Mësime se si të jemi dashamirës ndaj vëllait musliman

Mësime se si të jemi dashamirës ndaj vëllait musliman

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka besuar askush prej jush derisa të dëshirojë për vëllain e vet atë që dëshiron për vetveten.”

Dijetarët kanë thënë: “Ky hadith është parim kryesor lidhur me atë se si muslimani duhet ta trajtojë muslimanin tjetër me zemër. Ndërsa hadithet e tjera që kanë të bëjnë me moralet, flasin lidhur me atë se si muslimani duhet ta trajtojë muslimanin tjetër me vepra.”

“Nuk ka besuar askush prej jush” – Qëllimi është se nuk ka besuar plotësisht, nuk e ka plotësuar besimin obligativ, nuk e ka plotësuar besimin i cili mundëson hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin.

derisa të dëshirojë për vëllain e vet atë që dëshiron për vetveten” kjo ka dy aspekte:

  1. Kur ia dëshiron të mirën nga ana fetare, si: shpëtimi nga të këqijat, shpërblimi me Xhenet, arritja e lartë në vepra të mira, pendimi, falja e Allahut dhe të tjera.
  2. Kur ia dëshiron të mirën nga ana e dunjasë, si: martesa, pasuria, vendbanimi, veshmbathja e mjaftueshme etj.

 

***

Nivelet e dashamirësisë ndaj vëllait sikur ndaj vetes janë:

-Ia dëshiron të mirën, por më pak sesa për vetveten. Kjo gjë është e ndaluar dhe nuk e plotëson besimin.

-Ia dëshiron të mirën aq sa gjendja e vet – të jetë i barabartë. As kjo nuk e plotëson besimin. Njeriu mund të mos jetë i kënaqur me disa aspekte të gjendjes së vet (nuk i pëlqen).

-Ia dëshiron edhe ato të mira që ende nuk i ka arritur. Dhe pikërisht kjo është ajo që kërkon ky hadith. 

-Ia dëshiron të mirën më shumë e më mirë sesa vetvetes. Ky është niveli më i lartë.

***

Ka nga njerëzit të atillë që duan t’i posedojnë disa gjëra vetëm ata, qofshin shtëpi, apo automjete, apo veshje etj. Ata duan të jenë të dalluar nga të tjerët në to, dhe kur dikush i ka të ngjashme, atëherë atyre u bëhen monoton. Është diskutuar në mesin e dijetarëve se a është kjo një gjë që përfshihet në këtë hadith, dhe shumë nga ta kanë thënë se përfshihet. Kjo sepse dëshira e tillë, tregon se personi ka mburrje, kryelartësi, arrogancë e mendjemadhësi ndaj të tjerëve. Dhe i tilli nuk ua ka dëshiruar muslimanëve atë që ia dëshiron vetvetes.

***

Ndër shkaqet që ndihmojnë për të arritur dashamirësinë ndaj vëllait sikur ndaj vetes janë:

◊ Të mos jesh lakmitar ndaj dunjasë dhe të mos garosh për të. Gjërat e dunjasë janë të kufizuara, pastaj njerëzit garojnë drejt tyre duke dashur t’i arrijnë për vetveten. Sot sheh konflikte mes muslimanëve dhe zakonisht motivi i kësaj është ai material.

◊ Të dish se kur ia do të mirën vëllait musliman sikur vetes, atëherë Allahu do të të japë edhe ty. Në të kundërt, kur nuk je në gjendje t’ia dëshirosh muslimanit atë që ia dëshiron vetes, mund të mbetesh pa të, për shkak të shpirtngushtësisë.  Duhet ta kesh zemrën e gjerë ndaj muslimanëve, edhe nëse nuk pajtohesh me ta për ndonjë gjë.

Ligjëroi: Hoxhë Jeton Bozhlani

Transkriptim

Madhësia e tekstit