Katër themelet e moraleve të larta
Është saktësuar një hadith në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Unë jam dërguar të plotësoj (përsos) moralet fisnike.” Dhe: “Vërtet, ata të cilët i dua më së shumti dhe të cilët do të qëndrojnë më së afërmi me mua në Xhenet, janë ata që kanë moralet më të mira.” Ai salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cilat janë ato vepra të cilat më së shumti dërgojnë në Xhenet?” Është përgjigjur: “Devotshmëria dhe morali i mirë.”
Për këtë arsye, muslimani e ka për detyrë t’i kushtojë rëndësi dhe kujdes të madh sjelljeve të tij. Ai duhet të mundohet të përmirësojë moralin dhe sjelljet e tij, sepse morali i mirë është adresa e lumturisë në këtë botë dhe tjetrën.
Do të përqendrohemi te katër gjëra të cilat llogariten baza të moraleve të mira, dhe të cilat i gjejmë të përmendura në katër hadithe. Të gjitha moralet islame bazohen dhe qëndrojnë mbi këto katër çështje. Kush u kushton rëndësi atyre, atëherë me lejen e Allahut, do të llogaritet prej atyre që kanë moral të lartë. Varësisht se sa pajiset me to, për aq llogaritet se ke moral të lartë.
Atij të cilit Allahu i ka dhënë sukses të kuptojë këto katër hadithe dhe t’i zbatojë në jetën e tij të përditshme, tek ai janë mbledhur bazat e moraleve të mira.
***
E para: Ruajtja e gjuhës
مَن كانَ يُؤْمِنُ باللَّهِ والْيَومِ الآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا، أوْ لِيصْمُتْ
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë.” Buhariu dhe Muslimi.
Fjala “Ditën e Gjykimit” është përdor qëllimisht në hadith, sepse ai që beson këtë Ditë, e di se do të japë llogari para Allahut. Pastaj: thotë: “le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë”, sepse e di bindshëm se do të dalë para Allahut dhe Ai do ta marrë në llogari për fjalët e tij. Me këto fjalë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem të fton që të ndalësh të mendosh mirë para se të flasësh me gjuhën tënde. Në bazë të fjalëve që flet, ose do të shpërblehesh ose do të dënohesh tek Allahu. Për këtë, sjellje dhe moral i bukur i besimtarit është kur mendon mirë para se të flasë.
Të ruash gjuhën do të thotë: Të mbash nën kontroll, ta frenosh dhe të mos flasësh përveçse fjalë të dobishme.
Ai që nuk e ruan gjuhën dhe nuk tregohet i kujdesshëm në fjalët që flet, nuk llogaritet se ka moral të mirë e të lartë. Ndokush mund të thotë për veten e vet se është i moralshëm, mirëpo (para kësaj) le të shohë se çfarë flet gjatë ditës, e atëherë do të dijë se sa ka moral e sjellje islame. Kjo sepse, siç pamë, prej bazave madhështore mbi të cilat bazohen moralet e larta islame është ruajtja e gjuhës.
Gjendjet nëpër të cilat kalon një fjalë:
–Kur mendon dhe të qartësohet se fjala që do ta flasësh është e mirë, atëherë në këtë rast, këtë fjalë nxjerre lirshëm dhe mos e freno vetën. Për këto fjalë do të shpërblehesh tek Allahu.
–Kur mendon dhe të qartësohet se fjala që do ta flasësh është e keqe dhe e dëmshme (në këtë jetë dhe tjetrën), si: përgojim, gënjeshtër, nënçmim, ofendim, bartje e fjalëve etj., atëherë në këtë rast, është obligim të mos e flasësh atë dhe ta frenosh gjuhën. Për të do të ndëshkohesh tek Allahu, në Ditën e Gjykimit, nëse Ai nuk të falë.
–Kur mendon dhe nuk e di se a është fjalë e mirë apo e keqe (je konfuz, ke mëdyshje), atëherë në këtë rast, nuk e nxjerrë atë dhe e frenon gjuhën.
Ruajtja e gjuhës është prej themeleve të cilat patjetër duhet t’i kemi parasysh ne si muslimanë, nëse dëshirojmë të konsiderohemi prej atyre që kanë moral dhe sjelle të mirë. Nëse duam të flasim, atëherë të flasim vetëm fjalë të mira. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm fjalë të sakta e të mira.” Ahzab 70. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Muadhit: “A ka ndonjë gjë e cila i hedh njerëzit në zjarrin e Xhehenemit me fytyra përmbys përveç asaj që kanë korrur gjuhët e tyre?!” Këtu na tregohet se shkaku kryesor pse njerëzit do të futen në zjarrin e Xhehenemit janë fjalët që kanë nxjerrë prej gjuhëve të tyre.
E dyta: Braktisja e gjërave që nuk të interesojnë
مِنْ حُسْنِ إِسْلَامِ الْمَرْءِ تَرْكُهُ مَا لَا يَعْنِيهِ
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Prej Islamit të mirë të njeriut është braktisja e gjërave që nuk i interesojnë.” Tirmidhiu dhe të tjerët.
Themeli i dytë i moraleve të mira është largimi prej gjërave që nuk të interesojnë – të mos jesh kureshtar[1] dhe të mos e fusësh veten në gjëra të tilla. Njeriu kureshtar i cili pyet për çdo (e cila nuk i hynë në punë) nuk llogaritet sipas Islamit njeri me moral të lartë. Ndërsa, kur njeriu qëndron larg kësaj, kjo është prej shenjave të edukatës dhe moralit të tij të lartë.
“braktisja e gjërave që nuk i interesojnë” – gjërave prej të cilave nuk ka dobi në këtë botë dhe tjetrën. Këtë pjesë të hadithit duhet ta kuptojmë sipas kritereve Islame dhe nuk duhet të vendosim kritere sipas tekave tona. Disa njerëz po këtë hadith e përdorin në vendin e pa duhur, shembull: Kur dikush i urdhëron në të mira apo i ndalon prej të këqijave, përmendin këtë hadith në kuptimin se ajo që bëjnë nuk duhet t’i interesojë atij dhe nuk ka nevojë t’i këshillojë- sipas tyre. E prej themeleve dhe rregullave të fesë Islame është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi prej të këqijave. Kjo në fakt duhet t’i interesojë besimtarit dhe duhet të angazhohet me këtë çështje. Në këtë na ka urdhëruar Allahu në Kuran dhe i Dërguari i Tij në sunet.
E treta: Moszemërimi
لا تَغْضَبْ
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Mos u zemëro!” Buhariu.
Të mos veprosh sipas emocioneve të nefsit, e sidomos të mos ndjekësh zemërimin. Kur njeriu pason emocionet e tij – lejon që ato ta kontrollojnë – dhe zemërohet, atëherë gjatë kësaj gjendje, do të bëjë veprime dhe do të flasë fjalë të cilat do të kenë pasoja në Ditën e Gjykimit. Nuk i lejohet muslimanit që ta udhëheqin emocionet e tij. Një person ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i ka kërkuar këshillë, e ai i ka thënë: “Mos u zemëro!”
Çdo veprim apo fjalë në gjendje zemërimi e nervoze, muslimanin e nxjerr prej moralit të lartë. Kjo sepse kur vepron apo flet gjatë zemërimit, patjetër do të pendohet për to menjëherë pasi i kalon zemërimi.
Kur dijetarët flasin për zemërimin duke treguar për shëmtinë e tij, thonë: “Fillimi i zemërimit është çmenduri, kurse fundi i tij është pendim.” Zemërimi përmbledh të gjitha të këqijat.
Mirëpo, nëse ndodh të veprosh sipas emocioneve dhe të kaplohesh prej zemërimit, atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka mësuar të veprojmë kështu: “Nëse ndonjëri prej jush zemërohet, atëherë le të ulet nëse është në këmbë. Nëse i kalon zemërimi (pasi të ulet), mirë, në të kundërt le të shtrihet.” Dhe ka thënë: “Kur dikush prej jush zemërohet, le të heshtë.” Nëse njeriu nuk flet në gjendje zemërimi, në këtë mënyrë do të ndalë veten prej fjalëve të dëmshme. Nëse ulet, në këtë mënyrë do të frenojë veten prej ndonjë veprimi të dëmshëm. Këto dy gjëra kërkohen prej muslimanit kur e kaplon zemërimi, nëse dëshiron të jetë prej atyre që kanë moral të lartë.
E katërta: Dashamirësia ndaj të tjerëve
لا يُؤْمِنُ أحدُكُم حتى يُحِبَّ لِأَخِيهِ ما يُحِبُّ لنفسِهِ
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Askush prej jush nuk ka besuar (me besim të plotë) derisa të dojë për vëllain e tij (musliman) atë që do për veten e tij.” Buhariu dhe Muslimi
Të kesh zemër të shëndoshë e të pastër në raport me muslimanët dhe të mos kesh urrejtje, zili, mllef, dashakeqësi etj. Allahu tregon në Kuran se prej lutjeve të besimtarëve të parë (sahabëve), që kanë bërë, ka qenë: “dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve!” Hashr 10. Këtu përmblidhen të gjitha ato që përmenden (prej sëmundjeve dhe të metave të zemrës).
Pasja e një zemre të shëndoshë është prej gjërave që kërkohen te muslimani. Nuk lejohet që në zemrën e tij të ketë qëllime të këqija ndaj muslimanëve të tjerë, apo sëmundje të zemrës, apo gjëra të prishura etj. Mirëpo, nëse i posedon këto gjëra, atëherë nuk llogaritet prej atyre që kanë morale të larta. Kjo sepse prishja e brendësisë (zemrës), rrjedhimisht do të pasqyrohet në anën e jashtme (në vepra). Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila nëse përmirësohet, atëherë i gjithë trupi i tij (veprat) do të përmirësohet. Por, nëse ajo prishet, atëherë i gjithë trupi (veprat) do të prishen. Ajo copë mishi është zemra.”
Zemra është ajo e cila komandon/udhëheq. Nëse në zemër ke sëmundje, duhet të shpejtosh ta pastrosh prej tyre. Mos lejo që në zemrën tënde të ketë gjëra të këqija (siç përmendëm).
“Askush prej jush nuk ka besuar (me besim të plotë)”, ndërkohë që secili prej nesh kërkon të jetë besimtar me besim të plotë dhe të arrijë shpërblimin e plotë tek Allahu – Xhenetin. Dhe një prej çështjeve që duhet ta plotësojmë për të qenë besimtarë të mirë, është edhe kjo: Të duam për vëllain tonë atë që duam për veten tonë. Arritja e këtij niveli rezulton me ruajtjen e zemrës prej sëmundjeve dhe të metave të saj dhe me pastrimin e saj prej tyre. Dhe pastaj me lejen e Allahut do të bëhemi prej atyre të cilët kanë morale të larta islame.
***
Ligjëroi: Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptoi: Albiona Olluri
[1] Të largohet prej fjalëve të padobishme, prej shikimit të padobishëm (duke mos shikuar gjëra që nuk i hyjnë në punë – nuk i duhen) dhe prej dëgjimit të padobishëm (duke mos dëgjuar fjalët e të tjerëve që nuk i hyjnë në punë).