“Kush pendohet para se të lindë dielli nga perëndimi, Allahu do t’ia pranojë pendimin”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush pendohet para se të lindë dielli nga perëndimi,[1] Allahu do t’ia pranojë pendimin.” Shënon Muslimi

مَنْ تَابَ قَبْلَ أَنْ تطلُعَ الشَّمْسُ مِنْ مغْرِبِهَا تَابَ الله علَيْه

Ky hadith na tregon se njeriu në vazhdimësi është në konflikt mes dëshirash e pasionesh dhe obligimeve me të cilat e ka ngarkuar Allahu. Ai gjithmonë është i luhatshëm mes realizimit të dëshirave e pasioneve dhe përmbajtjes ndaj udhëzimeve fetare. Kjo gjë gjendet në natyrën e njeriut. Mirëpo, ai që ka vullnet të fortë dhe prirje të besimit qëndron përball joshjeve dhe tundimeve të jetës. Ai do të shpëtojë nëse arrin të triumfojë mbi dëshirat e nefsit të tij, ngase kush i dorëzohet dëshirave e pasioneve të nefsit (egos), përfundimi e tij do të jetë humbja e qartë. Allahu thotë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” Shems 9-10.

Hadithi po ashtu na tregon se është obligim pendimi nga të gjitha mëkatet, qofshin të mëdha apo të vogla. Pendimi i sinqertë është nga provat më të mëdha që tregon se njeriu ka arritur të triumfojë mbi nefsin/egon e tij. Ky pendim pastaj ia hap horizontet e shpresës para çdo mëkati me të cilin e ka ngarkuar veten. Kështu që, besimtari kurrë nuk e humbet shpresën në Mëshirën e Allahut. Dhe kjo shpresë nuk i shuhet dhe shkëlqimi i saj nuk humbet.

Sado që mëkatet e tua janë të mëdha e të shumta, kurrë mos e humb shpresën në Mëshirën e Allahut dhe mos lejo që shejtani të të bëjë cytje e të të pengojë nga pendimi duke të të thënë: “Je zhytur në mëkate, nuk ka shpëtim për ty!” Mëkatet, edhe nëse janë sa shkuma e detit apo e mbush tokën me to dhe pendohesh sinqerisht tek Allahu, Ai do t’i falë të gjitha ato. Transmetohet se disa idhujtarë të cilët kishin vrarë shumë njerëz dhe kishin bërë shumë imoralitet (zina), erdhën te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e pyetën: “Feja në të cilën na thërret është shumë e mirë, mirëpo na trego sa çfarë do të bëhet me ne që kemi bërë këto mëkate në të kaluarën, a ka shpagim për to?” Atëherë Allahu zbriti ajetet: “…dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes; dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Furkan, 67-70.

Hadithi na flet në formën e kushtëzimit (“Kush pendohet”) për këtë shpresë të cilën duhet ta ketë besimtari, dhe kushti duhet të ketë patjetër të kushtëzuarën – shpërblimin (“Allahu do t’ia pranojë pendimin”).

Pendimi mbetet i hapur derisa Allahu të japë urdhrin e Tij për të ndodhur Kiameti. Kushdo që kthehet tek Zoti i tij i penduar para se të mbyllet dera e pendimit (që është lindja e diellit nga perëndimi), Allahu ia pranon pendimin.

Besimtari duhet të shpejtojë në pendim, duke mos e vonuar atë. Shpejtimi në pendim menjëherë pasi ka rënë në mëkat, është obligim. Vonimi i pendimit është mëkat tjetër që kërkon pendim tek Allahu, i Cili thotë: “kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë” Ali Imran 135.

[1] Lindja e diellit nga perëndimi është shenja e parë e Kiametit prej shenjave të mëdha. Me shfaqjen e kësaj shenje nuk pranohet besimi, veprat e mira dhe as pendimi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit