Alkame (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shoqërohu me atë i cili kur ke nevojë të ndihmon, nëse thua diçka (gabim) të përmirëson, nëse sheh tek ti një vepër apo veprim të mirë e përhap tek të tjerët dhe nëse sheh tek ti një mëkat ta mbulon e të këshillon.”
***
Pesë cilësitë që duhet të posedojnë ata të cilët i përzgjedh t’i duash për hir të Allahut:
Të jenë të mençur
Të kenë moral dhe sjellje të mira
Të mos jenë mëkatarë
Të mos jenë pasues të rrugës së bidatit
Të mos jenë lakmitarë në jetën e kësaj bote
***
Dashuria ndërmjet dy njerëzve, që është për interesa të kësaj bote, ndërpritet ose kur arrihen qëllimet, ose kur nuk realizohen ato.
***
Nga shenjat e dashurisë së vërtetë vëllazërore në Islam është edhe dashamirësia. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush nga ju nuk ka besuar derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për veten.”
***
Frytet e dashurisë për hir të Allahut, së pari vjelën në jetën e kësaj bote, pastaj dhe në botën tjetër.
***
∞ Allahu i do ata që duhen për hir të Tij
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith kudsij ka treguar se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Është bërë obligim Dashuria Ime ndaj atyre që duhen për hir Timin, ndaj atyre që ulen (takohen) për hir Timin, ndaj atyre që vizitohen për hir Timin dhe ndaj atyre të cilët shpenzojnë (për njëri-tjetrin) për hir Timin.” Sahih
***
∞ Allahu do ta nderojë atë që do për hir të Tij
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në një hadith sahih: “Çdo njeri i cili e do vëllain e tij për hir të Allahut, Ai do ta nderojë atë.” Ky nderim përfshin shumë begati e mirësi, si:
-Shtimi i besimit
-Arritja e dijes së dobishme,
-Suksesi në bërjen e veprave të mira etj.
***
Lidhja vëllazërore (për hir të Allahut) kërkon medoemos përmbushjen e disa të drejtave të cilat përfshijnë aspektin e pasurisë, fizikut, gjuhës dhe zemrës.
***
Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Janë tri gjëra të cilat e kullojnë dashurinë vëllazërore: 1. T’i japësh selam i pari. 2. T’i bësh vend në mexhlise. 3. Ta thërrasësh me emrat më të dashur që i pëlqen.”
***
Nga të drejtat e vëllait musliman, është që të mos e braktisësh kur ka nevojë për ty, por t’i gjendesh në fatkeqësi, e sidomos kur fatkeqësia ka të bëjë me fenë e tij.
***
Nevojën që ka vëllai yt ta llogaritësh sikur nevojën tënde. Transmetohet për disa nga muslimanët e parë se kur u ka vdekur ndonjë vëlla musliman, atëherë janë kujdesur për familjen e tij për çdo gjë që kanë pasur nevojë, dhe kjo ka zgjatur për 40 vite.
***
Besimtari duhet gjithmonë të kujtojë të mirat që ka vëllai i tij dhe të harrojë të metat e gabimet e tij, sepse kjo bën që zemra e tij ta respektojë dhe ta dojë më shumë. Duhet të ketë mendim të mirë (pozitiv) për të – fjalët dhe veprimet e tij t’i interpretojë në mënyrën më të mirë e jo t’i keqinterpretojë.
***
Abdullah ibën Mubareku ka thënë: “Besimtari gjithmonë kërkon arsyetime për vëllain e tij musliman, kurse hipokriti kërkon rrëshqitjet dhe gabimet.” Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Burrëri dhe fisnikëri është të falësh gabimet dhe të metat e vëllezërve muslimanë.”
***
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cila është vepra më e mira?” Ndër të tjera, ai salAllahu alejhi ue selem ka përmendur: “Të futësh gëzim e lumturi në zemrën e vëllait tënd musliman.”
***
Duhet të kesh besnikëri dhe sinqeritet në dashurinë që ke ndaj vëllait musliman të cilin e do për hir të Allahut. Shenjë e kësaj është se kjo dashuri do të jetë e qëndrueshme dhe e vazhdueshme deri në vdekje.
***
Pakësimi apo ndërprerja e dashurisë ndaj vëllait musliman, është një gjë e cila do ta gëzojë shejtanin, sepse ai ka më shumë zili ndaj atyre që duhen për hir të Allahut sesa ndaj atyre të cilët bashkëpunojnë në vepra të mira.
***
Dijetarët kanë thënë: “Gjëja më e këndshme për shpirtin e njeriut është kur ulet me vëllezërit e tij muslimanë të cilët i do për hir të Allahut.” Njëri nga selefi ka shkruar: “Çështja e fatkeqësive të kësaj bote është e lehtë, përveç ndarjes me vëllezërit muslimanë.”
Thëniet janë transkriptime nga derset e hoxhës Lulzim Perçuku



