Vlera e tubimit në xhami për ta mësuar dhe studiuar Kuranin

Vlera e tubimit në xhami për ta mësuar dhe studiuar Kuranin

 مَا اجْتَمَعَ قَوْمٌ فِي بَيْتٍ مِنْ بُيُوتِ اللهِ عَزَّ وَجَلَّ ، يَتْلُونَ كِتَابَ اللهِ ، وَيَتَدَارَسُونَهُ بَيْنَهُمْ ، إِلا نَزَلَتْ عَلَيْهِمْ السَّكِينَةُ ، وَغَشِيَتْهُمْ الرَّحْمَةُ ، وَحَفَّتْ بِهِمْ الْمَلائِكَةُ ، وَذَكَرَهُمْ اللهُ فِيمَنْ عِنْدَهُ.

Transmeton Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk tubohen disa njerëz në një shtëpi prej shtëpive të Allahut (d.m.th. në xhami), për ta lexuar Librin e Allahut dhe për ta studiuar atë mes veti, veçse mbi ta do të zbresë qetësia e Allahut, do t’i mbulojë Mëshira e Tij, do t’i rrethojnë engjëjt me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë te paria më e lartë (e engjëjve) tek Ai.”

-“në një shtëpi prej shtëpive të Allahut (d.m.th. në xhami)”– këtë vlerë dhe shpërblim e arrijnë edhe ata që tubohen jashtë xhamisë, qoftë në shtëpi apo diku tjetër, me qëllim që ta mësojnë Kuranin dhe ta studiojnë atë. Mirësia dhe mëshira e Allahut është e gjerë. Hadithi përfshin edhe tubimin e njerëzve për të mësuar shkronjat e Kuranit, për të saktësuar mënyrën e leximit, për të mësuar rregullat e texhuidit, apo diktimin e një pjese të Kuranit për nxënësin, apo leximin e asaj pjese të mësuar përmendsh para mësuesit, apo memorizimin etj. Po ashtu përfshin edhe anën që ka të bëjë me shkencat e Islamit (sepse të gjitha shkencat e Islamit burojnë nga Kurani), si: mësimin e besimit të saktë, marrjen e dijes, mësimin e tefsirit të Kuranit, mësimin e jurisprudencës islame etj.[1]

disa njerëz” – qoftë nëse janë hoxhallarë, nxënës të dijes, xhemat, të moshuar, të rinj, gra etj.

“do të zbresë qetësia e Allahut” – qetësia e zemrës, kënaqësia shpirtërore. Nga ky hadith përfitohet se sa më shumë që njeriu të angazhohet me Kuran, po aq do ta ketë zemrën e qetë – do të arrijë qetësinë shpirtërore dhe do t’i largohen frikërat e ndryshme, brengat, pikëllimet etj. 

“do t’i mbulojë Mëshira e Tij, do t’i rrethojnë engjëjt me krahët e tyre” – dhe kështu njeriu do të jetë i zhytur tërësisht në Mëshirën e Allahut, do të jetë i qetë dhe do të ndjejë rehati të madhe shpirtërore. Ndërsa, shejtanët do të qëndrojnë larg tij.

Dhe shpërblimi më i madh është: “Allahu do t’i përmendë (me emra) te paria më e lartë (e engjëjve) tek Ai”. Nëse dikush me pozitë na përmend me emër dhe na lavdëron, do ta konsideronim si vlerë, po si është çështja të na përmendë Allahu – Krijuesi ynë, i Cili na përmend me emra dhe mburret me ne para engjëjve edhe pse nuk ka nevojë fare për ne? Kjo na gëzon dhe na mbush me bindje dhe është një gjë e cila na nxitë të jemi të pranishëm në vende të dijes, sepse prania në to është fitimi i vërtetë dhe ajo që do të mbesë pas vdekjes (e jo vendet e thashethemeve dhe të gjërave të padobishme të cilat na dëmtojnë dhe na ngurtësojnë zemrat).

[1] Nga gjërat që nxisin të jemi të qëndrueshëm në prezantimin në ligjëratat fetare është të kujtojmë hadithet që flasin për shpërblimin e kësaj vepre, krahas kundërshtimit të nefsit i cili anon kah rehatllëku, gjumi, pushimi etj.

Hoxhë Petrit Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit