilahe il-lAllah.” (Sijer A’lam En-Nubela, 7/260).

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) i tha Firezdekut (një poeti të njohur) gjersa ky ishte duke e varrosur gruan e tij: “Çfarë ke përgatitur për këtë ditë?” Ai i tha: “Kam përgatitur dëshminë la ilahe il-lAllah që prej shtatëdhjetë viteve.” Haseni ia ktheu: “Sa përgatitje e mirë! Mirëpo fjala la ilahe il-lAllah ka kushte. Andaj, ruaju dhe mos i fyej besimtaret e dëlira (nëpër poezitë tua).” (Kelimetu El-Ihlas, ibn Rexhebi, 21).

 

  • Imam Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bëj sa më shumë vepra të mira, do të gjesh prehje në varr. Largohu nga të gjitha haramet, do ta gjesh ëmbëlsinë e besimit.” (Hiljetu El-Evlija’, 7/82).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Origjina e çdo të keqe është kur i jepet përparësi opinioneve të njerëzve ndaj fesë dhe epsheve ndaj mendjes së shëndoshë.” (Igathetu E-Lehfan, 2/165).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit