Arsyet që lejojnë mosfaljen e namazit me xhemat

Said bin Vehf el Kahtani

1. Frika apo sëmundja; duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ibën Abasi (radij Allahu anhuma) i cili citon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Ai që dëgjon thirrjen për namaz dhe nuk i përgjigjet, atëherë nuk ka namaz, përveç nëse ka arsye” [1]

2. Shiu dhe rruga e rrëshqitshme dhe me baltë; duke u bazuar po ashtu në hadithin e transmetuar nga Ibën Abasi, i cili në një natë me shi, i kishte thënë muezinit të tij: “Kur të mbarosh fjalën ‘Eshhedu enne Muhammeden resulullah’ mos thuaj më pas ‘Hajjeales salah (ejani në namaz), por thuaj ‘salu fi bujutikum (faluni në shtëpitë e juaja)’. Disa njerëz nuk e kishin pëlqyer këtë veprim të Ibën Abasit, por ai u tha: “Kështu ka vepruar ai i cili është më i mirë se unë (kishte për qëllim Pejgamberin salallahu alejhi ve selem) [2].

3. Era e fuqishme në natën e ftohtë; duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ibën Omeri (radij Allahu anhuma), i cili kishte bërë thirrjen për namaz (ezanin) në një natë të ftohtë dhe me erë, ku gjatë ezanit kishte thirrur: “Faluni nëpër shtëpitë e juaja”. Pastaj thotë: kur ishte nata e ftohtë dhe me shi, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) e urdhëronte muezinin që gjatë ezanit t’i thotë këto fjalë: “Faluni në shtëpi”, kurse në transmetimin e Buhariut qëndron: kur në udhëtim ishte natë e ftohtë apo me shi, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) urdhëronte muezinin që gjatë ezanit të thërrasë: “Faluni në tenda”. Kurse në transmetimin e Muslimit qëndron: Ibën Omeri (radij Allahu anhuma) kur thërriste ezanin në një natë të ftohtë me erë dhe shi në udhëtim, thoshte: “Faluni në tendat e juaja, faluni në tendat u juaja”, pastaj thotë: Kur ishte natë e ftohtë apo me shi gjatë udhëtimit, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) e urdhëronte muezinin e tij të thërrasë: “Faluni në tendat e juaja”. [3]

Kurse nga Xhabiri (radij Allahu anhuma) është transmetuar të ketë thënë: së bashku me Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) u nisëm në udhëtim në një mot me shi, dhe ai na tha: “Kush të dojë le të falet në tendën e vet”. [4]

Ndërsa më e qëlluar është, se në përfundim të ezanit t’i thotë këto fjalë: “Salu fi bujutikum (Faluni në shtëpitë e juaja)”

4. Kur shtrohet ushqimi dhe njeriu është i uritur, duke u bazuar në hadithin e Ibën Omerit (radij Allahu anhuma), i cili citon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Kur ndonjëri është ulur për të ngrënë ushqim, atëherë të mos ngrihet derisa ta përfundoj, edhe nëse është duke u falur namazi”. [5]

Po ashtu tregon Hadithi i transmetuar nga Aisheja (radij Allahu anha) e cila citon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Kur shtrohet darka ndërsa namazi është duke u falur, atëherë filloni me ushqimin”. [6]

5. Kur njeriu është nën presionin e njërës nga dy nevojat fiziologjike, siq tregon hadithi i transmetuar nga Aisheja (radij Allahu anha) e cila citon ta ketë dëgjuar Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) duke thënë: “Nuk falet namazi kur është shtruar buka e as nën presionin e dy nevojave fiziologjike”. [7]

6. Kur njeriu ka një të afërm të sëmurë, dhe ka drojë se do të vdes dhe nuk do jetë prezent, duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ibën Omeri (radij Allahu anhuma) kur e kanë lajmëruar se Seid bin Zejd bin Amër bin Nufejl – i cili kishte marrë pjesë në lufën e Bedrit- ishte sëmurë në ditën e xhuma, atëherë Ibën Omeri u nis për ta vizituar dhe nuk e fali xhumanë”. [8]

Kurse nga Ebu Derdai (radij Allahu anhu) transmetohet të ketë thënë: “Prej diturisë që njeriu ka për fenë e tij, është kur ai përpiqet t’i përfundoj nevojat e tij, me qëllim që pastaj të jetë sa më i përkushtuar dhe i qetë në namaz”.

Përmbledhje: Nga kjo që u cek lartë, bëhet e qartë se namazi me xhematë mund të mosfalet për tetë arsye: Sëmundja, frika për jetën, pasurinë apo nderin, shiu, balta, era e fuqishme natën e ftohtë, kur ushqimi është gati dhe njeriu është i uritur, presioni i njërës apo dy nevojave fiziologjike, si dhe sëmundja e ndonjë të afërmi që drohet se do vdes.

Përktheu: Jeton Bozhlani

—————————————————————————–

[1] Ibën Maxhe: (793), Ebu Davudi: (551), të cilin e saktëson Shejh Albani.
[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[4] Transmeton Muslimi.

[5] Transmeton Buhariu: (674), Muslimi: (559).
[6] Transmeton Buhariu: (671), Muslimi: (558).
[7] transmeton Muslimi: (560).
[8] Transmeton Buhariu: (3990).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit