Rëndësia e pendimit

Rëndësia e pendimit

Pendimi është një rrugë përmes së cilës njeriu pastron shpirtin e tij. Pranimi i mëkateve është gjëja e parë drejt shërimit të shpirtit dhe qetësisë shpirtërore. Kjo rehati dhe qetësi shpirtërore nuk arrihet e nuk është e plotë veçse përmes pendimit. Pendimi lë gjurmë dhe rezultate të lavdëruara tek i penduari. Kështu, atij i hapet dera të cilën e kishin shkatërruar mëkatet më parë dhe të cilat ishin barrë e rëndë për të, i ngjallët shpresa për pastrimin e shpirtit nga këto mëkate dhe kjo shpresë pastaj e bën të ndjejë prehje dhe të shohë me optimizëm.

Pendimi është hapi i parë të cilin e hedhin ata që rrugëtojnë për tek Allahu, i Cili është Sunduesi dhe i Plotfuqishmi. Ibën Kajimi ka thënë: “Pendimi është nga pozitat më të vlefshme të atyre të cilët rrugëtojnë për tek Allahu, ngase ai është fillimi i stacioneve tek të cilët ata ndalen, mesi dhe fundi. Pendimi kurrë nuk i ndahet robit, derisa t’i vijë vdekja. Edhe nëse (ai që rrugëton për tek Allahu) zhvendoset nga një pozitë/nivel në një pozitë tjetër më të lartë, e shoqëron edhe pendimi. Pendimi është fillimi dhe fundi i tij. Nevoja për pendim në fund të këtij rrugëtimi, është e domosdoshme si në fillim të tij.”

Pendimi nis me keqardhje e cila sjell vendosmërinë, synimin dhe dijen se mëkatet janë pengesë mes robit dhe Zotit të tij, andaj njeriu nxiton drejt shpëtimit dhe sigurisë dhe e di se nuk ka strehë veçse tek Allahu.

Pendimi është kthimi tek Allahu prej mëkateve të kaluara, qoftë nëse njeriu i ka bërë qëllimisht apo nga injoranca, me një kthim të sinqertë, të vërtetë, duke e përforcuar më tej me bërjen e adhurimeve dhe me bindje, gjëra këto të cilat do ta ngrehin në nivelet e miqve të Allahut. Dhe kështu, pendimi i tij do të bëhet pengesë mes tij dhe rrugëve të shejtanit.

Pendimi është rruga e shpëtimit dhe është dëshmi për vërtetësinë e kthimit tek Allahu. Pendimi është nga shtyllat më të rëndësishme të fesë dhe hapi i parë që ndërmarrin ata të cilët rrugëtojnë drejt Allahut.

Pendimi i njeriut tek Allahu ka një pozitë aq të lartë saqë asgjë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Kur njeriu kthehet tek Allahu me pendim, edhe Allahu kthehet kah ai me falje dhe mëshirë. Ai e pranon pendimin e robit të Tij. Kjo është një nga mirësitë e Allahut për krijesat e Tij. Kjo tregon se bamirësia e Allahut ndaj tyre është e plotë dhe tregon për mëshirën e Tij ndaj çdokujt që pendohet tek Ai.

Në shumë tekste fetare, ka ardhur urdhri për pendim, ndër to përmendim:

— Allahu thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë – kulluar…“ Tahrim 8.

— “Vërtet, Unë jam Falës i madh për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” Ta he 82.

“Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” Bekare 222.

—“Ndërsa atij që pendohet pas të këqijave të tij dhe përmirësohet, Allahu ia pranon pendimin, sepse Ai është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” Maide 39.

—Hadith: “Allahu i Madhëruar shtrin Dorën e Tij gjatë natës që të pendohet ai që ka bërë mëkate gjatë ditës dhe shtrin Dorën e Tij gjatë ditës që të pendohet ai që ka bërë mëkate gjatë natës. Kjo derisa të lindë dielli nga perëndimi.”

—Hadih: “Kushdo që pendohet para se të lindë dielli nga perëndimi, Allahu do t’ia pranojë pendimin.”

Pastaj, nëse njeriu zbaton urdhrin e pendimit, që ka ardhur në Kuran e sunet, do të arrijë dy dobi:

  1. Zbaton urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit, dhe në këtë qëndron çdo e mirë dhe është arritja e lumturisë në këtë botë dhe tjetrën.
  2. Pason të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem i cili vetë është penduar shumë herë brenda ditës.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit