Ajetet që i pohojnë Emrat dhe përsosurinë absolute për Allahun (1)

 

Allahu thotë: “Qoftë lartësuar emri i Zotit tënd, plot Madhëri dhe Nderim!” Rrahman 78.

Kur folja “tebareke” flet për vetë Allahun, atëherë për qëllim me të është: I madhëruar, i lartësuar dhe i madhërishëm është Allahu. E nëse me të përshkruhet dhe cilësohet Emri i Allahut, siç ka ardhur në këtë ajet, atëherë qëllimi është: Begatia dhe bereqeti vjen përmes emrit të Allahut (nëse ai e shoqëron një gjë, atëherë në të do të ketë bereqet).[1]

Tebareke është Cilësi e Allahut, me të cilën veçohet.

Pastaj thotë: “emri i Zotit tënd, plot Madhëri”, d.m.th se Allahu është Ai që zotëron Madhërinë, Ai është Madhështori. Kjo pjesë tregon për Madhështinë e Allahut në Vetën e Tij. Ndërsa, “e Nderim” lejohet të kuptohet në dy mënyra: 1. Allahu e nderon çdokënd që e adhuron Atë, 2. Allahu është i nderuar, ata që e adhurojnë e nderojnë Atë. Kjo pjesë tregon për madhështinë e Allahut në zemrat e besimtarëve (ata e madhërojnë dhe e nderojnë Atë, dhe Ai pastaj i nderon ata).

***

Allahu thotë: “…vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!” Merjem 65.

Ka ardhur në formë të pyetjes, por që tregon mohimin se askush nuk është i barabartë e i ngjashëm me Allahun. Askush nuk është i barabartë apo i ngjashëm apo i krahasueshëm me Allahun. Andaj, është obligim adhurimi vetëm ndaj Tij. Çdokush tjetër përveç Allahut është i zotëruar dhe qëndron nën zotërimin e Tij. Ai është i vetëmjaftueshmi dhe sovrani. Ai është i përsosuri. Çdokush tjetër është nevojtar për Atë dhe është i mangët në çdo aspekt. Andaj, vetëm Ai e meriton adhurimin.

Në këtë mohim pohohet përsosmëria e Allahut. Kuptimi: A e njeh ndokënd që është i barabartë me Atë, ngase ndaj Tij pohohet përsosmëria absolute, Ai është i lartësuar nga çdo e metë dhe mangësi.

Ky mohim përmban pohimin e të gjitha cilësive të cilat tregojnë për përsosmërinë e Allahut. Në këtë ajet nuk është për qëllim vetëm mohimi, por përmes tij është për qëllim të pohohet diçka tjetër.

Në këtë ajet mohohet përngjasimi e shëmbëllimi mes Krijuesit dhe krijesës.

***

Allahu thotë: “Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” Bekare 22.

Mos i bëni të tjerët të barabartë me Allahun, duke i adhuruar siç e adhuroni Atë, apo t’i doni e t’i madhëroni si Allahun, ngase nuk ka të barabartë me Allahun as në Qenien e Tij, as në Cilësitë e Tij, as në Veprat e Tij dhe as në adhurimin ndaj Tij.

Bërja e të tjerëve të barabartë me Allahun – kjo është dy lloje: 1. Kur bën shirk të madh, e konsideron dikë të barabartë me Allahun dhe e lut atë, i frikësohesh, shpreson tek ai, therë kurban për të etj. 2. Kur bën shirk të vogël, si: betimi në dikë përveç Allahut, thënia “Çfarë deshi Allahu dhe ti!” etj.

Pse nuk lejohet ta bëjmë dikë të barabartë me Allahun? Sepse Allahu është i përsosuri, Ai është Krijuesi i çdo gjeje, i Vetmi që meriton adhurimin, Ai nuk ka ortak në veprat e Tij etj.

[1] Bereqeti d.m.th.: shtim dhe vazhdimësi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit