Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i njëmbëdhjetë: Dhikri dhe lutjet
Në bërjen e dhikrit (përmendja e Allahut) dhe lutjeve arrihet lumturia, hareja, kënaqësia e zemrës dhe e shpirtit, ndërsa në braktisjen e tyre është mjerimi dhe vuajtja shpirtërore. Allahu thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” Ta he 124-125. Dhe: “…ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28.
Besimtari e di se vepra më e mirë dhe më e ngritur është dhikri. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A doni t’ju njoftoj për veprën e cila është më e mirë e më e dashur te Sunduesi juaj, e cila më së shumti ua ngrit shkallët në xhenet, e cila është më e mirë sesa të shpenzoni flori e argjend dhe e cila është më e mirë sesa të ballafaqoheni me armikun e të luftoni kundër tij? (Ajo është) “Përmendja e Allahut.” Muadh ibn Xhebeli radijAllahu anhu ka thënë: “Njeriu nuk vepron ndonjë vepër e cila e shpëton më shumë prej dënimit të Allahut, sesa përmendja e Allahut.”
Dikë prej besimtarëve të mirë prej selefit i cili vetmohej me Allahun, duke e lutur dhe duke e përmendur, e kanë pyetur: “A nuk ndjen vetmi?” ka thënë: “Si ka mundësi të ndjejë dikush vetmi kur është me Allahun?!”
Përmendësi i Allahut ka zemër të gjallë, e cila e përjeton ëmbëlsinë e besimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Atë, është sikur shembulli i të gjallit me të vdekurin.” Imam Sheukani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky hadith na tregon se ai që e përmend Allahun ka një vlerë dhe virtyt shumë të lartë tek Allahu, që është ndriçimi/shkëlqimi në jetën fizike dhe shpirtërore. Gjithashtu ka shpërblime të mëdha prej Allahut.” Dhe: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet sa më shumë Allahu dhe shtëpisë në të cilën nuk përmendet Ai, është sikur shembulli i të gjallit me të vdekurin.” Muslimi.
Transmetohet se një person i është ankuar Hasan el Basriut: “Më është ngurtësuar zemra.” Dhe i ka thënë: “Shkrije me përmendjen e Allahut.” Ibn Kajimi kur jep këshilla në këtë kuptim thotë: “Kur t’i shohësh njerëzit duke u mjaftuar me dunjanë e tyre, ti mjaftohu me Allahun. Kur t’i shohësh duke iu gëzuar dunjas së tyre, ti gëzohu me Allahun. Kur t’i shohësh duke gjetur prehje tek të dashurit e tyre, ti gjej prehje tek Allahu. Kur t’i shohësh duke shkuar te mbretërit e udhëheqësit për t’u ngritur në këtë botë, ti përmende, njihe e afroju Allahut, do të arrish kulmin e krenarisë dhe ngritjes.” Disa prej njerëzve adhurues të Allahut dhe jolakmues të kësaj bote (zahidët) kanë thënë: “Nuk di që dikush të ketë dëgjuar për xhenetin e xhehenemin e pastaj t’i kalojnë çastet e jetës së kësaj bote pa iu bindur Allahut, apo pa e përmendur, apo pa u falur, apo pa lexuar Kuran, apo pa bërë bamirësi etj.” Tregohet se një njeriu që ka qarë shumë për hir të Allahut i ka thënë njëri prej zahidëve: “Të qeshësh duke pranuar mëkatet e tua është më mirë sesa të qash duke u mburrur me adhurimet e tua, ngase duke u mburrur nuk shkojnë tek Allahu.” I ka thënë: “Më këshillo diçka!” Atëherë e ka këshilluar me këto fjalë: “Braktise dunjan dhe ithtarët e saj ashtu siç ata kanë braktisur ahiretin dhe ithtarët e tij. Bëhu në këtë dunja sikurse bleta, e cila ha vetëm prej gjërave të mira, dhe kur bie në një vend (lule) as nuk e thyen e as nuk e gërvisht atë.”
Një gjë e rëndësishme për të shijuar ëmbëlsinë e adhurimeve është vetmimi me Allahun, sidomos sot kur janë shtuar pengesat dhe shkaqet e largimit prej Allahut, duke ndarë disa çaste gjatë ditës apo natës për t’u vetmuar me Atë dhe duke u larguar prej dinamikës së jetës së kësaj bote, çaste këto gjatë të cilave adhuron Allahun, i paraqet nevojat e veta para Tij, bën lutje e kërkon ndihmë. Këto çaste lënë gjurmë të madhe te njeriu.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.