Hadithi: “Jeto në këtë botë sikur të ishe i huaj…”

 

كن في الدنيا كأنك غريب أو عابر سبيل

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Ibën Umerit (duke e këshilluar): “Jeto në këtë botë sikur të ishe i huaj apo udhëtar.” Buhariu.

Ky hadith na porosit dhe urdhëron të mos mashtrohemi pas jetës së kësaj bote, qoftë për shkak të rinisë, apo shëndetit, apo jetës, apo gjërave që na rrethojnë etj.

i huaj” – i tilli e di se vendi ku është nuk është atdheu i tij, vendqëndrimi i tij (ai qëndron në atë vend edhe pse është i huaj aty).

“udhëtar” – i tilli është në lëvizje, nuk qëndron në një vend (lëvizë, ecën).

Me këtë këshillë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na porosit të kemi asketizëm (molakmi ndaj jetës së kësaj bote). Na tregon se sado që njeriut i zgjatet jeta, një ditë do të largohet nga kjo botë. Pastaj, edhe nëse jeton gjatë në këtë jetë, ajo nuk është një jetë ideale, e plotë, por është e përzier (mes lumturisë dhe mërzisë etj.). Andaj, njeriu duhet ta llogarisë veten si një i huaj apo udhëtar, të mos mendojë se do të qëndrojë përherë në këtë jetë.

Nëse besimtari ndalet dhe logjikon, do të shohë se kjo porosi është në përputhje të plotë me realitetin dhe patjetër do ta edukojë vetveten në atë se shtëpia e tij është xheneti (aty ku do të qëndrojë përherë) e jo kjo botë, porse në këtë jetë ka ardhur të sprovohet. Besimtari (që e ka zemrën e përmalluar për atdheun e tij – xhenetin), punon për botën tjetër sikur ta kishte para syve duke e parë. Andaj, e llogarit vetveten të huaj apo udhëtar në këtë botë, ai thjeshtë është duke kaluar nëpër këtë botë, nuk do të qëndrojë përherë në të, kjo jetë është urë apo rrugë përmes së cilës do të kalojë për në botën tjetër. Ai njeri që jeton në këtë gjendje, nuk mund ta dojë këtë jetë apo ta lidhë zemrën për të.

Besimtari duhet të jetë gjithmonë vigjilent dhe i kujdesshëm, duke mos e lënë veten të bie në shkujdesje dhe të harrojë realitetin e kësaj bote. Kjo (shkujdesje) është sprova më e madhe me të cilën mund të goditet njeriu.

Pastaj, Ibën Umeri ka thënë: “Kur të ngrysesh, mos e prit agimin dhe kur të zgjohesh, mos e prit mbrëmjen.” Kjo pjesë ka dy kuptime:

-Veprat e natës kryeji para se të vijë mëngjesi, veprat e ditës kryeji para se të vijë mbrëmja, e jo t’i vonosh. Vepro vazhdimisht në kryerjen e veprave të mira.

-Ka mundësi të vdesësh (me vdekje të befasishme) para se të vijë mëngjesi apo mbrëmja.

Selefi kanë qenë gjithmonë të përgatitur me vepra të mira në ballafaqim me vdekjen (saqë ka pasur prej atyre që nuk kanë pasur më çfarë të shtojnë prej të mirave). Dhe kjo arrihet kur njeriu gjithherë ia kujton vetes të drejtën e Allahut – adhurimin ndaj Tij, me sinqeritet.

Dhe ka thënë: “Shfrytëzoje shëndetin para se të të vijë sëmundja dhe jetën para se të të vijë vdekja” – kur njeriu ka shëndet e forcë e ka të lehtë të veprojë adhurime dhe vepra të mira, mirëpo kur sëmuret atëherë mund të lodhet dhe të mundohet (nuk mund të kryejë vepra sikur që ishte i shëndoshë), andaj duhet të shfrytëzohet shëndeti para se t’i vijë sëmundja sepse njeriu nuk do të gëzojë gjithmonë shëndet. Gjithashtu, sa është i gjallë gjithmonë ka mundësinë të kryejë vepra të mira dhe t’i shtojë ato, mirëpo kur të vdesë i ndërpriten të gjitha veprat e mira (përveç tri që kanë ardhur në një hadith).[1]

Nëse ecim me këtë porosi atëherë nuk do t’i kushtojmë shumë rëndësi jetës së kësaj bote, thjeshtë e përdorim sikur një mjet.

[1] “Kur biri i Ademit vdes, atij i ndërpriten të gjitha veprat, përveç tri: një sadaka rrjedhëse, apo një dije prej të cilës përfitojnë të tjerët, apo një fëmijë i mirë (devotshëm) që lutet për të.” Muslimi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit