Morali i atyre që synojnë këtë jetë përmes leximit të Kuranit

Morali i atyre që synojnë këtë jetë përmes leximit të Kuranit

Ai që lexon Kuran duke synuar këtë jetë dhe ithtarët e saj, atëherë nga moralet e tij është se ai i di vetëm shkronjat e Kuranit (i kushton vëmendje mënyrës së leximit) ndërsa i nëpërkëmb urdhrat dhe ndalesat e tij. Ai është mendjemadh (ka vetëpëlqim) dhe është mendjemadh ndaj të tjerëve. Ai e ka bërë Kuranin si artikull përmes të cilit ushqehet te njerëzit e pasur dhe përmes tij përmbush nevojat e tij jetësore. Ai i respekton dhe nderon ithtarët e dunjasë, ndërsa të varfrit i nënçmon.

Nëse është mësues i Kuranit dhe e mëson dikë të pasur, atëherë tregohet i butë me të, sepse lakmon në dunjanë e tij. Nëse e mëson dikë të varfër, atëherë tregohet i ashpër me të, sepse ky nuk posedon pasuri. Përmes Kuranit, ai i fut në shërbim të tij njerëzit e varfër kurse bën vend te njerëzit e pasur. Nëse atij i ka dhënë Allahu zë të bukur, atëherë ka dëshirë ta lexojë Kuranin para mbretërve (parisë) dhe ka dëshirë t’iu prijë në namaz duke lakmuar në të mirat e tyre materiale, kurse nëse ua kërkojnë këtë gjë njerëzit e varfër, atëherë atij i vije shumë rëndë sepse këta nuk kanë pasuri t’i japin.

Ai është njeri mendjemadh, flet shumë për gjëra pa dalluar çfarë është mirë e çfarë është keq. Qorton dhe i gjen të meta çdokujt i cili nuk di përmendsh (nga Kurani) sikurse ai. E nëse i bëhet e ditur se dikush e di Kuranin përmendsh sikurse ai, atëherë kërkon t’i gjejë të meta.

Ai është mendjemadh në uljen e tij. Po ashtu mendjemadh kur i mëson të tjerët. Në zemrën e tij nuk ka vend për përulje dhe frikë ndaj Allahut. Ai qeshet shumë dhe futet në gjëra që nuk i duhen. Dëgjimi i fjalëve të njerëzve është më i këndshëm për të sesa dëgjimi i Fjalëve të Allahut. Nuk e kaplon frika ndaj Allahut gjatë leximit të Kuranit, nuk qan e as nuk pikëllohet. Nuk e detyron veten të meditojë mbi atë që lexon nga Kurani. Ai lakmon jetën e kësaj bote dhe gjërat që afrojnë drejt saj. Për hir të dunjasë zemërohet dhe pajtohet.

Nëse dikush nuk ia përmbush të drejtën e tij (e lëndon, e shqetëson etj.), atëherë i thotë: “Si mund ta lëndosh dikë që është ithtar i Kuranit?! Njerëzit duhet t’i shërbejnë atij.” Ai i përdor njerëzit për të përmbushur nevojat e tij ndërkohë që vetë nuk i kushton rëndësi asaj që ia kërkon Allahu. Ai zemërohet ndaj të tjerëve me pretendimin se është zemëruar për hir të Allahut ndërkohë që nuk zemërohet ndaj vetes kur shkel kufijtë e Tij.

Nuk i kushton vëmendje se kah po e fiton pasurinë (në mënyrë të lejuar apo të ndaluar), sepse dunjaja ka zënë vend në zemrën e tij. Nëse i ikën ndonjë gjë prej dunjasë e cila është e ndaluar, pikëllohet shumë.

Ai nuk është edukuar me edukatën e Kuranit (edhe pse e ka mësuar atë dhe e lexon), nuk ndalet te shpërblimet të përmendura në Kuran apo te kërcënimet e tij. Ai është i shkujdesur dhe në mëdyshje për atë që lexon apo për atë që dëgjon. Brenga e tij kryesore është se si të mësojë përmendsh shkronjat e Kuranit. Nëse gabon në një shkronjë, pikëllohet dhe ndihet keq, sepse me këtë i ulet pozita tek krijesat. Ndërsa, ajo që ka humbur prej urdhrave të Allahut dhe shkelja e ndalesave të Tij, është shumë më shumë (më keq) sesa ai gabim.

Morali i tij në shumicën e çështjeve është moral i injorantëve, të cilët nuk dinë. Ai nuk e detyron veten të veprojë sipas asaj të cilën Allahu ia ka bërë obligim në Kuran dhe nuk pason sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ndërkohë që dëgjon fjalën e Allahut: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr 7.

Ai lexon pak për atë dije që ka të bëjë me gjërat e obliguara në fe dhe për lejesat e ndalesat (dije kjo e cila përmirëson raportin mes njeriut dhe Allahut), ndërsa lexon shumë për dijen me të cilën zbukurohet para ithtarëve të dunjasë në mënyrë që ata ta nderojnë.

Leximi i tij i Kuranit nuk shfaq përulje në gjymtyrët e tij (frikërespekt ndaj Allahut). Edhe nëse lexon Kuran, brenga e tij është kur do ta përfundojë sa më shpejt e jo kur do të arrijë ta kuptojë atë që lexon. Ai nuk merr mësim prej shembujve të cilët Allahu i ka sjellë në Kuran, as prej premtimeve dhe shpërblimeve apo kërcënimeve të përmendura në të, sepse qëllimi i tij është kënaqja e krijesave dhe nuk i kushton vëmendje zemërimit të Zotit të tij. Ai ka dëshirë të shfaqet sikur është person që mban shumë ligjërata. Nëse e përfundon hatmen e Kuranit, e shfaq këtë para njerëzve, që të arrijë pozitë tek ta. Ai është mashtruar me lëvdatat e atyre që nuk e njohin. Gëzohet kur të tjerët e lavdërojnë, edhe nëse lavdërimi është në të kotën, ndërsa vepra e tij është vepër e injorantëve. Ai ndjek epshet e tij dhe nuk ndalet tek kërcënimet e Kuranit.

Nëse ai ua mëson të tjerëve Kuranin dhe ndonjë nxënës shkon te dikush tjetër, ai hidhërohet me të. Nëse në pranin e tij përmendet për të mirë ndonjë lexues i Kuranit, i vije keq e nëse përmendet për të keq, gëzohet. Ai i përqesh ata që janë nën të dhe u gjen të meta atyre që janë mbi të, që t’ua ulë vlerën dhe pozitën dhe të ngrehë veten. Ai dëshiron që të tjerët të gabojnë e vetë të dalë mirë.

Ai që ka këto cilësi dhe karakteristika, e ka ekspozuar veten  ndaj zemërimit të Allahut. E më e keqja është se ai e shfaq veten se është lexues i Kuranit – i maskuar me petkun e njerëzve të mirë, ndërkohë që në brendësi shkel obligimet e Allahut dhe vepron ndalesa, sepse e do famën dhe pozitën dhe anon kah dunjaja. Për shkak të memorizimit të Kuranit, është kapluar nga vetëpëlqimi dhe mburrja. Ai e mëson përmendsh Kuranin mirë, por recitimin e ka vetëm me gjuhë, sepse shumë dispozita të tij i nëpërkëmbë.

Ai ha pa dije, pi, fle dhe vishet pa dije, çdo raport që ka, me Allahun apo me krijesat, nuk e ka me dije prej Kuranit dhe sunetit. Ndërkohë që dikush tjetër i cili ndoshta di vetëm një xhuzë përmendsh, nuk ka memorizim sikurse ai dhe ka lexim të ngathtë, porse praktikon atë që i kërkohet fetarisht, është shumë më i mirë sesa ai edhe nëse nuk ka status e pozitë në shoqëri.

Njeriu që ka këto cilësi, do të jetë sprovë për shoqërinë ku jeton, sepse kur ai shfaq sjellje jo të mira, atëherë ata që janë të padijshëm do ta marrin për shembull. Pastaj, nëse i qorton për këtë, do të thonë se edhe filani i cili është bartës i Kuranit po vepron kështu. Kush ka këtë gjendje, e ka ekspozuar veten ndaj një ndëshkimi të madh të Allahut dhe ia ka ngrehë vetes argumentin dhe nuk justifikohet përveçse nëse pendohet.

Këtu autori na përshkroi personin i cili angazhohet me Kuran dhe e mëson atë, porse është sprovuar e i ka hyr vetja në qejf, është fitnosur pas jetës së kësaj bote dhe ka nëpërkëmbur urdhrat dhe ndalesat e Allahut. Në gjymtyrët e tij nuk shfaqen gjurmët e Kuranit. Leximi nuk i ka arritur në zemër, nuk ka përfituar frikë prej atij leximi dhe nuk i është shtuar besimi e bindja tek Allahu, përkundrazi i është shtuar ngurtësia e zemrës.

Ne si besimtarë, gjithmonë duhet të kujdesemi për zemrat dhe nijetet tona. Çfarë dëshirojmë me leximin e Kuranit apo me prezantimin nëpër ligjërata apo me mësimin e dijes fetare? Gjithmonë duhet të kemi për qëllim dhe synim Allahun, ta kënaqim Atë e të kemi synim botën tjetër. Kur të lexojmë Kuran, fillimisht të kemi qëllim të përfitojmë në vetët tona e pastaj të largojmë injorancën edhe prej të tjerëve, e jo të kemi syefaqësi, të dëshirojmë famë dhe shfaqje para të tjerëve, sepse në këtë mënyrë kjo është dije e padobishme dhe e qortuar.

Ka njerëz të cilët memorizimi dhe dija e tyre vetëmse i largon prej Allahut, nuk u shton mirësi por të këqija, kjo sepse nijetin e kanë pasur të prishur dhe veprat e prishura gjithashtu.

Autori sjellë një ether madhështor prej Hasan el Basriut i cili i është drejtuar njerëzve: “O njerëz! Dijeni se këtë Kuran kanë filluar ta mësojnë edhe skllevërit dhe fëmijët, ata e lexojnë porse nuk dinë se çfarë përmban ai. Allahu e ka zbritur Kuranin që ne të meditojmë rreth tij, “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29. Nuk është çështja që ne të mësojmë shkronjat dhe leximin në mënyrë të përsosur ndërkohë që në anën tjetër të nëpërkëmbim kufijtë e Allahut të përmendur në Kuran. Shohim ndonjë prej njerëzve të thotë: “E kam lexuar tërë Kuranin”, mirëpo pasha Allahun e ka hedhur poshtë të gjithin ngaqë te morali dhe veprat e tij nuk shihen gjurmët e Kuranit. Madje ndonjëri thotë: “Unë e lexoj suren me një frymë.” Të tillët nuk janë lexues të mirëfilltë të Kuranit e as të urtë të cilët e kanë frikë Allahun. Kur kanë bërë një gjë të tillë lexuesit e mirëfilltë të Kuranit?! Allahu mos i shtoftë të tillët në mesin tonë!”

Sheh njerëzit të cilët e kanë çuar jetën në mësimin e texhuidit apo kiraeteve, porqë në aspektin praktik nuk kanë përfituar asgjë, qoftë në pamje, apo në vepra etj.

Ithtarët e Kuranit duhet të jenë të atillë që nëse u zbret ndonjë vështirësi atëherë të nxitojnë tek Allahu, e jo tek krijesat. Ata edukohen me edukatën e Kuranit dhe sunetit, janë shenja dalluese që njerëzit i marrin për shembuj. Fudajl ibën Ijadi rahimehullah ka thënë: “Është mirë që bartësi i Kuranit të mos ia ketë nevojën askujt prej krijesave (të mos u kërkojë), qoftë udhëheqësve apo atyre që janë nën ta. Përkundrazi, nevojat e njerëzve duhet t’i drejtohen bartësit të Kuranit (të përfitojnë prej tij).” Dhe ka thënë: “Kurani ka zbritur për t’u vepruar me të, ndërsa njerëzit sot leximin e tij e konsiderojnë veprim me të.” Ndërsa Mejmun bin Mehran rahimehullah ka thënë: “Nëse bartësit e Kuranit do të ishin të mirë siç duhet, atëherë edhe njerëzit e tjerë do të ishin të tillë.”

Të gjitha këto që u përmenden janë këshillë që të ndalemi e të mendojmë se a jemi prej atyre të cilët e respektojnë dhe e madhërojnë fjalën e Allahut.

 

Hoxhë Petrit Perçuku.

🖊 Transkriptim.

Madhësia e tekstit