A lejohet të theret kurban për të sëmurin që të shërohet ose që të vdesë?

 

Askund në Kuran a sunet nuk është përmendur ajo që nëse njeriu ther ndonjë kafshë shërohet prej sëmundjes ose vdes. Përderisa nuk ka argumente, atëherë kjo vepër është shirk i vogël. Duhet mësuar një parim, i cili ndihmon shumë sa i përket shkaqeve se kur janë të lejuara e kur janë të ndaluara, andaj të sqarojmë:

-shkak i lejuar (që lejohet të veprohet) është ai shkak për të cilin Kurani e suneti ka treguar se lejohet të veprohet, p.sh.: lutja tek Allahu, apo dhikri, leximi i Kuranit, hixhamja, pirja e mjaltit apo e farës së zezë etj., -për to ka argumente në Kuran e sunet.

-ose që ka treguar përvoja e profesionistëve të asaj fushe, p.sh.: operacioni, ilaçet etj. Përderisa ata kanë ardhur në përfundim se një ilaç ka efekt, atëherë është shkak i lejuar të veprohet.

Këto shkaqe janë të ligjshme dhe të preferueshme të veprohen kur njeriu ka një lloj sëmundjeje. Nëse nuk është shkak prej këtyre dy llojeve atëherë ndalohet të veprohet, dhe është shirk i vogël ngase për të nuk ka treguar as feja (sheriati) e as përvoja e profesionistëve të asaj fushe.

Sa i përket therjes së Kurbanit, kjo nuk hyn tek asnjëra.

Mirëpo, a lejohet të theret Kurban (një kafshë) në këtë rast për të dhënë lëmoshë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith për të cilin disa dijetarë thonë se është hasen ka thënë: “Shëroni të sëmurët tuaj me lëmoshë!” Porse kjo nuk është e specifikuar me therje të kafshës. Çfarëdo lloj lëmoshe, qoftë para, ushqim, apo të tjera, me lejen e Allahut bëhet shkak që i sëmuri të shërohet dhe për këtë ka argument. Në këtë rast nuk them që të theret kurban një kafshë dhe të shpërndahet si lëmoshë ngase në zemrat e njerëzve ende ekziston kjo bindje (që përmendet në pyetje). Andaj, është mirë që ato pare (që janë caktuar për kurban) të jepen lëmoshë me nijetin që Allahu ta shërojë personin. Kjo është diçka me rëndësi, pra bëhet me këtë nijet, e lëmosha të llogaritet vetëm si shkak, jo më shumë. Kjo lejohet.

Por, nëse ata besojnë se vetë therja e kurbanit në ato momente, e shëron njeriun ose bën që të vdesë, kjo është shirk i madh, ngase shërimin dhe dhënien jetë e vdekje po ia atribuojnë krijesës, e jo Allahut. Duhet pasur kujdes shumë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit