Dhikri (përmendja e Allahut)
Kur besimi është i saktë, atëherë besimtari gjithnjë e angazhon zemrën dhe gjuhën e tij me përmendjen e Allahut, i Cili ka thënë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. E veçuam dhikrin sepse ai është adhurimi më i mirë (siç do të sqarohet më poshtë) dhe sepse shumica e njerëzve janë të shkujdesur ndaj tij, ndonëse është një gjë e lehtë për t’u vepruar.
Dhikri është ushqimi i zemrës dhe kura e shpirtrave. Përmes bërjes së dhikrit, besimtari do të gjejë ëmbëlsinë e besimit e të adhurimit dhe do të gjejë prehje e kënaqësi shpirtërore. Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Përmes dhikrit, njeriu mbrohet nga brengat që mund ta godasin, i lartësohen shkallët në Xhenet dhe i largohen sprovat/fatkeqësitë me të cilat është goditur. Gjithashtu, përmes dhikrit fiket nxehtësia e zjarrit (të epsheve të ndaluara) dhe luftohen ata që pengojnë në rrugëtimin drejt Allahut (qoftë nefsi, apo shejtani etj.).”
Pikërisht Ibën Kajjim në librin “Elwabil el sajjib” përmend mbi 70 dobi të dhikrit, nga to përmendim: Dhikri dëbon shejtanin, kënaq të Gjithmëshirshmin (Allahun), largon pikëllimin, brengat e shqetësimet, forcon ndjenjën se je nën mbikëqyrjen e Allahut, hap portat e dijes rreth Allahut, sjell në zemër madhërimin dhe respektin ndaj Tij dhe Allahu e përmend atë që e përmend Atë etj.[1]
Dhikri lidh besimtarin me Krijuesin e tij dhe përmes tij arrihet jeta e zemrës dhe ruajtja e saj. Dhikri është sekreti i suksesit prej Allahut, është shenja dalluese e besimtarëve të shpëtuar dhe është dëshmia e atyre të cilëve Ai u ka dhënë sukses. Kjo sepse përmes dhikrit njeriu e përmend Atë i Cili është më Madhështori që të përmendet (Allahu).
Shejhul Islam ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dhikri për besimtarin është sikur uji për peshkun. Si do të ishte gjendja e peshkut nëse do të ndahej nga uji?!”
Kur njeriu kthehet tek Allahu duke e përmendur dhe kujtuar Atë, në mirëqenie dhe rehati, atëherë Ai do ta ndihmojë kur të gjendet në vështirësi.
Dhikri është shkak që të angazhohesh me gjëra të dobishme dhe të largohesh nga fjalët e padobishme apo të dëmshme (përgojimi, bartja e fjalëve, gënjeshtra, fjalët e pista, të kota etj.). Kush e ka bërë zakon të gjuhës të përmendë Allahun, Ai do t’ia ruajë gjuhën nga fjalët e kota e të padobishme. Gjithashtu, përmes dhikrit mbillen pemët e Xhenetit (siç ka ardhur në një hadith).
(Duhet të dimë se) Pjesa tjetër e adhurimeve, si: namazi, agjërimi, zekati, haxhi dhe të tjera, janë dhikër. Këtu pastaj kemi një dobi të cilën e përfitojmë nga hadithi: “A doni t’ju tregoj se cila është vepra më e mirë që bëni, që shpërblehet më së shumti te Mbreti juaj, që ngrit shkallët në xhenet, që është më e mirë sesa të shpenzoni ar dhe argjend dhe më e mirë se të takoni armikun tuaj e të ballafaqoheni me të?” I thanë po. Tha: “Ajo është dhikri (përmendja e Allahut).” Andaj, parashtrohet pyetja: “A është dhikri më i vlefshëm se këto vepra që u përmenden?” Disa dijetarë kanë thënë po, mirëpo me një kusht: Nëse bëhet me gjuhë dhe me zemër, i shoqëruar me meditim, me madhërim ndaj Allahut, me përulje ndaj Tij dhe me kthim tek Ai.
Le të pyesim veten: “Sa shumë çaste, minuta, ditë, javë, muaj e vite na kanë ikur duke qenë të shkujdesur ndaj shpërblimit të madh që fitohet nga bërja e dhikrit?!”
[1] Nëse ti e përmend Allahun, Ai do të përmend ty (në Vetën e Tij ose tek engjëjt). Dhe nëse Allahu të përmendë ty, atëherë do të thotë se Ai është i kënaqur me ty. Sikur mos të kishte dobi tjetër nga dhikri, do të mjaftonte kjo dobi për të treguar vlerën dhe pozitën e lartë të tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim



