Disa vepra të cilat Allahu i do

Disa vepra të cilat Allahu i do

—Moralet e virtytshme

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i do moralet e larta e të virtytshme.” Moralet e mira ndaj njerëzve janë nga plotësimi i besimit të personit. Nga moralet e mira janë:

◊ Të duash për vëllain tënd atë që do për veten.

◊ Të mbash lidhjet farefisnore.

◊ Të respektosh musafirin.

◊ Të shpërfillësh injorantin.

◊ Të forcosh lidhjet me ata që kanë shkëputur lidhjet me ty.

◊ T’i japësh atij që nuk të jep.

◊ Të falësh ata që të kanë bërë padrejtësi.

◊ Të mos lëndosh komshinjtë.

◊ Të mos frikësosh muslimanët me ndonjë formë frike.

◊ Të mos bësh padrejtësi.

◊ Të mos e lësh pa ndihmë muslimanin kur ka nevojë.

◊ Të mos zbulosh sekretet e vëllait apo shokut.

◊ Të mos flasësh fjalë të ndyra.

◊ Të mos jesh akuzues, kritikues i madh dhe mallkues.

◊ Të mos përgojosh, bartësh fjalë etj.

 

—Falja ndaj të tjerëve

Allahu thotë: “Por që të falni është më pranë devotshmërisë.” Bekare 237. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur njeriu i fal të tjerët, Allahu ia shton atij edhe më shumë krenarinë e pozitën (në mesin e të tjerëve).” Ai gjithashtu është lutur me fjalët: “O Allah, Ti je falës, e do faljen, andaj më fal mua!” Përderisa Allahu është falës, edhe ne si besimtarë, duhet të jemi falës ndaj të tjerëve. Kjo do të thotë:

◊ Nëse të ka bërë padrejtësi, edhe pse ke të drejtë t’ia kthesh në të njëjtën mënyrë, ia fal atë.

◊ Nëse të ka bërë padrejtësi e cila kompensohet (ka dëmshpërblim), ia fal.

Njeriu i cili është i njohur me virtytin e faljes së të tjerëve, arrin që të ngritët në zemrat e njerëzve (të jetë i respektuar), dhe kështu Allahu ia shton krenarinë dhe shpërblimin në këtë botë, gjithashtu ngritjen, krenarinë dhe pozitën e lartë në botën tjetër.

—Butësia ndaj të tjerëve

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu do që njeriu të jetë i butë në të gjitha çështjet.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe: “Allahu është i Butë (Rrefiikun) dhe e do butësinë.” Muslimi.

Allahu e shpërblen njeriun i cili tregohet i butë ndaj të tjerëve (në raportet me ta), që do të thotë:

– E lavdërojnë njerëzit.

-Arrin synimet në këtë botë.

Allahu gjithashtu e shpërblen në botën tjetër.

—Lavdërimi ndaj Allahut

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush nuk e do lavdërimin për veten e vet më shumë sesa Allahu.” Muslimi. Lavdërimi ndaj Allahut është thurja e lëvdatave për Atë duke përmendur Cilësitë e Tij të përsosmërisë.

Allahu e ka lavdëruar Veten e Tij. Librin e Tij – Kuranin e ka filluar me lëvdata (me hamd) ndaj Tij, “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve” Fatiha 2.

Ne duhet që sa më shumë të lavdërojmë Allahun, ngase këtë gjë e do Ai.

—Justifikimi ndaj të tjerëve

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush nuk e do justifikimin më shumë sesa Allahu. Për këtë, Ai ka zbritur Libra dhe ka dërguar Pejgamberë.” Muslimi. Allahu ka dërguar Pejgamberët që të justifikojë dhe arsyetojë njerëzit, gjithashtu t’i paralajmërojë para se t’i përfshijë me dënimin e Tij qoftë në këtë jetë apo tjetrën. Kjo është nga përsosmëria e drejtësisë dhe bamirësisë që Allahu ka ndaj robërve të Tij. Allahu nuk e dënon askënd pa i ardhur argumenti prej Shpalljes, dhe këtë argument, Ai e ka ngrehur ndaj njerëzve përmes dërgimit të Pejgamberëve dhe zbritjes së Librave.

Përderisa Allahu e do justifikimin, atëherë edhe ne duhet që sa më shumë t’i justifikojmë njerëzit për gabimet dhe lëshimet e tyre.

—Betimi në Emrin e Allahut (kur kjo kërkohet)

Allahu do kur ne betohemi në Emrin e Tij, por kjo atëherë kur kërkohet betimi. Dhe që të mos jenë betimet e shpeshta për gjëra të ulëta, porse për gjëra madhore. Nëse kërkohet betimi, atëherë duhet të betohemi vetëm në Allahun. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Betohuni në Allahun, përmbushni betimet dhe jini të sinqertë në to, ngase Allahu e do betimin në Emrin e Tij.”

—Maturia – mosnxitimi

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë njërit nga sahabët: “Vërtet ti ke dy tipare të cilat Allahu i do: maturia dhe mosnxitimi.” Muslimi. Muslimani i cili nuk i posedon këto dy tipare kaq të mira, duhet të përpiqet që t’i arrijë gjatë jetës së tij. Sa më shumë që përpiqet drejt kësaj, Allahu do ta ndihmojë t’i arrijë ato.

—Turpi dhe mbulimi

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet Allahu është i turpshëm dhe mbulues i të metave, prandaj e do turpin (te njeriu) dhe mbulimin.” Ebu Daudi, Nesaiu. Allahu mbulon të metat, lëshimet dhe mëkatet tona dhe nuk na demaskon para të tjerëve. Ai do që edhe ne të jemi të turpshëm dhe të mbulojmë të metat e të tjerëve dhe të mbulojmë avretin.

—Bukuria – e bukura

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën.” Muslimi. Allahu është i Bukur në Qenien e Tij, në Emrat e Tij, në Cilësitë e Tij dhe në Veprat e Tij. Allahu si Cilësi e ka Bukurinë. Edhe ne duhet të themi fjalë të bukura e të mira, të veprojmë vepra të mira dhe të kemi sjellje të bukura e të mira. Allahu do nga robi i Tij që së pari të zbukurojë gjuhën e tij përmes fjalëve të mira e të sinqerta, të zbukurojë zemrën përmes sinqeritetit (në adhurime), të zbukurojë gjymtyrët me adhurime ndaj Allahut dhe me shfaqje të mirësive të Tij (në rroba, në trup), të zbukurojë trupin nga papastërtitë e ndyrësitë.

—Mburrja në luftë dhe në dhënien e lëmoshës

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka nga mburrja të cilën Allahu e do dhe ka nga mburrja të cilën e urren. Mburrjen të cilën e do është ajo që njeriu e shfaq në luftë (kur ballafaqohet me armikun) dhe kur jep lëmoshë.” E para është kur hyn në betejë dhe shfaq forcën, ashpërsinë dhe mburrjen përballë armikut, që ta nënvlerësojë dhe frikësojë atë. E dytë është kur jep sa më shumë lëmoshë duke mos u frikësuar nga pakësimi i pasurisë, dhe sa më shumë që jep sheh se është pak, andaj jep edhe më shumë, me vullnet e me zemër të pastër.

Ndërsa, mburrja e ndaluar është kur njeriu mburret me gjëra të kota, si: në lavdërimin e vetes, në përmendjen e të mirave që ka bërë ndaj të tjerëve etj.

—Marrja e lehtësimeve fetare

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu do që të veproni lehtësimet e Tij ashtu siç do që të veproni obligimet e Tij.” Dhe: “Allahu dëshiron që të veproni lehtësimet ashtu siç urren që të veproni mëkatet.” Allahu na ka urdhëruar të veprojmë lehtësimet (e ligjësuara) në dispozitat e Tij ngase në këtë mirë largohet vetëpëlqimi (në veprimin e adhurimeve).

— Përsosja e veprës

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet Allahu do që kur dikush të kryejë një punë, ta përsosë atë.” Qoftë nëse është vepër fetare apo punë e dunjasë. Veprat më të vlefshme që duhet t’i përsosim janë adhurimet ndaj Allahut (duke i bërë me sinqeritet, larg syefaqësisë e bidateve etj.). Veprat që duhet t’i përsosim janë edhe ato që kanë të bëjnë me raportet me të tjerët dhe gjithashtu punët që kanë të bëjnë me profesionin/zanatin.

—Xhelozia

Kjo është kur njeriu sheh te familja e tij se anëtarët e saj po veprojnë ndalesa dhe shfaq xhelozi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka nga xhelozia të cilën e do Allahu dhe të cilën nuk e do. Xhelozia të cilën e do Allahu është kur njeriu sheh gratë e familjes së tij duke vepruar ndonjë ndalesë (ndonjë gjë që është në kundërshtim me moralin dhe nderin e muslimanes) dhe xhelozon, ndërsa xhelozia të cilën nuk e do është ajo që vjen për shkak të dyshimeve (pa argumente).”

— Shfaqja e mirësive te personi

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu do që gjurmët e mirësive të Tij të shihen te robi i Tij.” Allahu do që të shfaqet te njeriu bukuria e jashtme (përmes mirësive që ia ka dhënë) dhe bukuria e brendshme (falënderimi e mirënjohja me zemër për ato mirësi). Allahu për shkak që e do të bukurën, ka krijuar rroba për robërit e Tij përmes të cilave zbukurojnë të jashtmen e tyre, si dhe ka zbritur Shpalljen dhe argumente që tregojnë për devotshmërinë, përmes së cilës zbukurohet e brendshmja.

—Pajtimi ndërmjet njerëzve

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pajtimi ndërmjet njerëzve është lëmoshë të cilën e do Allahu.” Nëse pajton ndërmjet njerëzve, tek Allahu llogaritet sikur të japësh lëmoshë. Pajtimi bëhet në rastet kur ka vrasje ndërmjet njerëzve, apo ka probleme lidhur me pasurinë, apo lidhur me nderin, dhe në çdo rast që lidhet me ngatërresa e mosmarrëveshje mes muslimanëve.

—Teshtima

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e do teshtimën.” Ajo është mirësi nga Allahu për njeriun, përmes së cilës largohen shumë gjëra të dëmshme prej trupit të tij. Andaj, është ligjësuar që pas teshtimës të falënderojmë Allahun – të themi “Elhamdulilah”. Dhe për këtë falënderim do të shpërblehemi tek Allahu.

—Veprat e vazhdueshme edhe nëse janë të pakta

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë të vazhdueshmet edhe nëse janë të pakta.” Muslimi. Dhe: “Nga veprat më të mira janë ato të vazhdueshmet edhe nëse janë të pakta.” Veprat e tilla janë më të mira sesa veprat e shumta të cilat ndërpriten pas një kohe.

—Futja e gëzimit në zemrën e muslimanit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nga veprat më të mira tek Allahu është futja e gëzimit në zemrën e muslimanit.” Duhet të mundohemi të veprojmë këtë vepër, qoftë kur i flasim fjalë të mira ngushëlluese një muslimani që gjendet në fatkeqësi,  apo kur i sjellim lajme të mira përgëzuese, apo kur e gëzojmë duke e ndihmuar me dhënie nga pasuria etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit