Dy ajetet e fundit të sures Bekare

Dy ajetet e fundit të sures Bekare

  • ءَامَنَ ٱلرَّسُولُ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِۦ وَٱلْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَمَلَٰٓئِكَتِهِۦ وَكُتُبِهِۦ وَرُسُلِهِۦ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍۢ مِّن رُّسُلِهِۦ ۚ وَقَالُوا۟ سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۖ غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ ٱلْمَصِيرُ
  • لَا يُكَلِّفُ ٱللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا ۚ لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا ٱكْتَسَبَتْ ۗ رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَآ إِن نَّسِينَآ أَوْ أَخْطَأْنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَآ إِصْرًۭا كَمَا حَمَلْتَهُۥ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِۦ ۖ وَٱعْفُ عَنَّا وَٱغْفِرْ لَنَا وَٱرْحَمْنَآ ۚ أَنتَ مَوْلَىٰنَا فَٱنصُرْنَا عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ.

I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe tek Ti do të kthehemi!

Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë (mundësisë) që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh (umetet e mëhershme)! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta përballojmë! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” Bekare, ajetet 285-286.

Vlera e leximit të këtyre dy ajeteve

Është saktësuar në sunet prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem se ai na ka nxitur dhe inkurajuar të lexojmë për çdo natë dy ajetet me të cilat përmbyllet surja Bekare. Ai ka përmendur se kjo vepër ka vlerë dhe shpërblim të madh tek Allahu. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare gjatë natës, do t’i mjaftojnë.”

Buhariu dhe Muslimi.

Kush i lexon” – I lexon me meditim, duke ditur kuptimet e tyre dhe duke i zbatuar ato (jo si vjershë, pa vëmendje), atëherë do t’i mjaftojnë.

“do t’i mjaftojnë” – domethënë:

▪ Do t’i mjaftojnë si shpërblim sikur të ishte falur tërë natën duke lexuar Kuran.

▪ Do t’i mjaftojnë si shpërblim sikur të lexonte Kuran tërë natën.

▪ Do t’i mjaftojnë për të gjitha çështjet që përfshin besimi i besimtarit (e ka arritur besimin e saktë).

▪ Do t’i mjaftojnë si mbrojtje prej çdo të keqeje, prej çdo gjëje që është e dëmshme dhe çdo gjëje që nuk e pëlqen.

▪ Do t’i mjaftojnë prej të këqijave që vijnë prej shejtanit, apo njerëzve e xhindeve.

▪ Do t’i mjaftojnë prej të këqijave të të gjitha sëmundjeve (nuk sëmuret atë natë).

▪ Do t’i mjaftojnë si shpërblim për të gjitha veprat e tjera që mund t’i kishte bërë atë natë.

Ky ajet (siç thonë dijetarët) përfshin të gjitha këto kuptime. Në përgjithësi, këto dy ajete do t’i mjaftojnë prej çdo të keqeje dhe çdo gjëje të cilës i frikësohet.

Pas gjithë kësaj, ajo që i takon besimtarit është që të mos i ikë ndonjë natë pa i lexuar këto dy ajete, në mënyrë që të arrijë këtë premtim kaq fisnik.

Transmetohet Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Nuk e shoh të mirë për një njeri që ka hyr në Islam dhe i cili është i mençur, të flejë para se të lexojë Ajetul kursij dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare.”

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dy ajetet e fundit të sures Bekare më janë shpallur prej një thesari i cili është nën Arshin e Allahut.” Imam Ahmedi. Kjo gjë tregon për pozitën e lartë të këtyre ajeteve.

Transmetohet se Abdullah ibën Abbasi radijallahu anhu ka thënë: “Një ditë, Xhibrili u ul pranë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe dëgjoi një zë prej lartë, pastaj ngriti kokën dhe tha: “Kjo është një derë prej dyerve të qiellit e cila është hapur për herë të parë.” Përmes saj zbriti një engjëll. Thotë Xhibrili: “Ky engjëll ka zbritur për herë të parë në tokë.” Dhe ky engjëll i jep selam dhe i thotë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Përgëzim për ty se të janë dhënë dy drita, të cilat nuk i janë dhënë askujt më parë! Ato janë: Surja Fatiha dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare.” Muslimi.

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që i lexon këto ajete dhe i kupton domethëniet e tyre, që janë: të vërtetat e fesë, pesë nga bazat e besimit, kundërpërgjigje ndaj pasuesve të së kotës, mirësia që i dhënë Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe umetit të tij, dashuria e Allahut ndaj tyre më shumë se ndaj umeteve tjera, atëherë ai ka arritur dije të madhe dhe i ka hije ajo.”

Nga kjo që thamë më lartë, shohim se besimtari duhet t’i kushtojë rendësi të veçantë këtyre dy ajeteve. Së pari, t’i mësojë përmendsh, t’i lexojë, të meditojë mbi kuptimet e tyre dhe t’i zbatojë në jetën e përditshme.

 

Komentimi

I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij” – Ata së pari besojnë Allahun dhe çdo gjë me të cilën Ai i ka urdhëruar të besojnë. Ata i binden dhe i nënshtrohen plotësisht Allahut në të gjithë urdhrat e Tij.

Besimi që përmendet në këtë ajet:

-Përfshin besimin në të gjitha ato për të cilat na ka njoftuar Allahu për Vetën e Tij dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për Allahun (si: Cilësitë e Tij).

-Përfshin besimin në të gjithë engjëjt (emrat, cilësitë, numrin, detyrat me të cilat janë ngarkuar etj.).

-Përfshin besimin në të gjithë të Dërguarit dhe Librat që u kanë zbritur.

-Përfshin besimin në ngjarjet e historitë e përmendura në këto Libra, besimin në urdhrat dhe ndalesat e zbritur në to.

(duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Tij” – Nuk bëjnë dallim në besimin në të Dërguar, të gjithë i besojnë, nuk thonë “Ky është i Dërguar e ky nuk është.

“Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi.” Në ato gjëra me të cilat Allahu na ka urdhëruar dhe na ke ndaluar dhe të bindemi në këtë.

“Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë” për mangësitë dhe neglizhencën.

“dhe tek Ti do të kthehemi!” – besojnë bindshëm se kthimi është tek Allahu. Ai është i Cili do të shpërblejë për veprat e mira dhe do të dënojë për veprat e këqija nëse nuk i fal.

Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë (mundësisë) që ka” Ai nuk i ngarkon njerëzit me gjëra të cilat u vijnë vështirë për t’i vepruar. Çdo vepër të cilën Allahu na ka ligjësuar, është e lehtë, është ushqim për shpirtin, shërim për trupin, përmirësim për zemra dhe pastrim shpirtëror.

“në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon” Çdo njeri do të ketë dobi, shpërblim dhe përfitim për veprat e mira që ka vepruar dhe çdo njeri do të dëmtohet dhe do të përballet me pasojat e të këqijave që të ka vepruar.

Pasi Allahu na njoftoi se i Dërguari beson dhe gjithashtu besimtarët, se urdhrat e Tij i pranojnë me dëgjim e bindje dhe se Allahu çdokënd do ta shpërblejë për atë që ka vepruar, më pas na tregon se njeriu vazhdimisht është i ekspozuar ndaj mangësisë dhe neglizhencës dhe kështu mund të veprojë mëkate e të ketë lëshime për shkak të harresës, apo pa qëllim. Andaj, Allahu pasi na tregon se nuk i ngarkon njerëzit përtej mundësisë/forcës së tyre, na njofton se besimtarët i luten Allahut: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!”

Më tej vazhdojnë lutjet e besimtarëve që ia bëjnë Allahut: “Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh (umetet e mëhershme)! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta përballojmë! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”

Është transmetuar se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe sahabët i janë drejtuar Allahut me këto lutje, Ai ka thënë: “Kam vepruar siç po kërkoni prej Meje!” D.m.th. u përgjigjem këtyre lutjeve.

Këto dy ajete përfshijnë përbrenda besimin e besimtarëve në Allahun: pranojnë se Ai është Zoti i tyre, Ai i Cili i ka krijuar, i Cili kujdeset për ta etj. Ajetet na tregojnë se besimtarët kanë nevojë të madhe për faljen e Allahut. Ata pranojnë se kanë lëshime e mangësi në raport me Allahun, andaj kërkojnë falje prej Tij. Ata besojnë bindshëm se një Ditë do të kthehen tek Allahu dhe se Ai do të shpërblejë dhe dënojë. Andaj, e lusin t’ua mbulojë mëkatet e t’ua falë dhe t’i mëshirojë. Ata e lusin gjithashtu që t’iu japë fitore kundër armiqve.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

 

Madhësia e tekstit