Aspekti i zemrës në dashurinë vëllazërore

» Aspekti i zemrës

-Të kesh besnikëri dhe sinqeritet në dashurinë që ke ndaj vëllait musliman të cilin e do për hir të Allahut. Shenjë e kësaj është se kjo dashuri do të jetë e qëndrueshme dhe e vazhdueshme deri në vdekje dhe ndjenja e mërzisë në rast se ndahesh nga ai. Kjo dashuri do të vazhdojë madje dhe pas vdekjes, duke u interesuar për familjen e tij, të afërmit dhe shokët e tij. Shpërblimi për dashurinë për hir të Allahut kërkohet prej Tij, andaj kjo dashuri nuk përfundon me vdekjen e vëllait tënd musliman. Kjo dashuri kërkohet të jetë e qëndrueshme (të mos ndryshojë) edhe nëse lartësohesh në pozitë apo në pushtet, apo bëhesh njeri i rëndësishëm në mesin e të tjerëve. Disa nga dijetarët kanë thënë: “Njerëzit fisnikë kur kanë mirëqenie (u lehtësohet jeta e kësaj bote), kujtojnë ata me të cilët kanë jetuar së bashku me kushte të rënda jetësore.” Njëri nga selefi ka thënë: “O biri im! Shoqërohu me atë i cili kur ke nevojë, të afrohet e kur nuk ke nevojë, nuk lakmon atë që posedon dhe nëse pozita e tij ngritët, nuk tregohet mendjemadh dhe kryelartë ndaj teje.” Ndërsa, në të kundërt, pakësimi apo ndërprerja e kësaj dashuria ndaj vëllait musliman, është një gjë e cila do ta gëzojë shejtanin, sepse ai më shumë ka zili ndaj atyre që duhen për hir të Allahut sesa ndaj atyre të cilët bashkëpunojnë në vepra të mira. Prandaj, mundohet shumë që të prishë raportin e atyre të cilët duhen për hir të Allahut. Allahu thotë: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre.” Isra 53. Dijetarët kanë thënë: “Vëllazëria në fe është vendi ku besimtari gjen ngushëllimin dhe është ndihmë për të në fenë e tij.” Në një thënie tjetër gjejmë se kanë thënë: “Gjëja më e këndshme për shpirtin e njeriut është kur ulet me vëllezërit e tij muslimanë të cilët i do për hir të Allahut.” Njëri nga selefi ka shkruar: “Çështja e fatkeqësive të kësaj bote është e lehtë, përveç ndarjes me vëllezërit muslimanë.”

-Të mos dëgjosh fjalët që të përcillen për vëllain musliman të cilin e do për hir të Allahut. Kjo është nga besnikëria në këtë dashuri. Gjithashtu këtu hyn mosbesimi ndaj armikut të vëllait tënd. Imam Shafiu ka thënë: “Kur shoku yt dëgjon armikun tënd, atëherë që të dy janë bashkëpjesëmarrës në armiqësinë ndaj teje.”

-Të kesh mendim të mirë (pozitiv) për të – fjalët dhe veprimet e tij t’i interpretosh në mënyrën më të mirë e jo t’i keqinterpretosh. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime (paragjykime), se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” Huxhurat 12. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini kujdes nga paragjykimet ndaj vëllezërve tuaj muslimanë sepse ato janë gënjeshtra më e madhe.” Buhariu dhe Muslimi. Kjo gjë kërkohet ndaj të gjithë muslimanëve, e sidomos ndërmjet atyre të cilët duhen për hir të Allahut. Dijetarët kanë thënë: “Paragjykimi është përgojimi i zemrave.” Shumë njerëz ruhen nga përgojimi me gjuhë ndaj vëllezërve të tyre, mirëpo kanë shumë paragjykime në zemrat e tyre.

-Të jesh modest në raportin me vëllain musliman, dhe kur vjen fjala të krahasosh veten me të, të vlerësosh atë më shumë sesa veten. Një nga dijetarët e mëhershëm ka thënë: “Vëllezërit e mi muslimanë janë të gjithë më të mirë sesa unë.” Ndërsa, kur mendon se je më i vlefshëm sesa vëllezërit e tu, i ke nënçmuar ata.

 Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit