A është bidat bërja e nijetit me gojë?

A është bidat bërja e nijetit me gojë?

Nijeti me gojë është bidat. Arsyeja pse është bidat është se atë nuk e ka vepruar i Dërguari salAllahu alejhi ue selem e as shokët e tij. E çdo gjë që nuk e kanë bërë ata nga adhurimet në fe, është bidat. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Ai që shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo i refuzohet.” Pra, është bidat dhe nuk i pranohet tek Allahu. Ky hadith përcakton shumë mirë. Kur i thuhet kjo ndonjërit që është injorant ose i pabindur për të pasuar sunetin, ai thotë: “Në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem nuk kishte makina, e pse ju i shfrytëzoni ato?!” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “…në fenë tonë”, nuk ka thënë “në dynjanë tonë”. Nëse ndonjëri shpik në fenë e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem diçka, kjo i refuzohet dhe është bidat. Në fenë e Allahut nuk ka shtesa. Ai e ka plotësuar atë. Allahu thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush…” Nuk ka dhunti më të madhe sesa ajo që Allahu e ka plotësuar këtë fe, “…dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Jehudët i kanë thënë Umerit radijAllahu anhu: “Ju e keni një ajet në kuran, i cili sikur të na zbriste neve në Teurat, do e bënim atë ditë festë”, dhe e ka përmendur këtë ajet. Allahu e ka plotësuar vetëm fenë Islame. Legjislacionet e mëhershme Allahu nuk i ka plotësuar. Gjithmonë në to ka pasur ndryshim e shfuqizim. Andaj është mirësi e madhe plotësimi i fesë sonë. Njeriu nuk ka nevojë që ta lodhë mendjen se çfarë duhet të bëjë e çfarë jo, ato i ka të gjitha të sqaruara në Kuran e sunet. E keqja e bidateve është se personi e akuzon fenë e Allahut se ka mbetur e mangët dhe se paska nevojë për t’u shtuar dhe plotësuar. Andaj, bidati është vepër e keqe të cilën Allahu nuk e pranon. Kur e pyet atë që ngrihet në syfyr se a po çohet të hajë mëngjes, apo drekë, apo darkë, ai përgjigjet: “Po çohem në syfyr për të agjëruar ditën e nesërme.” Andaj, ky e ka bërë nijet dhe nuk është e nevojshme ta vërtetojë këtë (me fjalë). Kur jashtë Ramazanit personi çohet natën të hajë diçka, ai çohet veç për këtë, pa nijetin për të agjëruar të nesërmen. Kështu që nijeti është në zemër. Ngritja për syfyr veçse është bërje e nijetit për agjërim të së nesërmes.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit