A lejohet planifikimi i fëmijëve për shkak të frikës ndaj rrizkut dhe edukimit të tyre?

A lejohet planifikimi i fëmijëve për shkak të frikës ndaj rrizkut dhe edukimit të tyre?

Sa i përket rrizkut/furnizimit, prindit nuk i lejohet kurrsesi të bëjë planifikim familjarë, duke i ndërprerë fëmijët ngaqë nuk ka mundësi t’i furnizojë. Kjo është e ndaluar rreptësisht. Allahu ka premtuar se Ai na furnizon neve dhe ata (fëmijët). Allahu ka treguar se frika nga varfëria, para se të vijë Islami, i ka detyruar (shtyrë) njerëzit që t’i mbysin fëmijët e tyre. Myslimani nuk lejohet t’u përngjajë atyre në këtë gjë, duke menduar se nëse bën shumë fëmijë nuk do të ketë mundësinë t’i furnizojë. Përkundrazi, njeriut kur është në barkun e nënës i shkruhet furnizimi. Fëmija yt që do të lindë e ka furnizimin të shkruar. Pse frikësohesh? Ashtu edhe ty ta ka shkruar Allahu furnizimin. Mund të ndodhë që si dënim prej Allahut për frikën që ke ndaj furnizimit, Ai të të sprovojë me varfëri. Myslimani e ka obligim të ketë mendim të mirë për Allahun, duke e ditur se Ai e furnizon atë dhe fëmijët e tij. Andaj, nuk lejohet ndërprerja e shtimit të fëmijëve për shkak të frikës nga furnizimi. Sa i përket edukimit, kjo është çështje tjetër, kur prindi nuk mund t’i edukojë, apo të kujdeset për tre e katër fëmijë njëkohësisht (duke i pasur lindjet e shpeshta), apo se ka ardhur kohë e vështirë, atëherë në këtë pikë dijetarët e lejojnë që të bëhet një ndërprerje për dy vite. Allahu ka përmendur se gjidhënia zgjat dy vite. Prandaj, disa dijetarë, si shejkh bin Baz rahimehullah thotë se lejohet që njeriu t’i planifikojë fëmijët çdo dy vite edhe pa pasur ndonjë arsye/shkak, kështu fëmija i parë ushqehet me qumësht të nënës dy vite, pastaj fillojnë me fëmijën tjetër. Së fundi kam lexuar një fetua nga shejkh Sulejmani i cili thotë se nëse njeriu e bën planifikimin familjar për shkak të frikës nga furnizimi, kjo është e ndaluar, mirëpo nëse i rrallon fëmijët (më shumë se dy vite) për t’u marrë me dije, apo për të mësuar Kuran përmendësh, apo për t’i edukuar ata më lehtë, atëherë lejohet; është çështje mubah, as nuk ka dënim nëse veprohet e as shpërblim. Shejkh Albani rahimehullah ka thënë se prindi duhet të angazhohet me edukimin e fëmijës së parë, duke i kushtuar rëndësi të madhe. Nëse kjo bëhet, atëherë fëmijët e tjerë do të edukohen prej të parit.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit