A lejohet mbajtja e ceremonisë mortore?

Pyetje: A lejohet mbajtja e ceremonisë mortore?

Përgjigje:

Kjo gjë nuk ka bazë në fenë Islame dhe nuk lejohet për muslimanin të shkojë në këtë ceremoni. Çdo gjë që bëhet në kujtim të të vdekurit e cila nuk ka bazë në fenë tonë, është prej bidateve. Më e pakta që mund ta themi është se kjo gjë është prej bidateve/risive, e ka mundësi të jetë dhe imitim ndaj jomuslimanëve, gjë e cila pastaj kalon në mëkat të madh. I vdekuri varroset dhe të gjallët luten për të, kaq. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka shtuar më shumë se kaq, as nuk ka lexuar Kuran në varrim, as nuk ka kënduar talkin, këto janë bidate. Pasi është varrosur i vdekuri, ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lutuni për vëllain tuaj që ta forcojë Allahu, sepse ai tash është duke u pyetur!” E gjërat që bëhen më pas, si: qelimet, të 7-të, të 40-të, janë bidate të cilat nuk lejohen të veprohen në Islam. Ka mundësi të jenë tradita të jomuslimanëve të cilat kanë depërtuar tek ne. Në këtë rast muslimani jo vetëm që ka vepruar një bidat, porse ka imituar dhe një traditë fetare joislame, rreziku i së cilës është i madh. Këto vepra nuk i bëjnë dobi të vdekurit asgjë- nuk i shkon asnjëra- ngase janë bidate. Allahu nuk e pranon veprën në të cilën ka bidat. Pejgamberi salAllahu alejhi je selem ka thënë: “Kush e vepron një vepër e cila nuk është e bazuar në fenë tonë ajo refuzohet.” D.m.th. në këto vepra që përmendëm njerëzit vetëm lodhen e i veprojnë për kot, e përveç kësaj bëhet shpenzim i kotë. Nëse parat e shpenzuara në këto gjëra jepen lëmoshë për të vdekurin që shpërblimi t’i shkojë atij, atëherë kjo do të ishte e dobishme, ngase për këtë ka argument në fe. Për shejtanin më i dashur është bidati sesa mëkati. Kur njeriu vepron një mëkat, ai e di se është mëkat, se po bën një shkelje e ndalesë dhe shpreson se një ditë do të pendohet. E ai që vepron një bidat mendon se ajo gjë është prej fesë dhe se me të afrohet tek Ai e shpreson shpërblim prej Tij. Kjo vepër nuk i pranohet tek Allahu. Ai ka mëkat nëse ka dije, ose nëse ka mundësi të marrë dije por nuk ka mësuar rreth asaj gjëje (se çfarë është bidat e çfarë sunet). Shejtani më shumë i nxitë njerëzit për të shpikur bidate sesa të bëjnë mëkate. Përveç që bidati nuk pranohet dhe se vepruesi i tij bën mëkat, gjithashtu tjetra është se shëmtohet dhe prishet pamja e saktë dhe e drejtë e fesë, u përzihet njerëzve e më nuk dihet se çfarë është e vërtetë e çfarë e pavërtetë, çfarë është sunet e çfarë bidat. Dijetarët e selefit kanë thënë që t’i thërrasim njerëzit në Kuran e sunet dhe që të largohemi nga bidatet e të këqijat ngase do të vijë koha kur bidatit do t’i thuhet sunet e sunetit bidat. Nëse ne nuk ua tërheqim vërejtjen njerëzve ndaj të këqijave e bidateve, atëherë ato përhapen në mesin e tyre dhe pastaj secili akuzohet sikur sjellës i risive (edhe pse e pason sunetin) dhe se ato që i veprojnë janë prej fesë (edhe pse janë bidate). Është obligim për secilin prej nesh që pasi t’i mësojmë gjërat me argumente se çfarë është sunet e çfarë bidat, t’ua mësojmë edhe të tjerëve. Kjo kohë (për të cilën kanë paralajmëruar dijetarët e selefit) veçse ka ardhur.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit