25. Këshilla të dobishme

Fotoja
  • Imam Jahja ibn Me’in (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Kurrë nuk kam parë si Ahmed ibn Hanbeli! E kam shoqëruar pesëdhjetë vite dhe kurrë nuk është mburrur para nesh me devotshmërinë që e kishte, mirëpo vazhdimisht thoshte: “Ne jemi njerëz të ngratë.”

 

  • Hafëzët e hadithit tregojnë: “E pamë imam Ahmedin në tregun e Bagdadit. Ai e bleu një grumbull drunj të prerë dhe i vendosi mbi supe. Kur njerëzit e kuptuan se kush ishte, i braktisën dyqanet e tezgat e tyre dhe ata që kishin dalë në treg ndaluan së ecuri, për t’i dhënë selam. Ata i thoshin: “Në lër t’i bartim drunjtë në vend teje!”. Mirëpo ai bënte me dorë: “jo”, iu skuq fytyra nga zemërimi dhe tha: “Ne jemi njerëz të ngratë. Sikur të mos ishte mbulesa e Allahut ndaj nesh, gjendja jonë e vërtetë do të dilte sheshazi!” Erdhi një njeri që ta lavdëronte imam Ahmedin, mirëpo ky ia ktheu: “Allahun e kam dëshmitar se të urrej për këto fjalë. Sikur t’i dije mëkatet e mia, do të më hidhje dhe mbi kokë!” Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “I mjeri unë! Më mirë të mos isha i famshëm! I mjeri unë! Sikur të isha në ndonjë luginë të maleve të Mekes dhe të mos më njihnin njerëzit.” Hiljetu El-Evlija’, 9/181.

 

  • Ez-Zerkanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i do ata që këmbëngulin në lutjet e tyre, sepse në këtë ka nënshtrim, dorëzim dhe shfaqje të nevojës për Të. Kush e shpeshton trokitjen në portë, pritet që t’i hapet. Kush i shpeshton lutjet, pritet që t’i kthehet përgjigjja.” Sherh Muvetta’ Malik.

 

  • Imam Fudajl ibn Ijad (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “O i ngratë! Ti je mëkatar, ndërsa mendon se je duke bërë mirë! Ti je injorant, e mendon se je i ditur! Ti je koprrac, e mendon se je dorëlirë! Ti je kokëtrashë, e mendon se je i zgjuar! Jeta jote është e shkurtër, kurse shpresa jote është e madhe!” Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) ndërlidhet: “Po, pasha Allahun! Të vërtetën e ka thënë. Ti, po ashtu, je i padrejtë dhe mendon se të kanë bërë padrejtësi! Ti ha haram dhe pretendon se je njeri që i druhet gjërave të ndaluara! Ti je mëkatar i madh, e mendon se je njeri i drejtë! Ti je kërkues i dijes për interesat e kësaj bote, e mendon se je duke e kërkuar për hir të Allahut!” Sijer A’lam En-Nubela’, 8/440.

 

  • Muhamed ibn El-Munkedir (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i ruan nëpërmjet njeriut të mirë, fëmijët e tij, fëmijët e fëmijëve të tij dhe shtëpitë që i ka përreth. Ata vazhdimisht janë në ruajtje e mbulesë prej Allahut.” Xhami’u El-Ulumi ue El-Hikem, 467.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është çështja që ta duash Allahun, por që Ai të dojë ty. E Ai nuk të do, derisa ta pasosh të dashurin e Tij (Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me anën tënde të brendshme e të jashtme. E nëse nuk e ke këtë, atëherë mos u lodh!” Medarixh Es-Salikin, 3/39.

 

  • Jahja ibn Ebi Kethir (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bartësi i fjalëve dhe gënjeshtari për një çast e prishin atë që magjistari nuk mund ta prishë për një vit.” Behxhetu El-Mexhalis, ibn AbduBerr, 1/403.

 

  • Ahmed El-Enkatij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përmirësoje pjesën e jetës që të ka mbetur, do të të falet pjesa që ka shkuar.” Sijer Al’am En-Nubela’, 10/488.

 

  • Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) thotë: “Vërtetë, shtëpia në të cilën lexohet Kurani u mjafton banorëve të saj, në të vijnë engjëjt, ikin prej saj shejtanët dhe i shpeshtohen të mirat. Ndërsa, shtëpia në të cilën nuk lexohet Kurani iu duket e ngushtë banorëve të saj, engjëjt largohen nga aty, shejtanët vijnë dhe i pakësohen të mirat.” Sunen Ed-Daremij, 3352.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se jeta jote u shkon pas mendimeve tua. Nëse janë mendime që të sjellin dobi në fe apo në këtë botë, atëherë jeta jote do të jetë e mirë dhe e lumtur. E nëse jo, atëherë do të jetë e kundërta.” El-Uesail El-Mufide, 31.

 

  • Kur hynin dhjetë ditët e muajit Dhul-Hixhxheh, imam Seid bin Xhubejr (Allahu e mëshiroftë) përpiqej aq shumë në kryerjen e adhurimeve, saqë gati rraskapitej.” Sunen Ed-Daremij, 1774 dhe Bejhekiu në Esh-Shua’b, 3752. Ai thoshte: “Mos i fikni llambat tuaj gjatë këtyre dhjetë netëve!” domethënë: lexoni Kuran e faluni sa më shumë. Hiljetu El-Evlija’, 4/281. Hafëz ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shkaku pse janë dalluar dhjetë ditët e muajit Dhul-Hixhxheh është se në to mblidhen adhurimet kryesore, si: namazi, agjërimi, lëmosha e haxhi; dhe këto nuk mblidhen në ditët tjera të vitit.” Fet’h El-Barij, 2/466.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Është çudi sesi njerëzit tregohen të pakujdesshëm ndaj këtyre dhjetë ditëve (të Dhul-Hixhxhes). Ata përpiqen fort në kryerjen e veprave të mira gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, mirëpo gjatë këtyre dhjetë ditëve gati nuk e sheh askënd që i dallon nga ditët e tjera të vitit. Nëse njeriu kryen vepra të mira gjatë këtyre dhjetë ditëve, duke e ngjallur kështu udhëzimin e të Dërguarit (sal-lAllajhu alejhi ue sel-lem) në kryerjen e tyre, atëherë ai është në mirësi të madhe.” Mexhmu’u El-Fetaua, 21/37).

 

  • Imam Fudajl ibn Ijad (Allahu e mëshiroftë) e pyeti njërin: “Sa vjet i ke?” “Gjashtëdhjetë” – ia ktheu ai. Fudajli i tha: “Qe gjashtëdhjetë vite je duke udhëtuar drejt Zotit tënd dhe gati sa nuk ke mbërritur.” Letaif El-Me’arif, 303.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkuan: “Katadeh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Allahu i krijoi engjëjt si krijesa me intelekt, pa epsh. I krijoi kafshët si krijesa me epsh, pa intelekt. Dhe e krijoi njeriun si krijesë me intelekt e me epsh. Andaj, kujt ia mund intelekti epshin, ai është me engjëjt. E kujt ia mund epshi intelektin, ai është sikur kafshët.” Uddetu Es-Sabirin, 1/15.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ilaçi më i dobishëm është ta angazhosh veten me mendime që të sjellin dobi, e jo me ato që nuk të hyjnë në punë, sepse mendimi rreth gjërave që nuk të hyjnë në punë është dera e çdo të keqeje.” Feuaidu El-Feuaid, 233.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk ka dit në të cilat vepra e mirë është më e vlefshme sesa në dhjetë ditët (e para të Dhul-Hixhxhes).” Sahih Et-Tergib, 1149. Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Veprat e mira gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhxhes janë të llojllojshme: leximi i Kuranit, përmendja e Allahut: subhanAllah, elhamdulil-lah, Allahu ekber, urdhërimi për të mirë, ndalimi i të keqes, shtimi i namazeve vullnetare, dhënia e lëmoshave, bamirësia ndaj prindërve, vizita e farefisit; veprat e mira s’mund të numërohen. Nëse e jep lëmoshë një dërhem gjatë këtyre ditëve dhe një dërhem gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, cili është më i dashur tek Allahu? Lëmosha gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhxhes është më e dashur tek Allahu sesa ajo në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit.” (El-Lika’ Esh-Shehrij, 2/10).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu tha: “Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë.” (El-Kehf, 28). E nuk tha: “Mos dëgjo atë “gjuhën” e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë.” Sepse mospërfillja e vërtetë është ajo e zemrës. Për këtë arsye, përmendja e Allahut duhet të burojë nga thellësia e zemrës tënde, e jo ta përmendësh Atë vetëm me gjuhë, ndërkohë që zemrën e ke të pavëmendshme.” Sherh Sahih El-Buharij.

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në disa gjurmë të brezave të parë të muslimanëve përmendet: “Allahu e sprovon njeriun në mënyrë që ta dëgjojë përgjërimin e tij.” Mexhmu’u Er-Rasail, 1/74.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e kërkon udhëzimin diku tjetër përveç Kuranit dhe Sunetit, vetëm se i shtohet largimi nga Allahu.” Mexhmu’u El-Fetaua, 5/120.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, ndërsa vendet më të urryera tek Ai janë tregjet.” Imam Uthejmini shpjegon: “Kështu sepse nëpër tregje ku bëhet shitblerja, përveç ato që i ka ruajtur Allahu, janë të zakonshme rrena, mashtrimi, tradhtia, betimi e gjëra të kësaj natyre. Për këtë arsye ato janë vendet më të urryera tek Allahu.” Sherh Rijad Es-Salihin.
  • Ebu Hazim (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Pjesa e kaluar e jetës së kësaj bote është sikur ëndërr, ndërsa pjesa e mbetur është e mbushur me shpresa.” Hiljetu El-Evlija, 3/275.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Jetën e kësaj bote dhe shejtanin i ke dy armiq të jashtëm, ndërsa shpirti yt është armiku i brendshëm.” Bedai’u El-Feuaid, 3/266.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva