➦Kërkohet prej njeriut ta lusë Allahun t’i japë durim dhe qëndrueshmëri në kërkimin e dijes dhe gjithashtu duhet të ndërmarrë shkaqet (të organizojë ditën dhe të menaxhojë kohën). “Dija nuk arrihet me qetësi të trupit.” Në kërkimin e dijes nuk ka pushim, por vetëm lodhje (fizike). Ndërsa, nga ana shpirtërore, ajo sjellë qetësi dhe prehje të zemrës. Ata që e kanë shijuar kërkimin e dijes, e dinë se sa kënaqësi e madhe është ajo. Nuk ka adhurim më të mirë pas farzeve sesa kërkimi i dijes dhe mësimi për fenë e Allahut. Ai që e ka arritur këtë nivel, nuk e ndërron këtë me asgjë tjetër. Për këtë arsye, kur lexojmë historitë e selefit se sa shumë kanë sakrifikuar në kërkimin e dijes, e kuptojmë arsyen pse, e që është: ata kanë arritur të futen në Xhenetin e kësaj bote (kënaqësia që përjetohet gjatë adhurimeve, sidomos gjatë kërkimit të dijes).
➦Nëse njeriut i duhet të bëjë piknik, apo të dalë të ecë në një vend malor, apo afër lumit, për dobi nga ana shëndetësore – ia largon stresin ose depresionin, kjo është e lejuar (mubah), madje mund të jetë e preferuar (nëse për këtë gjë i ka thënë mjeku), apo dhe mund të jetë më shumë sesa e preferuar (nëse mjeku i ka thënë që nëse dëshiron të dalësh nga kjo gjendje duhet të ecësh apo të argëtohesh në një pjesë të ditës). Besimtari duhet t’i mbështetet Allahut dhe t’i veprojë shkaqet përmes të cilave shërohet. Një prej këtyre shkaqeve, kur njeriu ka probleme të kësaj natyre, është edhe dalja dhe takimi e bisedimi me njerëz (duke u ruajtur prej mëkateve të gjuhës). Madje kjo gjë (dalja dhe ecja) lejohet edhe për gratë. Siç e dimë gruaja duhet të qëndrojë në shtëpi, mirëpo nëse ajo fillon të ketë mërzi dhe gjendje depresive pas qëndrimit të gjatë në shtëpi, atëherë burri i saj duhet ta marrë të shëtisin apo të dalin për ecje. Këtë përgjigje e ka dhënë vetë shejh Feuzani, i cili është pyetur se gruaja kërkon të dalë të ecë sepse po ndihet e mërzitur duke qëndruar në shtëpi, dhe ai ka thënë: Merre gruan dhe dilni (në gjëra të lejuara).
➦Shejtani ka dy metoda kundër njeriut:
- Nëse të sheh se je serioz në fe, atëherë përpiqet të të bëjë ta teprosh, që feja të të vijë e rënd dhe ta braktisësh,
- Nëse sheh se je neglizhent e mëkatar, atëherë të bën të shtosh shpresën tek Allahu (andaj mendon: “Jam ende i ri. Ka kohë për pendim”), në mënyrë që të zhytesh ende në gjynahe.
➦Përmirësimi i sjelljes
Shumë prej muslimanëve nuk ndryshojnë sjelljen kur fillojnë të praktikojnë fenë, apo dhe ndoshta bëhen më të pasjellshëm, gjë e cila sjellë pasoja në davet: kjo bëhet shkak që njerëzit të refuzojnë fenë. Njeriu duhet të dëshmojë se feja e ka bërë më të mirë e më të dobishëm (për prindërit, familjen etj.).
➦Prishja e magjisë
Magjia mund të prishet, kjo nuk është e pamundur. Ajo prishet në forma të ndryshme, si: me dua, me lexim të Kuranit, me dhiker, me mbështetje tek Allahu, me largim nga gjynahet etj. Formë tjetër është gjetja e vendit të magjisë dhe prishja e saj. Mirëpo, është e vështirë të gjendet vendi i magjisë. Nganjëherë magjia prishet edhe përmes ilaçeve (p.sh. nëse magjia është që personi të sëmuret me një sëmundje të caktuar dhe merr ilaçe kundër asaj sëmundje e pastaj japin efektin e tyre, atëherë ai shërohet me lejen e Allahut).
➦ Nga shkaqet e faljes së mëkateve
– Sprovat e ndryshme e fatkeqësitë, në këtë jetë, qofshin sprova fizike (në shëndet), apo në pasuri, apo nga ana psikologjike (shqetësime, brenga).
– Veprat e mira që bën.
– Istigfari.
– Vështirësitë e vdekjes.
– Vështirësitë e sprovës së varrit, dënimi i varrit (ndokush dënohet në varr dhe pastaj del pa mëkate kur të ringjallet, sepse i janë shlyer për shkak të dënimit të varrit).
– Frika, tmerret dhe vështirësitë e Ringjalljes.
➦ Sahabët kanë pasur mendime të ndryshme sa i përket çështjeve të fikhut (e jo çështjeve të akides). Dhe kjo është prej mirësive të kësaj feje. Allahu ka lejuar që për një çështje të ketë disa mendime të dijetarëve në mënyrë që dera e përfitimit të dispozitave të jetë gjithmonë e hapur deri në Ditën e Kiametit. Dobi tjetër është që njerëzit ta kenë sa më të lehtë praktikimin e fesë sepse nganjëherë dikush kur dëgjon mendimin e një dijetari dhe mënyrën e argumentimit që bën, atëherë kjo zë vend në zemrën e tij, ndërsa dikujt tjetër i zë vend në zemër një mendim tjetër (duke qenë i bindur në atë mendim). Dobi tjetër është që vetë dijetari të mos goditet me vetëpëlqim duke menduar se ia qëllon gjithmonë të vërtetës, e Allahu ka bërë që nganjëherë të gabojë ndërkohë që mendimi i vërtetë të jetë te një dijetar tjetër. Gjithashtu dobi tjetër është që pasuesit e një dijetari të mos bëjnë pasim të verbër ndaj tij (duke e kuptuar se edhe ai gabon si njerëzit e tjerë), andaj nuk lejohet që njeriu ta bazojë fenë vetëm te një person. Allahu ka lënë shumë dijetarë dhe shumë mendime të ndryshme në çështje për të cilat lejohen mendimet e ndryshme.
➦ Ka qenë një burrë i cili nuk i ka krehur flokët e as mjekrën dhe gruaja e tij është ankuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i cili e ka kritikuar dhe i ka thënë te pastrohet e te krihet. Pastaj i ka thënë: “A është kështu më mirë (sesa siç ishe)?!” Gjithashtu ka propozuar që flokët e mjekra të krihen (por jo çdo ditë, jo vazhdimisht, por sipas nevojës).
➦ Ai që e di për vetën e tij se nuk do t’i dalë gjumi natën, atëherë e fal vitrin para se të flejë. Po ashtu mund ta falë edhe namazin e natës para se të flejë. Koha e namazit të natës fillon prej kur të falet suneti pas jacisë deri kur të hyjë koha e namazit të sabahut. Tërë kjo kohë është natë, kur mund ta falësh namazin e natës. Madje, namazin e natës mund ta ndash në dy pjesë: njërën pjesë e fal para gjumit e tjetrën kur të zgjohesh natën. Por, pjesa më e mirë për faljen e namazit të natës është pjesa e fundit të natës, sepse në atë kohë zbret Allahu në qiellin e dunjasë, siç ka ardhur në hadithe.
➦Gruaja duhet të mundohet të mos i përgjigjet nervozes që ndjen gjatë shtatzënisë për shkak të hormoneve (të mos veprojë në bazë të saj duke e ngrehur zërin e duke bërtitur dhe duke bërë veprime të pakontrolluara). Duhet të kërkojë ndihmën e Allahut dhe të mundohet ta përmbajë vetën (kjo është obligim), dhe nëse e arrin do të ketë shpërblim të madh tek Allahu (e jo të thotë fjalë të tilla: “Ma lironi rrugën të gjithë!”). Në gjendje zemërimi pastaj luan rol edhe shejtani duke e nxitur njeriun t’i përgjigjet zemërimit të tij. Andaj, shtatzëna nëse sheh se situata është duke eskaluar, atëherë duhet të ndërmarrë porositë që kanë ardhur në hadithe se çfarë të veprojë ai që është i zemëruar (si: të ulet, apo të shtrihet, të heshtë, të shkojë të marrë abdes).
➦Askush nuk ia do të mirën një fëmije më shumë sesa prindi i tij. Nëse të tjerët i shohin me dhembshuri fëmijët e tu për shkak se nuk ua feston ditëlindjet, realisht ata nuk po tregohen të mëshirshëm, por ti po tregohesh i mëshirshëm (që nuk ua feston) sepse me këtë je duke u munduar t’i ruash prej zjarrit të xhehehemit. Kjo është mëshira e vërtetë. Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” Tahrim 6. Dhe prej shkaqeve që dërgojnë në zjarr janë festimet e festave të palejuara në Islam. Andaj, kush është këtu i mëshirshmi i vërtetë?! Ata apo prindi i tillë?!
➦Për çdo mëkat që ke bërë është mirë të pendohesh specifikisht për të, nëse të kujtohen, dhe kërko falje për të. Por nëse nuk të kujtohen, atëherë pendohesh në mënyrë të përgjithshme dhe kërko falje: “O Allah m’i fal mëkatet, të voglat e të mëdhatë, të parat e të fundit, ato që i kam bërë haptazi dhe fshehtazi!”
➦ Nëse i largon mendimet (i refuzon, nuk i pranon) gjatë namazit lidhur me atë se si duket Allahu, atëherë njeriu nuk ka gjynah, sepse ato janë cytje të shejtanit i cili mundohet t’ia ngatërrojë mendjen besimtarit dhe adhurimin (namazin).
➦ Frika natyrale nuk është e ndaluar parimisht, si: frika nga errësira, nga ndonjë kafshë etj. Njeriu nuk qortohet për të e as nuk dënohet, derisa ta pengojë prej plotësimit të një obligimi. Kështu, nëse kjo frikë është diçka imagjinare dhe bëhet shkak për ta penguar prej një obligimi atëherë edhe kjo frikë ndalohet, si: dikush nuk del në xhami për namaz ngase imagjinon se mund t’i dalë ndonjë vjedhës, pa pasur asgjë reale këtu. Kjo frikë është mëkat sepse ndal prej një obligimi. Mirëpo, nëse ka frikë se ka qen shumë dhe që sulmojnë, atëherë nuk ka gjynah nëse nuk del në xhami në këtë rast.
➦ Preferohet larja e dhëmbëve para abdesit, qoftë me miswak apo me brushë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur të mos ia vështirësoja umetit tim, do t’i obligoja të pastronin dhëmbët me miswak para çdo abdesi.” Kuptimi “me miswak” është pastrimi i dhëmbëve me çfarëdo mjeti, qoftë me miswak apo me brushë.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🖊Transkriptim