Ithtari i Kuranit shoqërohet dhe ulet me besimtarët me dije. Me këdo që shoqërohet dhe ulet, i bën dobi. Nëse e mëson dikë, tregohet i butë, nuk e qorton, nuk tregon ashpërsi nëse gabon dhe nuk ia merr fytyrën para të tjerëve. Ai është i butë në të gjitha çështjet e tij. Duron shumë kur ua mëson të tjerëve të mirën. Tek ai nxënësit ndjejnë prehje dhe qetësi. Kush ulet me të, ndjen prehje shpirtërore. Ndeja me të u bën dobi njerëzve, sepse ai edukon me edukatën e Kuranit dhe sunetit.
Nëse ndodh të goditet me ndonjë fatkeqësi, atëherë atë e edukon Kurani dhe suneti. Ai pikëllohet me dije, qan me dije, duron me dije, pastrohet (abdes e gusël) me dije, falet me dije, jep zekatin me dije, jep lëmoshë me dije, agjëron me dije, bën haxhin me dije, bën luftë me dije, fiton me dije dhe shpenzon me dije, sepse këtë njeri e ka edukuar Kurani dhe suneti.
Ai e shfleton dhe lexon Kuranin për ta edukuar veten dhe nuk pajtohet që obligimet e Allahut t’i kryejë me injorancë. Ai, dijen dhe të kuptuarit i ka bërë udhërrëfyes të tij drejt çdo të mire.
Kur ai e studion Kuranin, këtë e bën me zemër dhe me mendje të pranishme. Brenga kryesore e tij gjatë leximit dhe studimit është të kuptojë atë me të cilën Allahu e ka urdhëruar (që ta zbatojë) dhe atë që Ai ia ka ndaluar (t’i largohet), e nuk është brenga e tij arritja në fundin e sures. Brenga e tij është se si të arrijë t’i mjaftojë Allahu për çdo gjë, se si të jetë i devotshëm, bamirës, i përulur, i duruar, i vërtetë e i sinqertë, si të jetë prej atyre që i mbështeten Allahut, e kanë frikë Atë, shpresojnë tek Ai, apo se si të mos lakmojë në jetën e kësaj bote por të lakmojë në jetën tjetër, apo se si të bëhet prej atyre që pendohen prej mëkateve, që ia dinë vlerën begative të Allahut dhe që e falënderojnë Atë.
Gjithashtu, brenga e tij është të arrijë të kuptojë Fjalët me të cilat i është drejtuar Allahu në Kuran, të kuptojë atë që lexon, të mposhtë veten ndaj epsheve të saj, të përpiqet për hir të Allahut, të ruajë gjuhën, të ulë shikimin, të ruajë organin intim (nga të ndaluarat), të turpërohet ndaj Allahut me turp të mirëfilltë, të angazhohet me të metat e veta, të përmirësojë atë që është prishur në raport me Allahun, të llogarisë veten, të përgatitet për Ditën kur do të dalë para Atij, të jetë i kënaqur me atë që ia ka caktuar Ai, të ketë mirëbesim tek Allahu, të marrë mësim prej qortimeve të sjella në Kuran, të angazhohet me përmendjen e Allahut e jo me përmendjen e krijesave, të dojë atë që e do Allahu dhe të urrejë atë që urren Ai, të tregohet i sinqertë në raport me Atë, të shkurtojë shpresat, të përgatitet për ditën e vdekjes (ngaqë ai nuk e di se kur do t’i vijë ajo), të fillojë të mbushë varrin me vepra të mira para se të futet në të, të kujtojë dhe meditojë për Ditën e Gjykimit (tmerret dhe vështirësitë e saj), të fillojë të vetmohet me Zotin e tij dhe të ruhet prej gjërave ndaj të cilave Ai ka paralajmëruar, siç është zjarri, nxehtësia e tij e madhe dhe fundi i thellë i tij etj.
Allahu i ka paralajmëruar besimtarët prej zjarrit të Xhehenemit në shumë vende në Kuran si mëshirë ndaj tyre. Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” Tahrim 6. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” Hashr 18.
Allahu ka paralajmëruar muslimanët të mos tregohen të shkujdesur ndaj obligimeve, të mos thyejnë besëlidhjen me Atë, të mos shkelin kufijtë e Tij, të mos bëhen sikur ata që kanë dal jashtë bindjes dhe urdhrave të Tij dhe pastaj Ai i ka dënuar me lloj-lloj ndëshkimesh.
Besimtari i mençur kur e lexon Kuranin, e bën atë si një pasqyrë të cilën e vendos para dhe shikon punët e mira dhe punët e këqija të tij. Ai ruhet prej gjërave prej të cilave ka paralajmëruar Allahu, frikësohet prej gjërave ndaj të cilave Ai ka kërcënuar dhe lakmon të kryejë ato vepra drejt të cilave Ai ka nxitur dhe inkurajuar dhe shpreson në shpërblimin e Tij.
Kush ka këtë përshkrim dhe këto cilësi gjatë leximit të Kuranit, apo u afrohet atyre, atëherë ai e ka lexuar me lexim të mirëfilltë, dhe Kurani do të jetë për të dëshmues dhe ndërmjetës në Ditën e Gjykimit, do t’i dhurojë prehje dhe do të jetë mburojë për të. Kush ka këto karakteristika gjatë leximit të Kuranit, atëherë do t’i sjellë dobi vetes, familjes dhe prindërve të vet, në këtë botë dhe tjetrën.
Hoxhë Petrit Perçuku.
🖊 Transkriptim.