Duhet të përgatitemi për botën tjetër
Nga e gjithë kjo që mësuam, vijmë në përfundimin se besimtari duhet të përgatitet shumë për Ditën e Gjykimit, ngase ajo është Ditë e frikshme, e tmerrshme dhe shumë e vështirë. Secili njeri në atë Ditë do të ballafaqohet me veprat e tij. Jeta tjetër është e përhershme, dhe nuk ka jetë tjetër pas saj ku njeriu do ta ketë mundësinë të përmirësojë gabimet e tij dhe nuk ka vend tjetër ku njeriu do të mund të punojë dhe të ndryshojë gjendjen e tij.
Jeta apo vendi ku njeriu është duke u sprovuar se a po i përgjigjet thirrjes së të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem apo jo, është këtu, në jetën e dunjasë. Nëse në këtë botë je i suksesshëm dhe e kalon provimin e shpëton, i tillë do të jesh edhe në botën tjetër, ndërsa ai që është i verbër në këtë jetë, atëherë në botën tjetër do të jetë edhe më i verbër.
Është obligim për besimtarin që kur të lexojë për tematikën rreth botës tjetër, argumentet dhe shpjegimet lidhur me të, kjo të japë rezultate në zemrën e tij, rezultate të shumta dhe madhore. Nga rezultatet më të rëndësishme që duhet të sjellë besimi te bota tjetër në zemrën e besimtarit janë:
-zemra e tij të jetë e lidhur gjithmonë me botën tjetër, në të gjitha lëvizjet e veprimet e tij,
-të jetë Allahu më i madhi në zemrën e tij, më i madh se çdokush tjetër,
-të veprojë vepra me qëllimin që të arrijë kënaqësinë e Allahut.
E, nëse njerëzit zemërohen me të, kjo gjë nuk duhet të ketë rëndësi tek ai, përderisa Allahu është i kënaqur me të.
Besimtari duhet të jetë gjithnjë i kujdesshëm. E jo të mbajë shpresa të kota, në kuptimin që edhe nëse nuk vepron vepra të mira do të arrijë shpërblime e grada tek Allahu. Atij nuk i lejohet t’i shkojë koha kot në jetën e kësaj bote. Njeriu i vendosur dhe serioz, patjetër që rezultatet e veprave të tij do t’i gjejë në botën tjetër.
Nga gjërat e rëndësishme që besimtari duhet të ketë në zemër, është që të ketë qëllim të veprojë vepra të mira të shumta. Kur ka këtë qëllim në zemër, atëherë edhe nëse vdes para se të arrijë t’i realizojë ato, Allahu do ta shpërblejë për to. E kjo vërtet është një gjë e rëndësishme të cilës duhet t’i kushtojë rëndësi.
Nga mëshira dhe bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij besimtarë është se nëse ata kanë vendosur në zemër që të veprojnë vepra të mira të shumta në të ardhmen dhe kurdo që u vjen mundësia t’i realizojnë ato, por që vdesin pa e arritur këtë qëllim, Allahu do t’i shpërblejë. Qëllimet janë shumë të rëndësishme në Islam. Andaj, besimtari duhet të pastrojë qëllimet dhe synimet e tij – t’i bëjë sinqerisht për Allahun, po ashtu të tillë ta ketë edhe dashurinë ndaj Allahut dhe të të Dërguarit të Tij e të mos i njollos këto me synime të tjera të kësaj bote. Nëse posedon qëllime e synime të tilla të pastra, atëherë do të arrijë mirësi të madhe tek Allahu, sepse Ai e di se çfarë fshehin zemrat e njerëzve. Kush ka synim të mirën, përgëzim se do të gjejë mirë tek Allahu. Sinqeriteti është ajo gjë përmes së cilës përmirësohen veprat tona.
Nga mirësia është që shpresat dhe ambiciet e tua në të ardhmen të jenë të mëdha dhe të jenë në vepra të mira. Shembull: Lidhur me mësimin e dijes fetare të mos kënaqesh me pak, por gjithmonë të kesh për qëllim dijen e shumtë. Dhe kur njeriu arrin dije të madhe e të shumtë, Allahu do ta bëjë model e shembull për besimtarët e devotshëm. Allahu kur përmend cilësitë e robërve të Tij, tregon se ata luten: “dhe bëna shembull për të mirët!” Furkan 74. Dhe në ajetin vijues thotë: “Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë…” Dijetarët thonë se ata do të shpërblehen sipas punës së tyre (kanë qenë shembuj për të tjerët). Disa ndoshta nuk kanë arritur të jenë shembuj për të tjerët, porse Allahu do t’i shpërblejë për shkak të qëllimit që kanë pasur në zemër dhe ambicies së lartë.
Besimtari nuk duhet të hezitojë, mirëpo duhet të jetë guximtar dhe të veprojë e të ndërmarrë rrugë të mirësisë (veprave të mira). E në këto vepra të mira, duhet të pastrojë dhe kullojë nijetet e tij. Në këtë gjë duhet të kundërshtojë shumë nefsin – veten tonë. Dijetarët e mëhershëm kanë thënë: “Nuk ka gjë më të rëndë për nefsin sesa sinqeriteti, sepse nefsi nuk ka hise në të.” Prandaj, nefsit i vije rëndë kur njeriu mundohet të jetë i sinqertë. Mirëpo, nëse ndërmerr vepra të mira dhe kundërshton veten dhe përpiqet të jetë i sinqertë, atëherë le të dijë se ka hyrë në një shteg të mirësisë. Nëse ndërkohë fillon të vërejë se shpirti i tij po e do famën, lavdërimet dhe pozitën, qoftë dhe për një fjalë që e thotë në mesin e shokëve dhe vëllezërve, përmes së cilës dëshiron të ngrihet në mesin e tyre, atëherë nëse e bën me këtë qëllim jo të mirë, do të japë llogari në Ditën e Gjykimit.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎬 Transkriptim

