7. KËSHILLA TË DOBISHME

  • Dijetari i madh Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Ditët e sotme janë ditë të sprovave e sherreve, dhe muslimani është bërë sikur delja në mesin e ujqërve që duan ta shqyejnë. Andaj, rrini me bashkësinë e muslimanëve!” El-Ixhabat El-Muhimme, 190.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: Shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) janë burimi i çdo dije, përmirësimi, udhëzimi dhe mëshire në fenë Islame.” Minhaxh Es-Sunne, 6/368.

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pak vepra, mirëpo sipas Sunetit, është më e mirë se shumë vepra, mirëpo në bidat.” Xhami’u Bejani El-Ilmi ue Fadlihi, 2367.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Çdo betim që bëhet në dikë tjetër përveç Allahut është shirk.” Es-Sahiha, 2042 dhe Sahih El-Xhami’, 4567.

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ktheju vetes dhe kontrolloje atë; ndoshta ke mëkate e mosbindje ndaj Allahut, të cilat janë bërë shkak për mospranimin e lutjeve të tua.” Mexhmu’u El-Fetaua, 5/304.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “I devotshmi i vërtetë është ai që, sa herë i shtohen begatitë e Allahut, i shtohet modestia ndaj të vërtetës dhe krijesave.” El-Kaul El-Mufid, 385.

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i Madhërishëm është mbi qiell, ndërsa dija e Tij është në çdo vend; s’ka vend ku nuk është dija e Tij.” Esh-Sheria’tu i imam Axhurrit, 3/1077, nr. 653.

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se nëse njeriu flet çdo gjë që e dëgjon, bëhen çrregullime të mëdha.” Sijer A’lam En-Nubela’.

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Është e urryer që njeriu të thotë: “I Dërguari thotë.” Mirëpo: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë”, në mënyrë që ta nderojë dhe respektojë atë.” Dhemm El-Kelam, 5/169.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Në ditën e Kiametit Allahu thërret: “Ku janë fqinjët e Mi? Ku janë fqinjët e Mi?” Engjëjt thonë: “O Zoti ynë! E kush është ai që i takon të jetë fqinj i Yti?” Allahu thotë: “Ku janë ata që i mbushnin xhamitë?” Es-Sahiha, 2728.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse vëren se sa herë që lexon Kuran të shtohet besimi, atëherë kjo është shenjë e suksesit.” Sherh Rijad Es-Salihin, 1/545.

  • Përse Allahu e ngjasoi jetën e kësaj bote me ujin?

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli.” (El-Kehf, 45) Njerëzit e urtë thanë: Sepse uji nuk qëndron në një vend. Kështu është edhe me jetën e kësaj bote, ajo nuk rri në një gjendje, sepse uji shkon/harxhohet dhe nuk mbetet. Kështu është edhe me këtë jetë, ajo shkon dhe nuk mbetet, sepse askush s’ka mundësi të hyjë në ujë e të mos laget. Kështu është edhe me jetën e kësaj bote, askush nuk shpëton nga sprovat dhe të metat e saj, sepse nëse uji është sa duhet, ai është i dobishëm dhe bën që bimësia të dalë nga toka. E nëse e kalon masën e caktuar, ai bëhet i dëmshëm dhe shkatërrues. Kështu është edhe me jetën e kësaj bote, ajo që të mjafton prej saj është e dobishme, ndërkaq teprica e saj të dëmton.” El-Xhami’ li Ahkami El-Kuran, i imam Kurtubiut, 13/289.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nuk e ka kundërshtuar dikush shpalljen me anë të mendjes, veçse Allahu ia ka prishur mendjen, deri në atë mas sa ka folur gjëra me të cilat qeshin njerëzit e mençur.” Es-Saua’ik El-Mursele, 3/1002.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Lutja drejtuar Allahut është ndër shkaqet më të mëdha për arritjen e synimeve dhe largimin e të këqijave. Njerëzit nga përvoja e tyre e kanë vërejtur se kush nuk e lut Allahun, i lut krijesat e Tij.” Er-Reddu ala Esh-Shadhilij, 11.

  • Ka’b ibn Maliku (radijAllahu anhu) thotë: “Kush e shpeshton përmendjen e Allahut, shpëton nga dyfytyrësia.” Shu’abul-Iman, 1/415.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Njeriu më kokëtrashë është ai që e humb rrugën në fund të udhëtimit, edhe pse është gati të arrijë tek shtëpia.” El-Feuaid, 107.

  • Abullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) lutej: “O Allah! Mos ma hiq imanin pasi ma dhurove!” Sahih ibn Ebi Shejbe, 31513.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përgojimi bëhet më i rëndë, varësisht prej gjendjes së besimtarit (që përgojohet). Pra, sa më të madh ta ketë besimin, përgojimi i tij bëhet më i rëndë.” Mexhmu’u El-Fetaua, 28/225.]

  • Imam Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasha Allahun! Sikur t’i humbje shpresat në krijesa deri në atë masë sa nuk do asgjë prej tyre, Zoti yt do të të jepte çfarëdo që të dëshiroje.” Xhamiu El-Ulumi uel-Hikem, 197.

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bukuria e njeriut është në tri gjëra: Në fshehjen e varfërisë, derisa nga vetëmjaftueshmëria jote njerëzit të mendojnë se je i pasur. Në fshehjen e hidhërimit, derisa njerëzit të mendojnë se je i kënaqur. Në fshehjen e gjendjes së rëndë, derisa njerëzit të mendojnë se je në mirëqenie.” Menakib Esh-Shafi’ij i imam Bejhekiut, 2/188).

  • AbdulHamid ibn AbdulAziz ibn Abdullah ibn Umer bin El-Hattab (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e lë urdhërimin për të mirë prej frikës nga krijesat, i hiqet autoriteti, saqë edhe nëse e urdhëron fëmijën e tij ai tallet me të.” Sijer A’lam En-Nubela’, 8/376).

  • Imam ibn El-Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përmende emrin e Atij që, nëse i bindesh, të jep të mira; nëse e falënderon t’i shton të mirat, nëse i shërben, ta përmirëson zemrën!” Et-Tebsire.

  • Imam El-Euzai’ (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e dëgjon dikë duke folur keq për dikë tjetër, atëherë dije se është duke thënë: “Unë jam më i mirë se ai!” Xhami’u Bejan El-I’lm 1/769).

  • I Dërguari (sal-lAllahu aljehi ue sel-lem) thotë: “Kush i shan shokët e mi, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i gjithë njerëzve.” Es-Sahiha, 2340.

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Humbja e namazit të sabahut dhe fjetja në kohë të tij është prej harameve më të mëdha dhe prej shenjave të dyfytyrëshave.” Fetaua ibn Baz, 3/424.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëpërmjet dijes, largohet injoranca dhe nëpërmjet durimit, burgoset epshi.” El-Mustedrek ala Mexhmu’il-Fetaua, 5/127.

  • Erdhi një njeri tek i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Sa herë të fali gabimet e shërbëtorit?” Ai u përgjigj: “Nga shtatëdhjetë herë çdo ditë.” Sahih Et-Tergib, 2289.

  • Imam ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Gjeneratat e para të muslimanëve e donin atë që ua përkujtonte të metat e tyre. Ndërsa te ne sot, në të shumtën e rasteve, njeriu më i urryer është ai që na i tregon të metat tona.” Minhaxh El-Kasidin, 196.

  • Imam El-Euza’i (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e zgjatë namazin e natës, Allahu ia lehtëson qëndrimin në këmbë në Ditën e Gjykimit.” Sijer A’lam En-Nubela’, 7/119.

  • Imam Halid ibn Ma’dan (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur dikujt prej jush t’i hapet ndonjë derë e mirësisë, le të nxitojë drejt saj, sepse ai nuk e di kur do t’i mbyllet ajo.” Sijer A’lam En-Nubela’.

  • Ebu Hajjan Et-Tejmij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përpara thuhej: “Njeriu i mençur duhet të kujdeset më shumë për gjuhën e tij sesa për vendin ku i vendos këmbët.” El-Uera’, i ibn Ebi Ed-Dunja, 77.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ai i cili nuk ka turp, nuk posedon asgjë nga humanizmi, përveç mishit, gjakut dhe pamjes së jashtme të tyre. Po ashtu, në të s’ka kurrfarë të mire.” Miftahu Dari Es-Se’ade, 1/277.

  • Imam Fudajl ibn Ijad (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur t’i bëj mëkat Allahut, këtë e vërej në sjelljen e gomarit tim, shërbëtorit tim, gruas sime, madje edhe miut që e kam në shtëpi.” El-Bidaje ue En-Nihaje, 10/215.

  • Umeri (radijAllahu anhu) thotë: “Mospërfillja ndaj jetës së kësaj bote është rehati për zemrën dhe trupin.” Ez-Zuhd, i imam ibn Mubarekut, 1/210.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej shkaqeve më të mëdha që e shkaktojnë depresionin janë: kur njeriu ia kthen shpinën Allahut të Lartësuar, kur zemra lidhet për dikë tjetër përveç Tij, kur njeriu shkujdeset ndaj përmendjes së Tij dhe kur e do dikë tjetër veç Allahut; sepse kush e do dikë tjetër përveç Allahut, dënohet nëpërmjet tij.” Zad El-Me’ad, 2/24.

  • Imam Ahmedi rahimehullah lutej: “O Allah! Kushdo prej pjesëtarëve të këtij ummeti që nuk është në vërtetën dhe mendon se është në të, ktheje në të vërtetën, në mënyrë që të jetë prej ithtarëve të saj!” El-Bidaje ue En-Nihaje, 10/329.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë i është shkruar. Mirëpo, ne jemi urdhëruar të nxitojmë në arritjen e gjërave që na bëjnë dobi dhe t’i braktisim ato që na dëmtojnë.” Sherh El-Erbe’in En-Nevevijje.

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

SHKARKO PDF:7-keshilla-te-dobishme

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit